Sikurse në librin e parë publicistik, Krahët e shqipes – përpjekje e pengesa, po ashtu edhe në të dytin, Autorë dhe vepra, autori na sjell përvojë letrare, publicistike, pedagogjike, kulturore, politike dhe kritikë letrare. Në këtë botim, autori paraqet dhe analizon fatin e njerëzve dhe të popujve; sjelljet, shkaqet dhe pasojat jetësore, që nga fëmijëria e deri në moshë të thyer.
Isuf Bytyçin, e njoh qysh kur ishim studentë. Ai është një njeri me zemër të madhe, plot humor e satirë, i dashur, fisnik dhe, shumë herë edhe i ashpër. Është një publicist i një lloji të veçantë, kompetent, i ndjeshëm, i sinqertë dhe i guximshëm, veti të cilat pak njerëz i kanë. Me publicistikë merret që në kohën e studimeve: shkruan, opinione, intervista dhe polemika. Përvojën e tij artistike e ka shfaqur me sukses në librin e tij publicistik, Krahët e shqipes, dhe me këtë botim të fundit vetëm sa e ka përsosur mendimin, analizën dhe interpretimin. Që në fillim të librit, edhe pse ndryshon nga i pari, lexuesi do ta kuptojë qëllimin e autorit, sepse në të, qenia individuale, kombëtare dhe ajo njerëzore në përgjithësi është preokupimi i tij themelor.
Në këtë botim janë përfshirë shtatë autorë: Alfred Adleri me “Të kuptosh natyrën e njeriut”, Erih Fromi me “Arti i të dashuruarit”, Napoleon Hilli me “Mposhtja e djallit”, Franc Alt me “Der Apell des Dalai Lama an die Welt – Ethik ist wichtiger als Religion” (“Apeli i Dalai Lamës mbi botën – Etika është më e rëndësishme se religjioni”), Khaled Hoseini me “Gjuetari i balonave”, Ismail Kadare me “Mosmarrëveshja” dhe, në fund të librit, autori na sjell një kritikë letrare mbi kritikën letrare të Rexhep Qosjes, për poezinë e sotme shqipe.
Isuf Bytyçi hulumton në këto vepra, analizon, interpreton, jep mendime rreth tyre dhe për qenien njerëzore, që nga lindja e individit deri në pleqëri të thellë, si dhe të menduarit e sjelljet e tij. Shkrimet e tij janë botuar në portale shqiptare dhe tani ka ardhur koha që t’i botojë në këtë libër, si dhe t’i ndajë me ne mendimet rreth veprave dhe qenies njerëzore.
Autori shprehet se komunikimi është çelësi kryesor i jetës në marrëdhëniet njerëzore dhe debati na çon drejt së vërtetës. Qëllimi i tij kryesor është që të kemi shoqëri të shëndoshë, me ndërgjegje të pastër, me edukatë dhe sjellje të mirë, që nga fëmijëria, në mënyrë që individi të jetë sa më i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm, i kujdesshëm për veten, familjen dhe shoqërinë. Mesazhi i tij është, që njeriu të jetë punëtor, i sinqertë, të dialogojë e të bëjë monolog, të bëjë kritikë e të japë këshilla, të jetë optimist, tolerant, i dashur, i arsyeshëm dhe, natyrisht, të mund të jetë edhe krijues i shkëlqyer.
Bytyçi nuk i analizon autorët dhe veprat e tyre në aspektin e veçantë krijues, estetik e artistik, por kryesisht në aspektin e përgjithshëm letrar, psikologjik, pedagogjik, shoqëror-etik e, mbi të gjitha, në atë njerëzor. Ai bën kritika dhe jep këshilla në lidhje me mendësinë, veprimtarinë dhe sjelljet e njeriut në shoqërinë njerëzore.
Që në fillim të librit lexojmë për mendimin e psikologut Alfred Adlerit në librin “Të kuptosh natyrën e njeriut”, i cili shkruan se, ashtu si individi, edhe shoqëria duhet që përditë, të mësojë dhe të ndryshojë, përndryshe shkojmë drejt shthurjes dhe degradimit. Mbi të gjitha, ndërgjegjja e fortë dhe fuqia e arsyes mund të na çojnë drejt një të ardhmeje më të mirë e të shëndoshë, mendon autori. Prandaj, ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë brezash po rritim dhe cila është edukata jonë që u japim atyre, shkruan Adleri.
Autori i dytë që zë vend në këtë libër është psikologu Erih From, i cili jo rastësisht trajton temën e dashurisë në librin e tij “Arti i të dashuruarit”. Sipas Fromit, dashuria është art. Prandaj ne duhet ta mësojmë dhe ta ushtrojmë artin e të dashuruarit, në mënyrë që, si shoqëri kolektive, t’i çojmë përpara proceset jetësore dhe të kemi një jetë sa më të lehtë dhe më të mirë. Ta duam familjen, kombin e, mbi të gjitha, t’i duam njerëzit, këshillon Fromi.
Ndërsa i treti vjen autori i mendimit pozitiv, Napoleon Hill, me librin “Mposhtja e djallit”. Hilli në këtë libër shprehet se frika, dilema, intriga, gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni, ankthi etj., janë veti negative dhe pjesë të një ndërgjegjeje të sëmurë.
Nga këto veti, si pasojë, vjen edhe dështimi i njeriut. Por, që të jemi të suksesshëm, duhet të kemi këto veti: të jemi të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm, të ditur, të sinqertë, të guximshëm, të sjellshëm, të komunikojmë në të gjitha format, si dhe të ndikojmë në të mirë të njerëzimit. shoqëria njerëzore e ka më lehtë që të devijojë e të shkojë drejt degradimit, degjenerimit dhe dështimit.
Autori i katërt është Franc Alt, me librin e tij publicistik “Apeli i Dalai Lamës mbi botën – Etika është më e rëndësishme se religjioni”. Ky bashkëbisedim me Dalai Lamën, na ndërgjegjëson se ne duhet t’i duam të gjithë njerëzit, pa dallim besimi, race apo kombësie.
I pesti vjen romani “Gjuetari i balonave”, i Khaled Hoseinit, që na sjell një histori mbi shtetin e Afganistanit, nëpërmjet rrëfimit personal të personazhit kryesor. Nëpërmjet Amirit, kryepersonazhit, Hoseini na jep mesazhin se s’ka gjë më të keqe në jetë sesa hajnia, sipas thënies së babait të tij.
Autori vazhdon më tej me librin e gjashtë, sprovën letrare të Ismail Kadaresë, “Mosmarrëveshja”. Sipas Kadaresë në këtë libër, të gjitha të këqijat, kombit shqiptar i vijnë: disa nga shqiptarët, disa nga politika serbe, turke dhe ajo greke.
Dhe, krejt në fund, i shtati vjen “Mendimi kritik i Rexhep Qosjes për poezinë e sotme shqipe”, kritikë mbi kritikën letrare, që ishte punim diplome i autorit të librit, me pak ndryshime. Në këtë vepër vjen porosia e profesor Qosjes për një kritikë letrare të mirëfilltë dhe të paangazhuar. Ndërsa Isuf Bytyçi mendon dhe shkruan se letërsia e sotme shqipe, kritika letrare dhe studimet historiko-letrare shqiptare nuk paramendohen dhe do të ishin të varfra pa veprimtarinë e akademik Rexhep Qosjes.