leoni

VELI VELIU

VELI VELIU:  SHQIPTARI NE BURGUN E PUSHTETIT JUGOSLLAV

(Tefik Ramadani- Qarri Në gojë të gjarprit, Botues Nositi, Dardanë, 2021)

Në Jugosllavinë e pushtetit titist, qysh në fillim nga Beogradi u proklamua me pompozitet liria, drejtësia e barazia për të gjitha kombet e kombësitë! Një parajsë tokësore në Ballkan pas fitores mbi fashizmin! Shqiptarët, si popull i tretë pas serbëve dhe kroatëve në federatën Jugosllave, e pësuan më së keqi pas caktimit të kufijve administrativ brenda shtetit, sepse jashtë hapësirës së Kosovës mbeti më shumë se gjysma e tokës shqiptare, njësoj siç ndodhi me Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë në vitin 1912! Për dallim nga ai copëtim i parë nga fuqitë e mëdha të asaj kohe, kufijtë e brendshëm të tetë njësive federale të Jugosllavisë, nuk paraqisnin asnjë pengesë për lëvizjen e popullatës, mallrave etj. Pra, ashtu siç rrethohej Shqipëria nga tokat shqiptare, edhe Kosova më vonë rrethohej nga tokat shqiptare! Shqiptarët që gjatë gjithë kohës ishin pesimist, menjëherë i panë padrejtësitë që u bën në kurrizin e tyre, po ishin të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, ndonëse rezistuan me armë dhe u vranë në vatrat e tokën e vet! Për nga numër ishin popull më i madh se popujt fqinj përreth: maqedonët e malazezët. Me politikën djallëzore të pushtetit jugosllav, populli ynë u çarmatos e përgjak me projekte e skenarë të fshehtë shfarosës para, gjatë dhe pas luftës në emër të ndjekjes së reaksionit etj.

Te shqiptarët pakënaqësia nxori kokë nga fillimi pas formimit të bashkësisë së popujve me prejardhje sllave! Pasi ne, me hilen jugosllave, dështuam me mos pranimin e vendimeve shumë të rëndësishme të Konferencës së Bujanit, dhe Kosova nuk ju bashkua Shqipërisë, shqiptarët ishin popull i vetmuar, edhe pse në veri kishte popullatë hungareze, ata nuk e udhëhiqnin Vojvodinën, kurse në Serbi, në lindje të saj me numër më të madh ishte popullata rumune, por e heshtur krejtësisht! Shqiptarët nuk e patën mbështetjen e askujt dhe për t’ i fituar të drejtat që u takonin u mbështetën vetëm në forcat e veta! Kosova, ku shqiptarët ishin më të organizuar në pikëpamje politike e shoqërore, nuk u pajtuan me vuajtjet dhe padrejtësitë si në mbretërinë serbo- kroate- sllovene! Dhuna e shfrenuar mbi popullin e pambrojtur me rrahje, burgosje e shpërngule njihet si periudhë shumë e rëndë e famëkeqit Aleksandër Rankoviq, deri në vitin 1966! Në mënyrën brutale vazhdoi shtypja edhe disa vite dhe shfrytëzimi kolonial i pasurive tokësore e nëntokësore prej republikave jugosllave me kryeqendër Beogradin, çerdhen e gjarpërinjve helmues!

Besimi në një të ardhme më të mirë e më të ndritur e ushqente shpirtin e liridashësve dhe kurrë nuk u besonin parullave mashtruese se të gjithë kombet e kombësitë e gëzonin të drejtat dhe lirinë në Jugosllavinë e re titiste! Edhe te ata që luhateshin dhe besuan deri diku se një ditë do bëhet mirë dhe për shqiptarët, pak nga pak u shua ai optimizëm se do të jetojnë të lumtur në Jugosllavinë, ku dominonin haptas serbët! Shovinizmi serbomadh herë pas here është frenuar, sepse me kërkesat për më shumë dominim mbi të tjerët, edhe në republikat e veriut te Kroacia e Sllovenia, e rrezikonin ekzistencën e shtetit të ri, ndërsa për shqiptarët gjithnjë mendohej më e keqja për nënshtrim dhe dëbim nga trojet e veta! Edhe kur situata ishte më e qetë, burgoseshin me të madhe liridashësit tanë, vetëm pse i  kërkonin të drejtat e mohuara dhe lirinë që e kishin të tjerët. Pas njëzet vjet shtypje e dhune të egër sistematike në periudhën e Rankoviqit, prapë përgatitjet periudha e errët pas demonstratave të fuqishme studentore të përkrahura prej intelektualeve përparimtarë në vitin 1981, sidomos pasi erdhi në krye të pushtetit krimineli Sllobodan Milosheviq!

Trajtimi i keq dhe jo i barabartë i shqiptarëve, si pakicë nacionale vetvetiu kuptohet, mohim i të drejtave dhe të lirive të një populli! Rinia përparimtare me intelektualët më të guximshëm të përkrahur edhe nga punëtorët në qytete dhe fshatarët nëpër fshatra, i kërkonin të drejtat si popull autokton! Shovinizmi serbomadh u trazua shumë dhe me përkrahjen më të madhe sllavomaqedone dhe të malazezëve burgosën me qindra e mijëra shqiptarë dhe u mbushën të gjitha burgjet e Jugosllavisë!

Nga kjo përpjekje dhe luftë e përhershme brez pas brezi për t’ i fituar të drejtat dhe liritë kërkohej Republika e Kosovës me hatër ose luftë, për t’ u barazuar me popujt e tjerë! Serbomëdhenjtë gjatë tërë kohës, të helmuar me propagandë antishqiptare, edhe në programin për t ‘i kthyer gjoja serbët e shpërngulur nga Kosova, bëhej rikolonizimi i tokave tona! Qëllimi i vetëm për ta ndryshuar strukturën etnike në dëm të vendaseve në Kosovë! Shqiptarët përparimtarë, që në shpirt ishin liridashës të zjarrtë, rezistuan me të madhe duke i dalë zot vendit të vet dhe guximshëm e ngrehnin zërin duke thënë: nëse nga Beogradi nuk pranohej Republika e Kosovës do të këmbëngulim për t’ u bashkuar me Shqipërinë Nënë!

Pas lirimit nga burgjet famëkeqe jugosllave atdhetarët që shpëtuan gjallë e mprehën majën e lapsit për të shkruar për ngjarjet e mëdha të asaj kohe dhe për jetën e tyre, si u keqtrajtuan në burgjet e armikut deri në fund të vuajtjes së dënimit!

Nga të burgosurit politik, si të tjerët, edhe Tefik Ramadani- Qarri, me botimin e librit Në gojën e Gjarprit , kujtime të një ish- të burgosuri politik, e begaton këtë zhanër të veçantë të krijimtarisë publicistike!

Literaturën me temë nga burgu, në mjedisin tonë, sidomos pas çlirimit të Republikës së Kosovës dhe shpalljes shtet të pavarur e sovran, gjithnjë e më shumë ka botime të veprave artiske në gjini të ndryshme, që për tematikë kanë burgjet jugosllave! Nga disa intelektualë kjo literaturë u shikua pak me dyshim se ka nivel pak më të ulët për nga kualiteti dhe s’ mund t’i afrohet krijimtarisë së përgjithshme, gjithnjë sipas këtyre autorëve se kjo na qenka një fushë krejt tjetër e krijimtarisë artistike! Shikuar nga ky prizëm qysh në fillim u paragjykua literatura me temë nga burgu! Mirëpo nuk është ashtu sepse nga të burgosurit politikë kemi shkrimtarë të shquar që krijuan vepra me vlera të larta artistike e estetike në gjini të ndryshme letrare!

Botimi i librit publicistik Në gojë të gjarprit  i Tefik Ramadanit- Qarrit, dhe botimet e ngjashme të autorëve të tjerë, e shoh si një kontribut të ri dhe të çmuar për të hedhur dritë në ato vite të vështira të rezistencës heroike, ku përveç liridashësit, pësonte edhe familja e tij me izolim dhe masa të tjera nga organet e pushtetit jugosllav! Ajo çka është për t’ u theksuar se pasi burgoseshin liridashësit vazhdonin rezistencën kundër dhunës edhe brenda hapësirës së ngushtë të burgut! Realiteti i hidhur i burgut shihet edhe te format e organizmit si kanë gjetur mënyra për të komunikuar fshehtë mes vete në dhoma dhe në kohën e shkurtër kur i kanë nxjerrë gardianët për të shëtitur në oborr dhe herë pas here ia kanë arritur qëllimit të bëjnë greva urie!

Kryesore dhe çka është për ta theksuar në këtë shkrim, të privuarit nga liria nuk u nënshtruan krejtësisht shtypjes edhe në burg! Në çdo kohë qëndresa e përbuzja e armikut ishte brenda e jashtë hapësirës së burgut! Çdo veprim atdhetar ishte i bindshëm dhe me efekt pozitiv te masat e popullit dhe ndikonte në mobilizimin e përgjithshme për të mos e ndalur luftën e rreptë deri në fitore. Pra, kur goditej më fort armiku, ndihej një ngrohtësi dhe dashuri e madhe, sepse kjo bëhej me vetëdije të lartë për çlirimin e vendit tonë nga pushteti okupues jugosllav! Këto përpjekje të mëdha dhe sakrifica për drejtësi dhe liri dhanë fryte më vonë dhe u kurorëzuan me lirinë në Kosovë!

Të vërtetat jetësore më mbresëlënëse në librin e burgut janë ngadhënjimi mbi vuajtjet, mosnënshtrimi nga metodat shtypëse dhe mbështetja te e drejta dhe besimi se një ditë jo të largët do ta mundin armikun më të egër! Populli shqiptar ka dhënë shumë sakrifica duke mos e kursyer as jetën për ta fituar lirinë! Liridashësit, që vdiqën me tortura në burgje,  deri në frymën e fundit ishin të bindur se nëse nuk do ta gëzonin lirinë, gjithsesi pasardhësit do të jetonin në liri në vendin e tyre!

Te udhëheqësit shovinist të pushtet shtypës jugosllav, gjatë tërë kohës shihej një urrejtje çnjerëzore ndaj shqiptarëve, madje fajtorë janë edhe shqiptarët që i shërbyen me besnikëri pushtetit jugosllav, që familjet e të burgosurve të mbyteshin në skamje e vuajtje me dënim kolektiv duke i përjashtuar nga puna dhe fëmijët e tyre duke i penguar në shkollim!

Edhe njëherë po e theksoj në fund se libri i botuar me titull Në gojë të gjarprit i Tefik Ramdanit- Qarrit, është rezultat përjetimit subjektiv të një realiteti objektiv në kohën e ndjekjes së shqiptarit liridashës dhe vuajtjes së tij në burgun jugosllav. Dashuria për vendin e vet e karakterizon rezistencën e fortë kundër çdo padrejtësie që e bënte pushtet i huaj! Mos nënshtrimi para aparatit shtypës të pushtetit të huaj, për ta parë jetën të dhunuar në hapësirën e Kosovës dhe në tokat shqiptare rreth saj, ku jetonin keq shqiptarët me të drejta të cunguara, është trajtuar kryesisht nga këndvështrimi personal. Përshkrimet janë reale, ashtu si e ka parë jetën autori i librit nga fshati i lindjes, Qarri, qyteti i Bujanocit e Gjilanit dhe në mënyrë të veçantë kryeqyteti Prishtina, si dhe vendet e tjetra që ai i sheh për herë të parë dhe kontaktet që i ka pasur me njerëz të shtresave të ndryshme shoqërore! Në vitet më vonë, me kalimin e kohës gjatë dhe pas studimit jashtë Kosovës, e sidomos pasi punësohet në arsimin e mesëm- shkolla e mjekësisë, ku dikur kishte qenë nxënës, përqendrohet në thellësi të raporteve ndërnjerëzore dhe ndërnacionale, ku shqiptarët përparimtarë i kërkojnë të drejtat e plota dhe janë të pakënaqur me mos zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Pra, po e përsëris, libri është rezultat i mbijetesës së shqiptarëve në kushte dhe rrethana të vështira shoqërore, vuajtja dhe përpjekja mbinjerëzore për t’ i kundërshtuat padrejtësitë e atij sistemi  jugosllav, janë trajtuar nga rrafshi e prizma vetjake si i ka parë me sy dhe i ka përjetuar me shpirt një i burgosur politik!

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …