Vdiq veterani i luftës së UÇK-së, Mehdi Emin Qeriqi

Pas një sëmundje të rëndë dhe të gjatë, në moshën 76-vjeçare ka vdekur veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mehdi Emin Qeriqi. Varrimi i të ndjerit u bë  sot, në orën 15.00, në varrezat e lagjes Qeriqi, në Krojmir.  Në ceremoninë e varrimit morën  pjesë, familjarë të veteranit të ndjerë, kryetari i kuvendit komunal të Lypjanit, Shukri Buja, zëvendës-ministri i Punës, Fatmir Shurdha, anëtarë të Kryesisë së degës së veteranëve të UÇK-së nga Lypjani dhe  bashkëluftëtarë të veteranit të ndjerë.


Veterani, Florent Hoxha,  ka folur për jetën dhe kontributin që i ka dhënë luftës së UÇK-së, Mehdi Emin Qeriqi. Pasi përshëndeti pjesëmarrësit në varrim ai tha: Sot po ndahemi edhe nga një veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga shoku dhe bashkëveprimtari ynë, Mehdi Emin Qeriqi, nga Krojmiri, i cili vdiq pas një sëmundje të rëndë dhe të gjatë.


Mehdiu ka lindur në vitin 1935, në fshatin Krojmir të Drenicës. Ishte djali i mulla Emin Miftarit, një hoxhë i njohur në këto anë për qëndrimin e tij të patundur kundër regjimit okupator jugosllav. Si djalë  i një armiku të Jugosllavisë, Mehdiu, ashtu sikur tërë familja e tij ishte në shënjestër të regjimit dhe të bashkëpunëtorëve të tij.


Në fillim të viteve  ‘90, ai bëhet pjesë e Lëvizjes paqësore, por në të njëjtën kohë zhvillon edhe aktivitet ilegal, në përpjekje për ta fuqizuar lëvizjen e rezistencës aktive. Së bashku me Elez Durmishin, Sylë Qeriqin, Ramiz Qeriqin, Shaban Mustafën  e të tjerë, Mehdiu ka marrë pjesë në lëvizjen ilegale për çlirim dhe bashkim kombëtar.


Që në krijimin e bërthamave të para të luftës së UÇK-së, në këto anë, ai ishte aktivizuar në luftën çlirimtare, ndërsa shtëpia e tij në    Krojmir ishte bërë bazë e fortë për grupin e UÇK-së, i cili veproi fuqishëm në këto anë, në kuadër të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova,  deri në mbarimin e luftës, në qershor të vitit 1999. Edhe pse i moshuar, ai mori pjesë në shumë aktivitete logjistike e luftarake, me besim të patundur në fitore. Qëndrimi i tij u jepte kurajo dhe besim luftëtarëve të lirisë, të cilët kishin një nderim dhe respekt të madh për të.


Mehdi Emin Qeriqi, do të mbetet në kujtesë si një veprimtar, që veproi në kushte dhe rrethana të caktuara, me qëllim për të dhënë një kontribut sado modest në çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë.


Në rrugën e tij jetësore pati përkrahjen e familjes, kushërinjve, miqve dhe atyre, që i njihte dhe e njihnin. Në vitet e fundit të jetës u ballafaqua me një sëmundje të pashërueshme. Ishte i vetëdijshëm se po shuhej, por qëndroi me stoicizëm dhe i paepur deri në rektimën e fundit të shpirtit.


Lavdi veteranit të luftës së UÇK-së, Mehdi Qeriqi!

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …