Para dy muajve, ministrja Artane Rizvanolli ishte ftuar dhe paraqitur në Prokurori, në cilësinë e dëshmitares për rastin e aferës së ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi, e cila peshon mbi 36 milionë euro dëm për buxhetin e Kosovës. Nacionale publikon ekskluzivisht pjesë nga dëshmia e Rizvanollit, e cila karakterizohet me fjali si: “Nuk e di…”, “Mund të ketë qenë”, “Nuk më kujtohet”….Nga deklarata e saj, vërehet edhe përgënjeshtrimi me fakte, rreth të qenit në dijeni ose jo për kompaninë zvicerane që fitoi kundërligjshëm tender. Favorizimi i kompanisë Litwin S.A. për riparimin urgjent të kalldajes në bllokun A4, me procedurë të negociuar, pavarësisht se e njëjta ishte shpallur e papërgjegjshme (në procedurë paraprake të hapur) – ishte boshti i aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, akt i cili sipas aktakuzës, do t’i shkaktonte dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej mbi 36 milionë euro. Ky dëm ndaj buxhetit të Kosovës, ka një histori komunikimesh në WhatsApp dhe bashkë me aktakuzën ndaj Krasniqit, do të bëheshin të njohura edhe dy paraqitje të dy emrave si dëshmitare në Prokurori: Dejona Mihali dhe Artane Rizvanolli, një ftesë për kryeministrin Albin Kurti, të cilës sot e disa muaj, vazhdon të mos i përgjigjet.
