Vazhdon përurimi i romanit, “1803” i autorit shqiptar nga Vjena, Besim Xhelili

Vazhdon përurimi i romanit, “1803” i autorit shqiptar nga Vjena, Besim Xhelili

Romani “1803” i autorit shqiptar nga Vjena, Besim Xhelili, pas promovimit nëpër disa qytete të ndryshme në Europë, ndaloi në stacionin e radhës në “Zentrum5” në Bern të Zvicrës. Ky roman është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2016, kurse në janar 2018 u botua në gjuhën gjermane dhe atë suedeze.

Me ftesë të Qendrës për Integrim “Zentrum5” në kryeqytetin e Zvicrës Bern, të cilën e udhëheq znj. Brikela Andrea Nune, autori shqiptar nga Austria Besim Xhelili prezantoi para lexuesve romanin e tij me një tematikë interesante të dashurisë, me titull “1803”. Ky aktivitet letrar dhe kulturor u bë në bashkëpunim me Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, ku në cilësinë e kryetarit i pranishëm ishte shkrimtari Dan Kosumi dhe të shoqatës “Përshefca”, e përfaqësuar nga kryetari Fadil Hasani dhe anëtari i kryesisë Bujar Imeri. Me pjesëmarrjen e tyre e nderuan organizatorin dhe autorin, znj. Fatmire Musliu nga Ambasada e Kosovës në Zvicër, krijues shqiptarë të sferave të ndryshme në Zvicër, artdashës dhe dashamirë të librit.

Në një bashkëbisedim me autorin mbi krijimtarinë e tij të deritanishme dhe me fokus tek romani në fjalë, znj. Brikela me një shije të theksuar udhëhoqi bisedën e ngrohtë, duke përçuar tek të pranishmit një kërshëri për mysafirin para tyre. Në anën tjetër z. Xhelili tregoi për aktivitetet e tij në Vjenë të Austrisë, bashkëpunimet me krijuesit e tjerë në Austri, në vendlindje dhe në diasporë, dha disa informata mbi shoqatat e ndryshme shqiptare në Austri, për të dalur tek tematika e shtjelluar në romanin e tij me titullin e mjaft sekret “1803”.

Meqë moderatorja paraprakisht kishte lexuar romanin “1803”, si zakonisht pyetja e parë ishte nëse autori identifikohet me figurën kryesore në roman dhe çfarë do të thotë titulli i romanit. Në përgjigjen e tij autori Xhelili u shpreh mjaft i përmbajtur, duke thënë se lexuesit do ta marrin vesh titullin në fund të pjesës së tretë të kësaj trilogjie, duke pasur parasysh se ai ka në përgatitje e sipër edhe dy pjesët e tjera, por pa dhënë ndonjë detaj se kur do të dalin nga botimi. Ndërsa sa i përket asaj nëse ai identifikohet me personazhin kryesor, ai u shpreh se romani ka në fillim disa të dhëna autobiografike, por në përgjithësi materia në vazhdim është një pjellë e imagjinatës, ka disa gërshetime të reales dhe joreales, mirëpo përparësi i është dhënë mendimit të lirë dhe lirisë së shprehjes. Për autorin me rëndësi është që romani ta argëtojë lexuesin, ta bëjë kureshtar të mendojë, të analizojë nëse e gjen veten diku tek ndonjë personazh dhe të pret me plot kënaqësi e kureshtje vazhdimin dhe përfundimin e ngjarjes me dy pjesët e tjera që ai ka në dorëshkrim.

Me dy melodi intrumentale me motive burimore shqiptare, këtë aktivitet e zbukuran me gjallëri dhe ndjenjën e vendlindjes disa anëtarë të SHKA “Bashkimi” nga Berni. Për fund u shtrua një koktej i vogël rasti dhe autori me shumë kënaqësi nënshkroi librat për lexuesit e tij. Promovimi i radhës i kësaj vepre në gjuhën suedeze do të bëhet me 19 maj 2018 në Stockholm të Suedisë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …