Gazetari Lirim Mehmetaj, ka publikuar vendimin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes së cilit sivjet Kooperativës Bujqësore “Krusha” të Fahrije Hotit, iu kishte refuzuar përkrahja për blerjen e linjave të makinerive për përpunimin dhe konservimin e perimeve. E njëjta Ministri, grant në vlerë prej 100 mijë euro i ka dhënë Blerim Pacollit, vëllaut të deputetes së Vetëvendosjes Fitore Pacollit, për ndërtimin e një stalle. Në vendimin e publikuar që mban datën 1 korrik 2024, thuhet se refuzohet mbështetja financiare për Hotin, sepse nuk i plotëson kushtet siç përcakton Udhëzimi Administrativ për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2023. Ajo aplikoi me kompaninë e saj të suksesshme dhe të dëshmuar, kurse vëllai i deputetes Pacolli kishte aplikuar pa pasur firmë fare. Derisa atë pushteti e njofton me 14 qershor që ka fituar grantin, Farije Hotit i shkon njoftimi me 1 korrik, se i është refuzuar kërkesa. Kriminalitet të tillë, poshtërsi të këtij lloji, perversitet kësi fare, unë kurrë s’kam parë”, ka shkruar Mehmetaj, dhe ka publikuar dy vendimet.
