Veli Veliu: Doli në dritë përmbledhja me poezi për fëmijë, ”Kënga e re” e shkrimtarit të njohur, Behram Hoti

Veli Veliu: Doli në dritë përmbledhja me poezi për fëmijë, ”Kënga e re” e shkrimtarit të njohur, Behram Hoti

(Kënga e re, poezi për fëmijë, botoi Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë 2020)

Përmbledhja me poezi për fëmijë me titull ”Kënga e re” e shkrimtarit të njohur Behram Hoti përfshin krijimet letrare të një periudhe gati gjysmë shekullore! Tonet e ligjërimit poetik shprehen bukur me koloritin dekorativ të natyrës së gjallë fshatare! Temat dhe motivet që trajtohen në këto poezi nga vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, në mënyrë besnike e ruajnë frymën autentike të asaj kohe të përcjella me shënime plotësuese e data, kur janë shkruar më gjuhën para Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë! Dëshira e autorit është të shihet më mirë periudha e hershme e poezisë për fëmijë, pa ndërhyrje e plotësime nga këndvështrimi i botës së sotme!

Oh! Sa bukur! Erdh pranvera

Plot me lule e gjelbërim;

Petk të ri ka veshë livadhi

Na thërret të gjithëve në argëtim!

                                        (Oh, sa bukur)

Vrojtimi realist i jetës aktive shqiptare, sidomos në hapësirë të gjerë të fshatit, e më pak në qytet, lidhet edhe me jetën e autorit në një trevë kryengritëse, siç është Krahina e Drenicës në zemër të Kosovës, e njohur për luftëra të ashpra kundër ushtrive të huaja barbare! Jeta aktive në hapësirën e fshatit, madhështia e maleve hijerënda, ku gjetën strehim më të sigurt luftëtarët e lirisë, me burime e ujëra që derdhen në lugina të buta plot gjelbërim, bota e pasur bimore e shtazore, ujëvarat e zanave e kullat e burrave të dheut, pasqyrohen me ngjyrat tipike të asaj kohe sa të dhimbshme aq edhe krenare të popullit tonë!

Në artin letrar për fëmijë është  domosdoshme ruajtja e frymës së shëndoshë e optimiste, gjë që e ka pasur parasysh poeti ynë Behram Hoti, i cili shkruan kryesisht për të rritur! Në pak poezi paraqitet jeta e rëndë në kohën më të vështirë, ku spikatet jeta e zymtë, për shembull te poezia Kohës së shkume:

Shumë herë kohës së mbështjell me mjerime

Stërgjyshorit veshët ia kanë falë,

E nata e shurdhur këngën e vet s’ e ka ndalë!

Dita ka lind e verbët

Rrugën e vet s’ e ka pa,

E njerëzit n’ ofshama kanë ecë

Kurrë pa ia nda!

Dashuria ndaj vendit të vet dhe për njerëzit e tij spikatet në të gjitha poezitë e këtij libri! Natyra magjepse shqiptare, sidomos në kohën e lulëzimit të vrullshëm, është jashtëzakonisht e bukur dhe e frymëzon poetin të shkruajë vargje për ngjarje e tema të ndryshme edhe kur është në jetën e lirë, por edhe pasi burgoset në burgjet e rënda jugosllave. Kjo është për t’ u befasuar sepse poeti këndon me aq optimizëm edhe brenda burgut për natyrën, jetën e bujkut në fshat, vatrën e ndritur të arsimit dhe dhuratën më të çmuar librin! Elementi edukativ te fëmija nuk mungon, kurse nga emrat veçohet vogëlushi Genti që herët njihet me fenomenet e dukurit e shoqërisë e të natyrës, është karakteristike porosia dhe gjuha e moshës së tyre! Raportet e reja shoqërore në botën bashkëkohore fëmija i njeh duke u rritur, qoftë në hapësirë të fshatit, qoftë të jetës urbane në qytet duke u mbështetët në fakte e të dhëna të reja jetësore!

Autori është aktiv në jetën e përditshme dhe energjia krijuese derdhet në vargje kur këndohet për nënën e hënën, për shkollën e tokën, për diellin e bilbilin, për prillin e detin, për Kosovën e Drenicën për Shqipërinë, e për lirinë! Këto frymëzime në preokupimet e autorit mbështeten në etnopsikologjinë e njerëzve të vendit tonë! Trajtimi objektiv i jetës reale me ngjyrat autoktone e rrisin kureshtjen e fëmijës dhe e zgjerojnë diapazonin e dijes, falë artizimit të ngjarjeve që ndodhin në skenën gjallë të jetës! Motivet e këtyre lirikave janë të kapshme për fëmijët edhe kur u këndon figurave të shquara si heronjve Azem Galicës në poezinë me titull: “Mali i Azemit” dhe “Flamurit” të Fazli Graiçevcit ose poezia me motiv familjar, siç është elegjia për nënën Zymryte Hamza! Pra, në këto poezi shprehet artikulimi modern që është më i afërt me poezinë për të rritur! Mirëpo fëmijët e kohës sonë janë mjaft inteligjent dhe për ta nuk paraqet vështirësi komunikimi edhe kur struktura e vargut është pak më e komplikuar!

Mund të konstatoj se ky libër me poezi e begaton artin tonë për fëmijë me tematikën e larmishme që e  ka trajtuar autori duke i përmbledhur krijimet e kohëve të ndryshme! Mendoj, se poezia për të vegjlit e krijuar më herët, në fillimet e saj, njihet më pak nga lexuesit e kësaj kohe!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …