leoni

Vdes gazetari dhe themeluesi i Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani

Ka vdekur në moshën 49 vjeçare Faton Osmani, gazetar dhe themelues i Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”. Kontributi i tij në fushën e medias dhe informimit në Kosovë ka qenë i jashtëzakonshëm, duke ofruar lajme të besueshme dhe profesionale për publikun e gjerë.

Faton Osmani do të mbahet mend për përkushtimin e tij ndaj gazetarisë së pavarur dhe për rolin e tij në zhvillimin e medias në vend.

Para se të themelonte Agjencinë e Lajmeve “Ekonomia Online”, Osmani ka punuar në disa media vendore dhe ndërkombëtare të shkruara, si dhe televizione ku me punën e tij ka lënë gjurmë në zhvillimin e një gazetarie profesionale.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gazetarit dhe themeluesit të Ekonomia Online, Faton Osmani.

“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Faton Osmanit, themeluesit dhe pronarit të Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online. Me përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, ai ishte zë i fuqishëm në fushën e gazetarisë, duke siguruar informim profesional të saktë, të drejtë dhe të paanshëm.” – ka shkruar ndër të tjera kryetari Abdixhiku.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës në një telegram ngushëllimi, ka thënë se kontributi i Faton Osmanit në fushën e medias dhe informimit ka qenë i jashtëzakonshëm. Përmes punës së tij të palodhshme, ai krijoi një platformë të besueshme dhe profesionale të lajmeve, duke i shërbyer publikut me informacion të saktë dhe të paanshëm.

“Faton Osmani do të mbahet mend për përkushtimin e tij ndaj gazetarisë së pavarur dhe për rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e medias në vend. Ai la gjurmë të pashlyeshme në këtë fushë, jo vetëm si themelues i Ekonomia Online, por edhe përmes angazhimit të tij në media të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Në këtë moment të dhembjes së madhe, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, miqve dhe të gjithë komunitetit të gazetarëve në vend” – thuhet në telegramin e ngushëllimit të PDK-së.

Kryetari Ramush Haradinaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehin ngushëllime për humbjen e gazetarit të njohur dhe themeluesit të ‘Ekonomia Online’, Faton Osmani.

Ata ndajnë dhembjen me familjen Osmani dhe mbarë komunitetin mediatik, duke theksuar vlerat dhe profesionalizmin e tij të çmuar.

Gjithashtu Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij. Humbja e tij është e madhe jo vetëm për të afërmit, por edhe për komunitetin e gazetarëve dhe gjithë shoqërinë, thuhet në telegramin e ngushëllimit të AGK-së.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të mërkurën (12.02.2025) në ora 12.00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me partnerët në koalicion, sot do ta mbajnë tubimin përmbyllës të fushatës, në qytetin e Pejës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me partnerët në koalicion,   mbajnë tubimin përmbyllës të fushatës, në …