Ndonëse mendohet se krijimtaria letrare nuk duhet të ndahet në letërsi për të rritur dhe për të vegjlit, prapëseprapë fëmijët janë botë në vete! Në qarqet e shkrimtarëve, sidomos ata që janë përcaktuar të trajtojnë tema të ndryshme nga bota e fëmijëve në këtë kohë diskutimet në këtë frymë janë të rralla, për të mos thënë se mungojnë në Kosovë! Për të depërtuar në shpirtin e fëmijëve duhet të hidhen hapa të rinj me një qasje krejtësisht të re, sepse, sot, edhe bota e fëmijëve është më tjetër, nga ajo që ishte dje! Po nisemi nga kushtet dhe rrethanat shoqërore që kanë ndryshuar dukshëm, por edhe mjetet e lodrat e lojës së fëmijëve janë të tjera duke filluar nga risitë që solli teknika bashkëkohore, televizori me filmat e vizatuar, telefoni celular, video- lojërat e facebook! Më fëmija nga mosha parashkollore nuk preokupohet çka flasin të rriturit mes vete para tyre për problemet e jetës së përditshme! Fëmijët nga mosha e njomë merren vetëm me gjërat që i preokupojnë ata dhe është vështirë t’ ju imponosh diçka që nuk e duan! Prandaj sot është edhe më vështirë t’ i kuptojmë drejt fëmijët sepse në kërkesat e tyre janë të prera, ata janë bij të kohës së re dhe i pranojnë vetëm dhuratat e kohës moderne! Kërkesat e fëmijëve janë të qarta sepse për nga natyra janë më inteligjentë. Ne që u rritëm me kufizimet e kohës njerkë, vuajtëm në varfëri të tmerrshme nën regjimin shtypës serb, e kemi pak më vështirë të pajtohemi çdo herë me të gjitha kërkesat e fëmijëve! Madje (me të drejtë) nganjëherë kemi frikë se këto aparate të komunikimit bashkëkohorë kanë rrezatime dhe mund të dobësohet shëndeti i tyre në fazën më të vrullshme të rritjes!
Të gjithë pajtohemi se fëmija është një qenie delikate me ndjeshmëri të lartë dhe duhet ta trajtojmë sa më mirë, pa ndërhyrje të vrazhda kur bëhemi nervoz për të mos lënduar shpirtin e tij! Kuptohet prindërit për fëmijët e bëjnë më të mirën në shtëpi apo në banesë, edukatori në çerdhe, mësuesi e pedagogu në shkollë dhe shkrimtari me veprat e tij letrare që i marrin në biblotekë! Duke ditur se kemi të bëjmë me një botë individualiste, vetëm sjellja e mirë ata i shpie përpara për t’ i shfrytëzuar të mirat e kësaj kohe! Fëmija nganjëherë di të bëhet i padëgjueshëm dhe arrogant dhe nuk i pranon gjërat që s’ i pëlqejnë në shikim të parë! Më rrallë pajtohet t’ i shtrohet ndikimit të jashtëm nga mjedisi jetësor! Prandaj është shumë e diskutueshme formimi i personalitetit të fëmijës sipas kërkesave tona! Ndonjëherë mendojmë se ndjenja e thellë e dashurisë shprehet me gjuhën e zemrës! Për fëmijën e imagjinojmë një kopsht të lulëzuar hyjnor, ku ndodhin mrekullitë e papara, në të cilën bota bimore është e larmishme dhe ku këndojnë ëmbël të gjitha llojet e shpezëve këngëtarë!
Fëmija vetëm ose me shokë loz në dhomën e lodrave dhe në hapësirë të hapur në oborr, kopsht e fushë të lulëzuar, si dhe në vendet e tjera bregdetare gjatë pushimeve verore në plazhe. Për ta larguar nga lodrat e tij të preferuara fëmija shëtit me prindër më larg fushës së gjerë, ngjitet edhe në shtigjet e blerta të malit për ta shuar etjen në krojet e bardha, ku natyra është e virgjër! Në këto raste prindi duhet të jetë më joshës për fëmijën për ta shkëputur më lehtë nga mjetet e teknikës, të cilat në objekte të mbyllura e pasivizojnë lëvizjen e tij. Fëmija i sotëm edhe me një telefon në dorë, me orë të tëra, është në gjendje të mbyllet në rrethin e ngushtë të vetmisë së tij. Faktorët e natyrës, rruga me gjelbërim anash, uji, era e dielli e freskojnë jo vetëm mendjen e tij, por edhe shpirtin e njomë! Natyra, kur fëmija qëndron më gjatë në hapësirën e saj, shpirtin e bën më etshëm, i stabilizon emocionet dhe i pasuron mendimet! Ballafaqimi me realitetin jetësor e vë në sprovë qëndrueshmërinë e tij në natyrë! Te ai vullneti dhe dëshira rritet për t’ i parë gjëra më mirë nga afërsia! Energjia e humbur ripërtërihet kur mbushen bateritë për udhëtime të reja brenda e jashtë vendit!
Çfarë pamje ka fëmija i kësaj bote të trazuar? Një ëndërrimtar që synon të ketë gjëra të reja në jetë!
Loja e zbavit shpirtin e njomë. Ngadalë ia kthen besimin në vete kur zhgënjehet ndonjëherë sepse të rriturit imponojnë gjëra sipas dëshirave të tyre! Edhe fëmija të ndjekë të njëjtën rrugë nga fshati në qytet; që nga mosha e re të përcaktohet për të njëjtin profesion që e ka prindi! Këngëtari i afirmuar ta bëjë fëmijën këngëtar, si vetë,
Juristi ta bëj djalin avokat, si vetë,
Ekonomisti ta bëjë fëmijën, tregtar, si vetë!
Shkrimtari ta bëjë fëmijën të merret me shkrime, si vetë, etj.
Shtrohet pyetja: Si t’ i ngulitim në mendje fëmijës që rritet shpejt këtë mendim: Forcë më të madhe se vullneti nuk ka në jetë! Etja për lojë me lodra e mjete teknike rritet aty ku dritë e dashurisë është më e fortë.
A e keni vërejtur me kujdes: Fëmija i shikon gjërat që i afrohen, por edhe ka dëshirë ta përzgjedh më të mirën; dhurata që i pëlqen atij, kurse ne, të rriturit habitemi pse fëmija s’ e ka shijen tonë! Prandaj thuhet fëmijët janë një botë në vete!