Vaxhid Sejdiu

Vaxhid Sejdiu: Muaji i rrenave në IRJM !

I vetëdijshëm se që nga fillimi i pluralizmit politik (1990)  e deri më sot, asgjë nuk ka ndryshuar për shqiptarët në IRJM, i vetëdijshëm se partitë politike shqiptare gjatë sundimit të koalicioneve qeveritare u bënë masha të pushtetit dhe morën rolin e servilëve dhe mercenarëve, duke u bërë urë për zbatimin e projekteve antishqiptare, reagoj publikisht se edhe këto zgjedhje parlamentare në IRJM, nuk janë asgjë tjetër vetëm një farsë politike shumë e rrezikshme për popullin shqiptar dhe të ardhmen e tij, nëse nuk reagohet dhe veprohet me kohë, nga organizatat atdhetare shqiptare.

Ende pa u shpallur data për fillimin e fushatës politike, për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në IRJM, partitë politike shqiptare mobilizuan të gjithë sektorët e tyre, me qëllim që të marrin, të vjedhin sa më shumë vota dhe në anën tjetër, për të siguruar sa më shumë pushtet, për vete dhe kastën e tyre politike. Gjatë këtyre ditëve, ata në vend që të dalin para qytetarëve me programin e tyre politik, me format dhe metodat për zgjidhjen e problemeve të akumuluara politike shqiptare, me sqarimet nevojshme, se si dot ë largohet dhuna shtetërore nga vendbanimet shqiptare, me sqarimet e nevojshme se si do të funksionojnë shkollat shqipe, shërbimet spitalore, shërbimet sociale, shërbimet e institucioneve publike, ata u lëshuan në vrap, duke mos zgjedhur mjete për të bërë sa më tepër njerëz për vete dhe pushtetin e tyre servil, ku në të ardhmen qoftë me LSDM-në apo VMRO-në do të bëjnë koalicion dhe do të hanë ndonjë kockë që ua hedh partneri i koalicionit. Ky tmerr dhe kjo fushatë i shoqëron që sa javë shqiptarët që nga Kumanova e deri në Manastir. Vrapojnë të mjerët, me qëllim që nesër ta ulin prapanicën e tyre në zyrat e pushtetit dhe nuk çajnë kokën për popullin e pambrojtur, që ka mbetur në mëshirë të fatit dhe të bandave politike që sillen për ditë vendbanimeve shqiptare. Këta servilë dhe mercenarë vërshuan përsëri ashtu si dikur në zgjedhjet e fundit apo të parafundit, sepse ata vinë vetëm në kohë të zgjedhjeve, sa për ta marrë votën dhe pastaj i mbyllin telefonat dhe nuk dëgjohen fare. Ky është komunikimi modern në mes tyre dhe qytetarëve shqiptarë.   Por, a ka forcë që dikush mund të shlyej kujtesën e popullit shqiptar? – Harrojnë të mjerët se gjoja shqiptarët paskan harruar masakrat mbi popullin e pambrojtur shqiptar! – Harrojnë servilët e pushtetit të Cervenkovskit dhe të Gruevskit, se ne do të harrojmë “Bit-Pazarin, Ladorishtën, Gostivarin, Sopotin, Brodecin, Haraçinën, Sllupçanin, Tanushën, Brezën , Radushën, Radishanin, Gjorçe Petrovin, Monstrën, Kumanovën, Manastirin, Rekën e Epërme” etj.

Harrojnë të mjerët se do të harrojmë faktin, se si ata u pasuruan, se si premtuan në zgjedhjet e para lokale dhe parlamentare, të dyta, të treta, të katërta, të pesta, të gjashta, të shtata e të teta dhe kurrë shqiptarëve nuk iu ofruan zgjidhje politike, kurrë shqiptarëve nuk iu ofruan mirëqenie në vatrën e tyre stërgjyshore. Por, përkundrazi se cili që erdhi hyri qetë, pa zhurmë dhe pastaj ndërhyri me zhurmë, me kërcënime dhe shantazhe ndaj familjeve atdhetare dhe luftëtarëve të UÇK-së. Harrojnë të mjerët, se populli nuk i di, se sa luftëtarë të UÇK-së u vranë apo u arrestuan, e u dënuan nëpërmjet proceseve të montuara politike. Harrojnë të mjerët se ne nuk shohim, se kë ata e ofrojnë dhe e ngritin në hierarkinë  partiake, harrojnë të mjerët se ne nuk i njohim njerëzit me të cilët në vazhdimësi ndihmuan në zbatimin e reformave antishqiptare qoftë nga LSDM-ja apo VMRO-DPMNE. Dikur dhe sot nuk ka ndonjë ndryshim të madh për shqiptarët, sepse kujtesa e popullit shqiptar është më kokëfortë se premtimet e tyre boshe, të pavlera, fjalë që përsëriten nga fushata në fushatë, nga tubimi në tubim, nga mbledhja në mbledhje dhe kurrën e kurrës këto parti politike nuk kanë dorëzuar  në institucionet e IRJM ndonjë kërkesë për zgjidhjen politike të shqiptarëve, kurrën e kurrës nuk dimë që është vënë në rend dite, në parlamentin e IRJM projektligji për çështjet e pazgjidhura shqiptare. Por, përkundrazi nga veprimet e tyre të papërgjegjshme politike në vazhdimësi rëndë është dëmtuar interesi i popullit shqiptar.  Derisa investimet në pjesën lindore të IRJM nuk janë ndalur asnjëherë, në vendbanimet shqiptare nuk mbahet mend ndonjë investim në bujqësi apo blegtori apo ndërtimin e ndonjë fabrike për punësimin e të rinjve. Arsimi dhe shëndetësia, bujqësia apo ekonomia janë shkatërruar edhe atëherë kur kanë qenë edhe në dorën e disa shqiptarëve, që sot dalin lagjeve shqiptare dhe përsëri kërkoj votë nga qytetarët.

Prandaj, e gjithë kjo nuk është një tabu temë që ne, nuk duhet ta bisedojmë, por përkundrazi sa më shpesh dhe sa më shpejt që vihet në rend dite, nga rrethet e organizatave atdhetare më lehtë dhe më drejtë gjen zgjidhje, sepse çdo gjë që lihet në dorën këtyre e kastave politike është e rrezikuar edhe e ardhmja e popullit shqiptar në IRJM. Shqiptarët viteve të fundit nuk janë të dënuar vetëm nga pushteti sllavo-maqedon por edhe nga partitë e papërgjegjshme shqiptare.

I kujtohet Ali Ahmetit se kur i kishte bashkëveprimtarët për rreth, hynte me krenari në vendbanimet shqiptare dhe tani hynë me autoblinda, i kujtohet Menduh Thaçit që kur premtoi se do të bëj ligjin për familjet e  dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, njerëzit e mirë anuan nga ai. Por, posa hyri në qeveri harroi premtimet dhe për dy vjet u soll korridoreve të VMRO-DPMNE duke mos i vajtur kurrë mendja, as për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, as për flamurin kombëtar, as për gjuhën shqipe, as për Sopotin. I kujtohet Gëzim Osdrenit se si hynte në vendbanimet shqiptare, kurse neve veprimtarëve të çështje kombëtare na kujtohet se ishte pikërisht Gzim Osdreni që nën urdhrat e Musa Xhaferit  i përçau luftëtarët e lirisë të Brigadës 113 “Ismet Jashari- Kumanova” dhe degën e BDI në Kumanovë, në vitin 2004 .

Dhe tani kush mund ta besojë se Gëzim Osdreni nuk është prapë nën urdhrat e Musa Xhaferit, kush mund ta besojë pas asaj fotografie ku Ali Ahmeti ia shpëtoi vulën dhe zyrën Vesel Memedit se nuk janë bashkë.

Kush mund ta besoj se Ziadin Sela duke mos bërë asnjë reformë në kuadër të “LR-PDSH”, se do të bëj reforma tjera, kush mund të besoj se “Besa”, e cila asnjëherë nuk iu tregoi shqiptarëve se nga janë këto burime financiare mund të veproj vertikalisht brenda një pushteti të korruptuar në IRJM. Më vjen keq nga të gjithë veprimtarët, anëtarët dhe simpatizantët e këtyre partive politike shqiptare të cilët pa dijen e tyre janë futur, me qëllimin sa më të mirë, për të bërë diçka, por të gjitha këto fakte dhe mijëra e mijëra fakte tjera, të cilat nuk mund të hynë me një shkrim publicistik, dëshmojnë të vërtetën se në çfarë gjendje është fati i shqiptarëve sot. Dhe e gjithë kjo, ka nxjerrë në pah edhe mercenarë të atillë sa që të futen edhe në LSDM apo në organizata të tjera qeveritare dhe joqeveritare sllavo-maqedone. Gullashi i LSDM-së nuk mund të zgjidh problemet e shqiptarëve o, njerëz. E gjithë kjo katrahurë është vepër e kryetarëve të partive politike sepse në partitë politike shqiptare vendosin vetëm kryetari në bashkëpunim me nja 2-3 veta për rreth. Kjo është formula e funksionimit politik të partive shqiptare në IRJM.

  1. Dhjetor 2016

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …