Nxënësit me një edukim kombëtar, janë ata që mbajnë mbi supe dashurinë ndaj GJUHËS, QË DO TË THOTË DASHURI NDAJ ATDHEUT…
Shumë herë kam shkruar për shkollën shqipe dhe rëndësinë e saj, për hapjen e shkollave shqipe dhe përkujdesjen që këto klasa të funksionojnë sa më mirë. Por kësaj radhe po shkruaj për nxënësit, të cilët në orët mësimore të shkollës shqipe nuk përfitojnë vetëm mësimin e gjuhës amtare, nuk përfitojnë vetëm njohuri mësimore në gjuhën shqipe, për ta folur dhe për ta shkruar atë, por edhe përfitojnë një shkallë të lartë të edukimit kombëtar. Dhe pikërisht edukimi kombëtar është ai, i cili rritë dashurinë ndaj gjuhës amtare, ndaj kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar si dhe mban gjallë atdhedashurinë, pavarësisht vendit ku jetojnë ata.
Nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër me librin “Adem dhe Hamëz Jashari” në duar: Lina Limoni, Lind dhe Fisnik Maxhuni dhe Ajlina Huneli
Një fakt i këtillë dëshmohet në librin e përgatitur nga veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Reshat Sahitaj, “Adem e Hamëz Jashari”. Në këtë libër shihet qartë angazhimi i fëmijëve shqiptarë të shkollave fillore, nga të gjitha trojet shqiptare, për t`i kënduar dhe nderuar heronjtë e kombit dhe në këtë rast Adem e Hamëz Jasharin. Por, faktet janë edhe më “kokëfortë” ku nxënësit e “Shkollës Shqipe në Zvicër”: Ajlina Huneli, Lina Limoni, Lind dhe Fisnik Maxhuni, Erijon Dervishi, të cilët edhe pse të lindur larg atdheut, edhe pse jetojnë me mijëra km. nga vendlindja e prindërve të tyre, ata frymojnë shqip, edukohen shqip dhe mendojnë shqip duke shfaqur atdhedashurinë ndaj heronjve të kombit. Këta heronj nga dora e tyre përshkruhen ashtu siç janë “themel i lirisë së popullit shqiptar, themel i lirisë së Kosovës.”
Fisnik Maxhuni, në vargjet kushtuar Adem Jasharit do të shkruaj: “Adem Jashari, emri yt vet, / Shqipen e deshtë në çerdhen e vet”, apo Lind Maxhuni në tregimin kushtuar heroit të kombit, do të shkruaj: “Marsi gjithmonë na sjell në mendjen tonë dhimbjen por gjithashtu edhe krenarinë tonë me të cilën po rritemi ne dhe brezat e ardhshëm të Kosovës sonë.”
Lina Limoni nxënëse e klasës së pestë në shkollën shqipe në Neunehof shkruan: “ Unë Adem Jasharin e dua shumë, sepse ai ka luftuar për t’i mbrojtur fëmijët. Ai është një Trim i Fortë dhe Atdhetar. Adem Jashari ishte nga Prekazi heroik në Drenicë nga vendlindja e Azem dhe Shotë Galicës. Ai luftoj me Familjen e tij: babain Shaban, vëllain Hamëz dhe shumë trima të tjerë, që ranë në luftë për Liri. Ai e nisi Luftën për çlirimin e Kosovës.”, kurse Ajlina Hnneli nxënëse e klasë së pestë në Shkollën Shqipe në Volkteswil të Kantonit të Cyrihut shkruan: “Adem Jashari, ishte njeri i përkushtuar ndaj atdheut, sy patrembur dhe luftëtar, që gjithmonë i doli zot vendit të tij.”
Këta dhe shumë nxënës të tjerë të shkollave shqipe ndër vite kanë dëshmuar dhe dëshmojnë atdhedashurinë dhe përkushtimin ndaj gjuhës, flamurit dhe identitetit kombëtar. Ata personifikojnë shembullin më mirë në ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.