Vendi ku po i zgjidhin problemet vreshtarët dhe verëtarët

Tani e tutje verëtarët e Rahovecit nuk kanë nevojë të presin gjatë për t’i kryer shërbimet administrative. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ngritur një departament të veçantë në këtë qytezë, i cili merret ekskluzivisht me çështje që ndërlidhen me vreshtarinë dhe vertarinë. Drejtori i Departamentit të  Vreshtarisë dhe Verëtarisë, Bekim Hoxha thotë se në këtë mënyrë janë më afër fermerëve. “Jo rastësisht lokacioni gjendet në Rahovec dhe jemi shumë afër prodhuesve, përpunuesve, vertarëve dhe vreshtarëve, të cilët kanë nevojë për një shërbim të shpejtë dhe efikas. Departamenti i Vreshtarisë dhe Vertarisë është i strukturuar në bazë të mandatit që e ka, në katër divizione. Divizioni i vreshtarisë, divizioni i vertarisë, divizioni për paralajmërimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve të hershëm dhe divizioni i laboratorit”, thotë Bekim Hoxha, drejtor i këtij departamenti. Divizionin e Vreshtarisë në këtë departament e udhëheq Nesim Morina. Ky divizion menaxhon të gjitha vreshtat në Kosovë. “Divizioni i vreshtarisë merret me menaxhimin e të gjitha vreshtave në Kosovë, njëkohësisht bënë menaxhimin e kadastrit të vreshtave. Evidenton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet në regjistrat e vreshtave. Ne në kuadër të divizionit ofrojnë një varg shërbimesh për fermerët vreshtarë. Lëshojmë më shumë se 4 mijë certifikata për çështje të ndryshme që ju duhen vreshtarëve, duke filluar nga grandet, subvencionet, për çështjen e hipotekave dhe për nevojat e tyre që i kanë vreshtarët”, bënë të ditur Morina. Ndërsa, Divizioni i Verëtarisë në këtë departament udhëhiqet nga Ylber Kuçi. Një prej punëve kryesore të këtij divizioni është që në treg të plasohen vetëm verërat cilësore. “Një shtyllë e veçantë e sistemit tonë ka të bëjë me administrimin e sistemit ku ne këtu i integrojmë të gjitha ndryshimet e fundit që ndodhin dhe që miratohen nga bashkimi evropian, sepse praktikat tona edhe vet tregu i verës është i orientuar nga Bashkimi Evropian, prandaj jemi detyruar që t’i kemi këto përmirësime dhe t’i bëjmë përditësimin e tyre”, thotë Kuçi. Departamenti përkujdeset edhe për vreshtat e fermerëve, që ato mos të dëmtohen qoftë nga ndonjë sëmundje, qoftë nga ndonjë gjë tjetër. Ata kanë instaluar një sistem,  i cili ju jep informacione të shpejta e të sakta për gjendjen në vreshta. “Ne nëpërmjet këtij sistemi japim informata të shpejta dhe të sakta për mikroklimën në vreshta, sepse i kemi pajisjet e montuara në vreshta, pastaj na jep informata për kohën se kur paraqitet dëmtuesi ose sëmundja në vreshta. Kohën dhe intensitetin e saj. Në bazë të këtyre, ky sistem na jep mundësi që të bëjmë përgatitjen se çfarë masa duhet të ndërmerr  fermeri, preventive apo kurative”, thotë Sylejman Bala, punonjës i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë. Ky sistem sipas Balajt mund të ulë koston e prodhimit diku për 20 për qind. Pjesë e departamentit është edhe laboratori, ku me shumë kujdes kontrollohet standardi i verërave. Ky laborator i testimit të verës është i akredituar në bazë të standardit 17025 që nga viti 2014. Përndryshe në laborator bëhet testimi i verërave, si për eksport  ashtu edhe për import. “Në laborator vinë mostrat, shifrohen dhe në laborator më pas testohet vera. Në bazë të parametrave fiziko-kimik të verës, lëshohet certifikata për eksport ose import të verës”, bënë të ditur Selami Vuçitërrna, menaxher i laboratorit. Departamenti ka ndërtuar edhe një serrë, në të cilën ruhen klone të ndryshe të rrushit. Nga këto klone më pas u jepen sugjerime fermerëve se çfarë lloje të rrushit të mbillen. Ky departament gjithashtu është duke e ndërtuar një bodrum, ku do të testohen këto klone. “Do të jetë bodrumi për testimin e kloneve, të cilat do të prodhohen, do të testohen dhe pas këtij testimi do të jepen rekomandime për klone të caktuara me parametrat, të cilat janë paraparë në varietetet të cilat do t’i kultivojmë dhe që realisht janë në kultivim e sipër. Ky laborator i enologjisë, gjegjësisht i mikroverifikimit do të shërbejë për eksperimente të ndryshme, do të jetë në shërbim të fermerëve, përpunuesve, mirëpo mbi të gjitha do të jetë në shërbim të sektorit të verëtarisë ku do të testohen të gjitha çështjet sa i përket enologjisë”, thotë Bekim Hoxha, drejtor i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë. E nga ky bodrum do të dalin edhe verërat më cilësore që drejtuesit e institucioneve kosovare do t’i shpërndajnë ato si dhurata.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

12 biznese të reja (START UP) marrin përkrahje konkrete nga buxheti i Komunës së Rahovecit

Përmes Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm të Komunës së Rahovecit dhe sipas kritereve të …