VELI VELIU: AGRESORI I KOSOVËS S’ MUND TË SHPËRBLEHET PAS LUFTËS SË HUMBUR

Mua si shkrimtar me prejardhje nga Bujanoci, Kosova Lindore, që jetoj gjatë në Prishtinë, i preokupuar vetëm me tema të ndryshme të artit, më shqetëson fort situata jo e mirë politike në vend, sidomos qëndrimi jo i drejtë i bashkësisë ndërkombëtare ndaj shtetit të pavarur të Kosovës! Kohën e fundit gjithnjë e më haptas po përkrahen kërkesat ekstreme ( shkatërruese) të Serbisë për krijimin e bashkësisë së komunave (shumica janë fshatra) të pakicës serbe, me kompetenca ekzekutive për të formuar më vonë një minishtet brenda shtetit tonë, ngjashëm si në republikën e Bosnjës!

Pakica serbe me përqindje shumë të ulët, dikush nga analistët tanë ka dalë me të dhëna 1. 5, e dikush tjetër deri në 3 për qind, është pakica më e privilegjuar jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën sotme! Çfarë shpirtgjerësie nga ana jonë: Njëzet vende të rezervuara vetëm për pakicat në Kuvendin Republikan të Kosovës!!! Për pakicën serbe 10 vende të rezervuara në Kuvend dhe mbrojtje e siguri të veçantë nga shteti ynë, ndërsa me lejimin e formimit të Listës Serbe u bë një lëshim i madh politik, ku përfaqësohen serbët më ekstrem që assesi nuk e duan bashkëjetesën me popullin shqiptar dhe udhëhiqen drejtpërdrejt nga kryetari i shtetit fqinj (agresor) Serbia! Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët që jetojnë në shtetin e ri të Kosovës! Kjo pakicë nacionale me Listën serbe haptas e sulmon rendin kushtetues të Kosovës, me pa dëgjueshmëri qytetare, nuk paguajnë tatimet në pronë, rrymë, ujë, bërllok etj. Ndërsa kur është fjala te përfitimi i të mirave materiale, shpërblehen edhe pa punuar në institucione të ndryshme, (gjashtë vite kam marrë pagë në Komunën e Prishtinës, unë shihesha me serbë vetëm në ditën e nënshkrimit të pagës në fund të muajit), pastaj përveç pagave gëzojnë edhe privilegje të tjera nga buxheti i ( varfër) Republikës së Kosovës! Kjo ndodh kur pakicës shqiptare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë u shkelen haptas të drejtat  elementare dhe assesi ta gëzojnë as qeverisjen lokale ( drejtoritë janë në komunat tjera të Serbisë jugore, si për shembull në qytetin e Vrajës etj.)

Kjo është për t’ u habitur, shqiptarët si popullatë shumicë dhe autoktone në trojet e veta ndaj tyre bëhet pastrimi etnik në heshtje nga pushteti i egër shovinist i Serbisë! Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kohë më parë, i vizitoi edhe  z. Kristofer Hill, ambasador Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është njoftuar për gjendjen shumë të rëndë të shqiptarëve në trojet e veta, por ai është i preokupuar vetëm me pakicën serbe në Kosovë! Presidenti serb A. Vuçiq ishte i paskrupullt edhe me rastin e ndërrimeve të tabelave ilegale të automjeteve të lëshuara nga shteti fqinj Serbisë, të qarkullojnë pa problem në hapësirën e lirë të Kosovë! Ai e përkrahu haptas rebelimin e ekstremëve serbë, sepse ishte kundër zbatimit të ligjit në atë pjesë të Kosovës veriore! Vuçiqi me politikën e tij agresive  kundër Kosovës është nën ndikimin e ekstremistit Sheshel, si nxënës i dikurshëm i tij dhe është kundër vlerave demokratike të shteteve evropiane perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Ai me disa manovra që po bën me anime gjoja perëndimore se është për politikat demokratike, mirëpo herë pas here del rusofil i kulluar, sepse gjoja ka kundërshtarë që e rrezikojnë postin e tij udhëheqës! Ai po vepron si lider serb i pakontestueshëm duke e neutralizuar edhe opozitën, me përpjekjet që ta kthej Kosovën sërish nën robërinë serbe, ashtu siç është përcaktuar përpara si pjesë e saj me kushtetutë! Ndaj Beogradit nga ndërkombëtarët as një kërkesë, as presion serioz për ta njohur shtetin e ri të Kosovës, por as ta heq Kosovën nga kushtetuta e saj! Dëshirat dhe synimet e Serbisë janë me bindur bashkësinë ndërkombëtare se serbët nuk mund të jetojnë me një shtet me shqiptarët dhe nëse vazhdon kjo përkrahje nga perëndimi dhe SHBA- ja serbëve nuk ju mbetet tjetër, pos të shpërngulen në Serbi! E sipas tyre Kosova pa pakicën serbe gjoja nuk do të ekzistojë si shtet. Pra, ekzistenca e pakicës serbe qëllimisht po lidhet me fatin e Listës serbe e cila mendon të funksionojë në hapësirën demokratike të Kosovës me direktivat e A. Vuçiqit! Kjo është absurde sepse Lista serbe me bandën kriminale nuk mendojnë mirë për shtetin e Kosovës. Mënyra si ka vepruar deri tash Lista serbe, jo që është e dëmshme për Kosovën, por është e dëmshme edhe për pakicën serbe, sepse me veprimet e saja antikushtetuese janë stërngopur me probleme. Nuk mundet më Lista serbe të veprojë si fuqi rrënuese e rendit kushtetues në shtetin e Kosovës me direktivat e shtetit fqinj, Serbisë!

Me përmendoret e ngritura të princ Llazarit në qendër të Mitrovicës dhe të mbretit Milutin në qendër të Graqanicës nacionalistët serbë sikur deshën këto figura të urrejtura pas shumë kohe t’ i ngjallin nga vdekja! Kot e kanë nacionalistët serb, nuk mund të marshohet më kundër Republikës demokratike të Kosovës, e shpallur shtet sovran dhe i pavarur dhe e njohur nga shumicë e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara! Polica Kosovës, sidomos Njësia e Policisë Speciale, ka aftësinë e vetëmbrojtjes në territorin e lirë të Kosovës. Beogradi, për fat të keq nuk po kthjellet dhe po gabon rëndë që po e blen kohën me synim që e ardhmja ndoshta do të jetë në favor të saj! Nga incidentet dhe konfliktet janë lodhur shqiptarët, por edhe pjesëtarët e pakicës serbe, e cila është e vetëdijshme se konflikti me shqiptarët nuk ju sjell asnjë të mirë! A. Vuçiq, kryetar i Serbisë, në Beograd e paraqiti në mënyrë jo reale numrin e shqiptarëve dhe kroatëve në vendet fqinje, ndërsa e rriti shumë numrin e serbeve në Serbi, në dëm të pakicave kombëtare! E vërteta është ndryshe, shqiptarët si popull janë kompakt në viset tona në Ballkan dhe me numër jemi më shumë se serbët! Ushtria serbe me kërcënimet e demokratit Vuçiq, e përqendruar rreth kufirit tonë, nuk guxon të ndërhyjë në Kosovë! Ata duhet ta dinë se lufta do të jetë e madhe dhe më s’ do të zhvillohet vetëm në territorin e Kosovës. Lufta do të marrë përmasa më të mëdha, sepse faktori ndërkombëtar nuk do të rrijë fare duarkryq! Beogradi, pas dy dekadave luftës që e humbi, duhet të kuptojë se liria dhe paqja është e mira më njerëzore në këtë hapësirë të përbashkët të Ballkanit problematik! 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …