UNË JAM I PARË
Në gjirin e vatrës flaka më mallëngjeu,
Me ngjyrat e forta të flamurit kuqezi!
Zjarrin himnizues e dhuroi Prometheu,
Zemrën e trimit e çoi peshë fjala: liri!
Shtet pas shteti po e njohim botën,
Në çdo vend ka ndonjë fshehtësi!
Me të gjitha forcat e lëvizëm Rrotën,
Me lumenj gjaku shkruam histori!
Në dritën e fjalës forca e mendjes,
deshifron kodin e shenjave në zjarr!
Në djepin e luleve, pas ngarendjes,
Grushtin lart: Këtu, unë jam i parë!
MAJI I LULEKUQEVE
Linda mes luleve valltare në maj,
Dita ishte me diell prej agimit!
Fshatarët e kishin buzën në vaj,
Të kërrusur arave prej mundimit!
Kohë e vështirë sot, po nesër,
A do të trazoheshin në shtëpi!?
Pushteti i huaj ishte më i egër,
Shpërnguleshin natën në Turqi!
Tronditja e fortë ndodhi lart,
Përbindëshat i qëruan hesapet!
Kacafytjet deri në mesnatë
Dhe dhuna në popull ndalet!
Jeta fshatare pak më e qetë
Për djemtë gëzoheshin fort!
Rrugën e re e kërkova vetë
Duke u endur lart e poshtë!
Më gëzon lulëzimi i pranverës,
Njeri me shpirtin më paqësor!
Këndoj me zemër gjatë jetës,
Për bukuritë e djepit arbëror!
SHQIPËRIA ZONJË
Vdekja shumë e fshehtë,
E pamë pas tërmeti!
Na mori shumë jetë
Në atë zonë bregdeti!
Vetëm pas tërmeti,
Nga dridhja e fortë,
U shkund tërë shteti;
Vdekje, plagë e lot!
Politikanët heshtën,
Nuk ka më grindje!
E frenuan veten,
Mbytur në dhimbje!
Shkatërrim i plotë,
Godinat e reja ranë!
Ah! Goditje e fortë
U ndie në çdo anë!
Ja shpirtgjerësia,
Me këtë solidaritet!
Krenare Shqipëria
E merr veten shpejt!
Sytë nuk i mbyllim,
Vite janë muajt!
Kufijtë s’ i përfillim,
I caktuan të huajt!
Prishtinë, lagjja Mati
28 Nëntor 2019