Në jetën sotme letrare e artistike, kur numri i shkrimtarëve, i të dy gjinive krijuesve, është më i madh se asnjëherë tjetër, poezia shqipe, si akt krijues ende dominon dukshëm në krahasim me gjinitë tjera letrare! Poezia si krijim shpirtëror poetik, nuk kisha me thënë se është frymëzim i çastit, që nënkupton shpejtësinë e formimit të materies së saj! Për nga forma poezia e sotme krijohet kryesisht me varg të lirë, por nuk është braktisur krejtësisht sistemi strofik nga poetët e kësaj kohe! Në çdo dhjetë vjetësh, nga brezi në brez, numri i krijuesve ka shënuar rritje të jashtëzakonshme, prandaj ka pasur më shumë prurje të veprave në gjini të ndryshme letrare, prapëseprapë më shumë shkruhet poezia! Shtrohet pyetja sa kemi poetë cilësorë, veprat e të cilëve kanë një niveli më të lartë artistik e estetik?
Në poezinë tonë, dje dhe sot, kualitet poetik kanë sjellë krijuesit e talentuar dhe krijimet e tyre kanë bërë bum në kohën kur janë botuar veprat e tyre! Edhe në këtë kohë lexohet më shumë poezia bashkëkohore që ka qartësi mendimi, i mora si shembull katër vargje nga poezia e fuqishme kushtuar gjuhës shqipe nga Ismail Kadare:
Kjo gjuhë martire
Lehonë e përjetshme,
Që lindi mes dhembjesh
Art të pavdekshëm!
Në çdo epokë poezia shqipe karakterizohet nga prurjet e reja letrare, ndërsa sa i përket përmbajtjes së krijimit të veprave poetike tematika është e larmishme dhe spikaten ngjyrat e kohës së vet! Poezia e mirë lind nga ndjenjat e thella dhe imagjinata e bujshme! Prandaj kanë thënë se ritmi i saj është melodi e shpirtit! Muzikën e fjalëve të përzgjedhura në fjalorin poetik e dëgjon larg posa përqendrohesh në strukturën e vargut! Fuqia e fjalës së gdhendur poetike qëndron në gjykimin e thellë të fenomeneve të ndryshme shoqërore dhe ato të natyrës së gjallë ku vlon jeta e përditshme! Poeti i talentuar duke bërë portretin e kohës së vet me përqendrim e këmbëngule të vazhdueshme arrin ta zbërthej thelbin e kësaj jete dinamike!
Poetët natyrisht se kanë individualitetin e vet krijues, stilin e veçantë dhe pikëpamje të ndryshme për botën ku jetojnë! Varësisht nga formësimi ideo-artistik dhe orientimi në jetë janë formuar edhe programet poetike! Poetët, e veçmas ata më të mirët, nuk kanë qëndruar indiferent sa i përket ngjarjeve të mëdha shoqërore për çlirim dhe bashkim të trojeve shqiptare, të copëtuara nga ushtritë e shteteve shoviniste ballkanike! Sundimi i huaj shekullor ka bërë që poetët e brumosur me ndjenja atdhetare janë preokupuar më shumë me temën sociale dhe patriotike! Pra, temë dominuese dhe preokupim i përhershëm ishte lufta e shenjtë kundër okupatorit, për liri e pavarësi. Këto dy motive janë trajtuar më shumë në të gjitha kohët nga poetët tanë më shumë për shkak të rrethanave shoqërore e historike. Në zemër të Evropës Kosova, me viset shqiptare përreth, ishte një koloni turpi deri në luftën e fundit çlirimtare! Krijuesit si qenie me ndjeshme njerëzore, nuk u morën vetëm me shkrime, por u futën drejtpërdrejt në politikë, dhe kur plasi lufta e kapën edhe armën në male! Intelektualët u vunë në krye të lëvizjes popullore për ta fituar lirinë! Prandaj krijuesit në kohën e zgjimit kombëtar u dëshmuan si vetëdije më e lartë shoqërore dhe me të drejtë konsiderohen pararojë e popullit të vet!
Poezia tradicionale shqipe, thënë figurativisht trungu i letërsisë edhe në këtë kohë është më e pranishme se vargimi i lirë modern në institucionet arsimore dhe më shumë është studiuar nga ekspertët e letërsisë! Kjo poezi për të gjithë poetët është shkollë e formimit të personalitetit krijues. Ajo dominon dukshëm në jetën e përditshme, nga se ka më shumë hapësirë prezantimi edhe në plan-programet shkollore! Nga lexuesit e kësaj kohe fitohet përshtypja se më e pëlqyeshme është poezia tradicionale sepse gjuha shprehëse e mendimit të qartë komunikon më lehtë dhe kapet shpejt mesazhi i saj! Dallimi mes poezisë bashkëkohore dhe asaj tradicionale qëndron në procedeun krijues dhe në shprehjen figurative. Poezia moderne porosinë e ka më të pakapshme për shkak të shkallës më të lartë të abstraksionit! Kurse poezia e traditës shprehjet poetike, në të shumtën e rasteve, i ka të drejtpërdrejta dhe nuk më pak e lodh lexuesin gjatë leximit! Gjatë kohës së errët, sa ishim nën okupim, shkeleshin e mohoheshin haptas të drejtat tona! Edhe gjenerata ime e viteve të tetëdhjeta, të shekullit të kaluar, kur u afirmova si poet e përjetova dhunën më të egër nga aparati i dhunës shtetërore jugosllave! Poetët për të mos pësuar nga poezia për të rritur është dashur ta errësojnë ligjërimin poetik! Në të shumtën e rasteve kanë përdorur mjetet shprehës abstrakte, simbolet e metaforat e vajtonin me këngë gjendjen e rëndë nën okupim klasik!
Te poezia moderne abstrakte kuptimi i përmbajtjes nuk është i lehtë e as i shpejtë për t’ u kapur si te poezia e traditës! Vargëzimi ose këndimi poetik është i qarkut të mbyllur! Ka raste kur krijuesi ka menduar diçka tjetër nga ajo që është në përmbajtjen e materies dhe nuk është gjendje ta interpretojë si duhet as studiuesi i letërsisë! Për shembull në një ekspozitë figurative në një nga punimet e ekspozuara vizitorët kërkuan ndihmën e autorit në Mitrovicë. Një vijë e zezë ishte në mes të punimit artistik dhe u munduan kot ta zbërthenin çka paraqiste ajo vijë e pjerrët! Autori buzagaz ju përgjigjet: si nuk po e kuptoni, o shqiptarë, Mitrovica e ndarë! Sikur ajo vijë e drejtë të kishte disa elemente të lumit Ibër, shikuesit menjëherë do ta kishin kapur porosinë! Edhe në letërsi ka poezi të pa kapshme ku lexuesi nuk depërton fare në përmbajtjen e saj dhe s’ ka si ta përjetojë shpirtërisht! Një objekt këndimi nëse është mjegulluar shumë nga distanca nuk mund ta dish a është fjala për një pemë, objekt shkolle apo shtëpi private! Ndoshta edhe për këtë arsye kanë thënë autori nuk është mirë ta shpjegojë krijimin poetik, se lexuesi nuk do të pajtohet me të, sepse ta zëmë shkolla nuk mund të jetë pemë e as pema- shtëpi!
Format eksperimentali në poezinë shqipe ndikuan shumë keq te shumica e lexuesve dhe sot pak kemi lexues në mjedisin tonë jetësor! Nga viti në vit u larguan lexuesit prej saj ndoshta edhe pse është mall me bollëk! Po e meta kryesore e kësaj poezie është mungesa e vlerave letrare e artistike!
Sa i përket leximit më mirë qëndrojnë poetët që e kultivojnë poezinë moderne, te e cila dominon qartësia e mendimit! Mjetet shprehëse poetike si simbolet e metaforat janë të kapshme dhe zbërthen pa mund të madh nga lexuesit e të gjitha shtresave shoqërore! Nga poetët e mirë bashkëkohorë për lexueshmeri e kisha veçuar poezinë e Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Agim Vincës, Xhevahir Spahiut etj.