Me dëgjimin e dëshmitarëve, sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdon gjykimi në rastin ku po akuzohen katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq. Bashkë me ta po akuzohen edhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka pasi me procedurën e privatizimit të katër hidrocentraleve, Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“. Seanca e fundit në këtë rast, u mbajt më 7 shkurt 2022, ku vazhdoi dëgjimi i dëshmitarëve. Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik 2021, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së. Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj. Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve: Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka. Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi. Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave: Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha e Arben Gjuka.
Kontrolloni gjithashtu
Ministri, Ejup Maqedonci, diskutoi përforcimin e sigurisë kombëtare me NATO-n për stabilitet dhe integrime
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë e forcimit të aspektit të sigurisë për …