leoni

Behxhet Shala

Veprimtaria, angazhimi dhe aktiviteti i KMDLNj-së në Kosovë, meriton jo vetëm kujdes e mbështetje, por edhe mirënjohjen më të lartë shtetërore

Pa  punën dhe angazhimin jetësor të veprimtarit, Behxhet Shala, nuk do ta kishim KMLDNJ-në, një institucion me rëndësi kombëtare e shoqërore  sikur  e kemi sot. Te ne,  rrallë ka ndodhur e po ndodh që Institucioni ta ketë në krye njeriun që e meriton, përveç në raste të caktuara.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ka një histori sa të begatshme, po aq edhe të rëndësishme për Kosovën në afër 35 vitet e fundit të jetës shoqërore e kombëtare në vendin tonë

 Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut,  me seli në Prishtinë është organizata e parë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse e formuar në Kosovë. KMDLNJ është formuar më 14 dhjetor 1989 nga një grup i veprimtarëve për të drejtat e njeriut, të cilët flisnin në emër të atyre që u ishte mohuar çdo e drejtë dhe u shkeleshin të drejtat elementare të njeriut. KMDLNj paraqet një organizim heterogjen për nga struktura intelektuale dhe nacionale. KMDLNJ është OJQ (organizata joqeveritare) e parë në Kosovë si dhe është një organizatë jopolitike dhe jofitimprurëse, ku selia e saj është në Prishtinë. Po ashtu, KMDLNj ka edhe anëtarë nderi nga shtetet e ndryshme të Evropës dhe nga SHBA të cilët e përfaqësojnë KMDLNj-në në situata të caktuara. Adem Demaçi, fitues i çmimit Saharov, ishte kryetar nderi i KMDLNj-së. KMDLNj është anëtar i Federatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut  me seli në Paris dhe anëtar i Rrjetit Ballkanik për të Drejtat e Njeriut (saktësisht Komitetit Drejtues të këtij rrjeti). KMDLNj është po ashtu anëtar i Shoqatës së Popujve të Rrezikuar në Gottingen (Gjermani).

KMDLNj dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut dhe denoncon kryerësit e këtyre shkeljeve duke e informuar opinionin me anë të raporteve, komunikatave, publikimeve, konferencave për shtyp etj. KMDLNj publikon informata, raporte , periodike dhe vjetore. Po ashtu publikon edhe “Buletinin”, kur të sigurohen mjete, në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe. KMDLNj ka publikuar edhe librat: “Të drejtat e mia” I, II dhe III dhe “Të drejtat e njeriut”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut“, “Çështja Dita“, “Të drejtat e pakicave“, “ Monografia e Krimeve të Luftës 1998 – 1999 “ etj. KMDLNj ka qenë organizata e parë joqeveritare nga Kosova që ka vendosur bashkëpunim me Tribunalin e Hagës dhe që i ka dorëzuar fletëdenoncim penal kundër udhëheqësve jugosllavë të dyshuar për krime lufte në Kosovë. Ndriçimin e fatit të personave që konsiderohen si të zhdukur është njëri ndër prioritetet e KMDLNj. Intervistimi i refugjatëve të kthyer , azilkërkuesve dhe personave të zhvendosur është angazhim i mëtutjeshëm i Këshillit. Kthimi i personave të zhvendosur brenda vendit është një ndër aktivitetet kryesore të Këshillit, sidomos pas përfundimit të luftës. Mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe integrimi i tyre në shoqëri, deenklavizimi janë angazhime afatgjate strategjike të KMDLNj. KMDLNj merret edhe me edukimin për të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst ka organizuar trajnime për të drejtat e njeriut për pjesëtarët e FSK-së dhe të PK-së. KMDLNj ka bërë monitorimin e zgjedhjeve lokale e të përgjithshme, monitorimin e proceseve gjyqësore, qendrave të ndalimit, të paraburgimit, burgjeve hetuese dhe shtëpive korrektuese si dhe institucioneve të tjera të dala nga zgjedhjet. KMDLNj ,organizon tryeza të rrumbullakëta, debate, seminare etj. që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Në kuadër të KMDLNj-së funksionon shërbimi i telefonit SOS për shërbime juridike falas. KMDLNj që nga viti 2000, për trembëdhjetë vite me radhë e organizon Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Një Botë“. KMDLNj ka qenë organizatë kryesore që i ka monitoruar zgjedhjet që janë organizuar në Kosovë – 2 palë zgjedhje lokale dhe 2 palë zgjedhje të përgjithshme.

Ky këshill, një kohë  para, gjatë  dhe pas luftës çlirimtare e fitimtare  të UÇK-së udhëhiqet nga veprimtari, intelektuali, i burgosuri politik gjatë regjimeve pushtuese të ish-RSFJ-së, Behxhet Shala-Bajgora, jeta dhe aktiviteti i të cilit lidhet ngushtë me këtë Organizatë, që ka një histori autentike të qëndresës e mbijetesës si asnjë institucion tjetër, si për nga aktiviteti e veprimtaria e para luftës, nën okupimin serb, po ashtu edhe gjatë luftës, e sidomos pas luftës e  deri në  ditët tona.

Rrallë ka ndodhur e ndodh që një veprimtar i caktuar, sikur Behxhet Shala, (në rastin të cilin e kam marrë në shqyrtim, pa dijen dhe pëlqimin e tij paraprak, sepse nuk e praktikoj atë metodë) të ketë manifestuar një kredo tipike dhe unike të qëndresës individuale dhe shoqërore, duke mbështetur  me tërë qenien, dijen, aftësitë, profesionalizmin, përkushtimin  për të drejtat e njeriut, për të drejtat kombëtare e shoqërore, duke mos u përkulur   kurrë para padrejtësive dhe duke vepruar pa asnjë kompromis në dobi të çështjes së çlirimit, në dobi të kombit e atdheut. Në rastin konkret  kemi të bëjmë me një idealist, ademdemaçian, një bashkëveprimtar besnik i Bacës së Madh, të cilit prej kohës kur ishin bashkë në burg nuk iu nda kurrë, dhe rrugën e të cilit po e ndjek me besnikëri  si askush tjetër në Kosovë.

Ka edhe dinjitarë të tjerë, pasues të Shkollës idealiste të Adem Demaçit, në Kosovë e më gjerë,  por Behxheti  shkëlqen, jo duke rrahur gjoks për të, jo duke përdorur Ombrellën e tij për të mbuluar të ligat, sikur bëjnë disa,  jo duke pretenduar të tregohet se ai është i dyti, i pazëvendësueshmi,   sikur pretendojnë disa nga “komuniteti i ish të burgosurve, veçmas nga kryesia e SHBP-së” (që edhe 25 vjet pas çlirimit të Kosovës nga okupimi serb, vetëquhen ish të burgosur, dhe jo veteranë të Lëvizjes Kombëtare) jo duke mbajtur ligjërata se sa fortë e kishte dashur Baca atë dhe ai Bacën, jo duke e përdorur emrin e tij për të treguar meritat e veta, por këtë Behxheti e bën duke e treguar me vepër ndjekjen besnike të rrugës së Bacës, për çdo ditë, për çdo javë, për çdo muaj, për çdo vit e nga viti në vit deri në këtë vitin 2023 e me siguri edhe në të ardhmen.

I jap vetes të drejtë ta lavdëroj Behxhetin, sepse e kam përcjellë vazhdimisht aktivitetin e tij, shkrimet, analizat, komentet, të cilave u kemi bërë dhe iu bëjmë vend në faqen zyrtare të Radios-Kosova e Lirë, sepse në shumicën e qëndrimeve jemi në të njëjtat valë, andaj edhe ka çka shkruhet e çka thuhet për Behxhet Shalën, në pozitë  të drejtuesit të KMDLNJ-së por edhe intelektual i pavarur nga politika, i cili me kohë  ka qëndruar e qëndron vertikalisht, sepse vetëm me qëndrimin vertikal, njihet burrëria, besa, mirësia, trimëria, sakrifica në dobi të së mirës, familjes, të afërmve, përgjithësisht në dobi të kombit e atdheut e pse jo  edhe të mbarë shoqërisë

Behxhet Shala ka natyrën e shqiptarit intelektual e qëndrestar, karakterin e fortë, temperamentin e malësorit  shqiptar të shkolluar dhe të emancipuar, në kushte dhe rrethana të kohës e hapësirës historike. Ai mbanë   “shpatën” kurdoherë të prehur për të goditur ligësitë, tradhtitë, prapësitë, shtirjet, gënjeshtrat, fodullëkun, hajnitë e super hajnave nga radhët e politikanëve mujsharë, që me letra e dokumente janë “okej”, për të tjerat nuk e çajnë kokën, sepse është regjimi, ai i cili i krijon, këta pastaj i  shërbejnë.

Duke qëndruar në krye të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtat dhe Lirive e Njeriut, Behxhet Shala, si askush tjetër i ka shërbyer këtij INSTITUCIONI, duke e kuptuar me kohë se të merresh me të drejtat e liritë e njeriut, duhet të jesh vetë njeri në kuptimin e fjalës, duhet të jesh i drejtë dhe i paanshëm, duhet të jesh luftëtar që godet, por edhe që e pranon goditjen, duhet të kesh tolerancën maksimale njerëzore, njësoj ndaj të gjithëve pa bërë dallime racore, kombëtare, fetare, gjinore e të tjera.

Behxheti me aq sa e njoh unë, kryesisht nga shkrimet e qëndrimet e tij në kohën dhe hapësirën e tij individuale e shoqërore, i ka përmbushur këto dhe kritere të tjera, pa të cilat nuk do të ishte ky që është dhe në krye të Institucionit të cilin e përfaqëson me dinjitet, aftësi, zotësi dhe përkushtim.

Andaj shprehja e gjykimeve të mia për Behxhetin, më shumë se personale, është reale, është e faktuar, e dëshmuar me vite e decenie, është veprimtaria e tij jetësore që flet vet, është vetë e vërteta dhe realiteti që mund të mos pranohet nga çdo  kush, por   nuk mund të injorohet nga askush.

Pse të mos shkruhet për së gjalli për intelektualë e veprimtarë të kalibrit të tij?

Pse të mos ekspozohet merita  edhe sa është gjallë, por të pritet të shuhet e pastaj të thuhen ato që zakonisht thuhet për ata që ndahen nga jeta, tekefundit kjo vlen për të gjithë vdekatarët e racës njerëzore.

Baca i Madh nuk i duronte lavdet, sepse e dinte se pas disa lavdeve fshihet hipokrizia, mund të fshihet edhe një qëllim i caktuar, andaj edhe e përmendte shpesh maksimën e njohur: “Burrit për së gjalli mos ia këndo këngën, sepse mjaftojnë tri ditët e fundit të jetës, për ta prishur biografinë”. Pavarësisht nga kjo, kam qenë dhe mbetem i bindur se idealistët e vërtetë, ata që kanë ADN idealiste, as e kanë prishur as do ta prishin kurrë biografinë, përkundrazi gjatë tërë jetës e deri në vdekje e begatojnë atë, sepse është pikërisht idealizmi që i mbanë në jetë, është vertebra, është qëllimi i vetë jetës së tyre…

Ahmet Qeriqi

14 tetor 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …