Dje në moshën 83 vjeçare është ndarë nga jeta, kirurgu i mirënjohur, ish-doktori i Katedrës së Kirurgjisë, Faik Rexhep Kafexholli. Varrimi bëhet neser në varrezat e fshatit Bellanicë të komunës së Malishevës, në orën 16:30. Për shkak të situatës së pandemisë, pamja do të bëhet, në Prishtinë me rrethin e ngushtë të familjarëve dhe miqve.
Faik Kafexholli u lind në vitin 1937, në fshatin Bellanicë të Malishevës. Ishte djali i Rexhep Kafexhollit, veprimtar, luftëtar nacionalist, të cilin regjimi titist e kishte dënuar 20 vjet burg, për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, në vitet 1941-1948. Burgun e kishte mbajtur në Goli Otok. Faiku shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje e pastaj në Shkup ku një kohë kishte jetuar babai i tij, Rexhepi pas lirimit nga Goli Otoku.
Gjatë shkollimit dhe pastaj në punë ka pasur vështirësi për shkak se ishte pjesëtar i një familje të ndjekur dhe të persekutuar nga regjimi, por me angazhim dhe punë të pandërprerë ai kishte arritur ta kryente me sukses profesionin e mjekut. Ai ka ndihmuar sa e sa familje skamnore, me trajtim mjekësor falas dhe ndihmë në barna. Në vitin 1983 ishte dënuar me 20-vjet burg djali i tij Rifat Kafexholli me një grup veprimtarësh, që kishin kryer aksione kundër regjimit jugosllav, në Prishtinë, në vitet 1981-1983.
Gjatë atyre viteve ka qenë prore i shantazhuar, pavarësisht se ai iu kishte përmbajtur etikës mjekësore dhe nuk kishte bërë dallime te pacientët mbi baza kombëtare.
Ata që e kanë njohur për së afërmi, Faikun, ata që kanë punuar me të dhe ata të cilëve kurrë nuk ua ka ndalur ndihmën, e dinë më së miri punën dhe përkushtimin e tij profesional por edhe human e miqësor. Ishte në mesin e mjekëve më të përkushtuar dhe më meritor në punën e tij deri në vitet e pleqërisë. Ka qenë përkrahës dhe ka ndihmuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë individualisht qoftë përmes organizatave e shoqatave humanitare.
I çiltër për nga natyra, buzagaz dhe kurdoherë paqësor, komunikues dhe i afërt me njerëzit, Faik Kafexholli ka lënë përshtypje të njeriut, mjekut dhe humanistit ndër më të rrallët e kohës sonë. Kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të përkujtohen me dashamirësi dhe kurrë nuk do të harrohen. ( Ahmet Qeriqi)