( Ibrahim Gashi, Rashit Plakiqi, Muharrem Alushani…) II
- Organizata kombëtare e Ibrahim Gashit nga Llapushniku
Nën ndikimin e Rifat Berishës, një autoritet ushtarak e politik i njohur i kohës, që nga vitet e pas Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1951 kishte vepruar në platformë të çlirimit të Kosovës dhe bashkimit me Shqipërisë edhe grupi nacionalist i Ibrahim Gashit nga Llapushniku, në të cilin bënin pjesë Rashit Plakiqi, nga Nekovci, Ukë Plakiqi nga Nekovci, Hazir Latifi nga Kizhareka, Muharrem Alushani nga Komarani, Dervish Berisha, i fshatit Berishë, Shaqir Mani i Carrallukës, Zenë Gashi i Prapashticës, e të tjerë të cilit nuk ishin pajtuar me rikthimin e regjimit serb në Kosovë, që kishte anuluar Rezolutën e Konferencës së Bujanit të vitit 1943- 1944, e cila parashihte që Kosova pas luftës Antifashiste, mbështetur mbi parimin e Vetëvendosjes së kombeve t’ i bashkohej Shqipërisë. Konferencën e Prizrenit të 10 korrikut të vitit 1945, Jugosllavia kishte vendosur që Kosova të mbetej nën Republikën e Serbisë dhe të RSFJ-së.
Çarja e madhe që ndodhi asokohe bëri që Rifat Berisha edhe pse i gjendur përballë kërcënimit kishte nënshkruar deklaratën, bashkë me Fadil Hoxhën e dhjetëra shqiptarë të tjerë, përveç Ramiz Cërnicës, i cili nuk ishte pajtuar me të. Më vonë Rifat Berisha kishte dalë hapur kundër atij vendimi. Duke qenë në lidhje shoqërore e miqësore, me Ibrahim Gashin, Rashit Plakiqin e të tjerë kishin bashkëpunuar me autoritetet e kohës dhe me grupet ilegale, të cilat nuk ishin pajtuar me mbetjen e Kosovës nën Serbi, por ishin angazhuar në çlirimin e saj dhe bashkimin me Shqipërinë.
Asokohe, Organizata e cila kishte pasur shtrirje në të gjitha trojet e mbetura nën Jugosllavi, Lëvizja Nacional Demokratike shqiptare, në krye me Ymer Berishën, Hysen Tërpezën, Ajet Gërgurin, Gjon Serreçin, kishte organizuar komitetet e rretheve dhe kishte bërë thirrje për rezistencë në nivel kombëtar kundër regjimit të Titos e Rankoviqit.
Në këtë pjesë të Drenicës, në atë kohë vepronte edhe atdhetari, Arif Shala i njohur si Hoxhë Avdia, nga fshati Sankovc, i cili mbante lidhje me partizanët shqiptarë të krahut kombëtar dhe me NDSH-në, me qëllim për unifikimin e qëndrimeve për të krijuar një forcë të vetme të rezistencës. Ai përmes dy bashkëpunëtorëve besnikë: Izet Murati dhe Sokol Brahimi e të njohurve të tjerë, kishte siguruar edhe terrenin për mbajtjen e Kongresit të Pestë të NDSH-së, në Lypovicë, ku kanë marrë pjesë edhe shumë atdhetarë nga kjo pjesë e Drenicës. Përveç kësaj kishte qenë edhe koordinatori kryesor i sistemimit të grupeve nga shumë vende të Kosovës, që cilat depërtonin në Lypovicë nën vëzhgim të agjentëve të OZN-së, në mesin e së cilët kishte edhe shqiptarë, nga radhët e atyre që kishin mbështetur regjimin komunist jugosllav të kohës.
Nuk ka shënime të botuara lidhur me pjesëmarrjen e të gjithë luftëtarëve në Kongresin e Lypovicës, por fakti se këta atdhetarë njiheshin mirë dhe bashkëvepronin me Arif Shalën dhe bashkëveprimtarët e tij, lë për të besuar se shumë prej tyre kishin marrë pjesë në atë Kongres. Lista e plotë e pjesëmarrësve të atij Kongresi, edhe sot e kësaj dite mungon. Autori i këtij shkrimi, duke u mbështetur në të dhëna të shkruara dhe ato gojore nga pjesëmarrësit në Kongres, në fillim të viteve 90-të, ka evidentuar rreth 140 pjesëmarrës, por me të drejtë mund të konstatohet se numri i pjesëmarrësve kishte qenë shumë më i madh, sidomos me pjesëtarë të fshatrave të Drenicës jugore.
Prej kohës kur është mbajtur “Kongresi i Lipovicës” më 25 korrik të vitit 1946 e deri në dhjetor të vitit 1949, regjimi jugosllav i kohës ka burgosur mijëra atdhetarë, ka dënuar me gjyq e pa gjyq, ka pushkatuar mijëra prej tyre, qindra të tjerë janë dënuar fillimisht me vdekje pushkatim, sikur është edhe rasti i Rashit Plakiqit me bashkëveprimtarë pastaj dënimet janë kthyer me 20 vjet burg. Mijëra të tjerë janë dënuar prej një, pesë e deri në 20 vjet burg.
Në 24 dhjetor të vitit 1949 ka rënë në pritë, në Petrovë të Shtimes, Sali Rexhë Ribari me çetën e tij dhe natën e 10 e 11 tetorit të vitit 1951 kanë rënë në pritë të UDB-së dhe janë likuiduar, luftëtarët e fundit të NDSH-së në Kosovë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me bashkëshorten e tij Rabijen, e cila ishte shtatzënë, si dhe Agush Mehmeti me bashkëshorten, Qibrie Misin Alidema. UDB-ja me kohë kishte futur disa agjentë në mesin e grupit dhe ata gjatë rrugëtimit për të shkuar në Shqipëri i drejtuan në vendin e caktuar ku kishte zënë pritë Milicia e UDB-së dhe ku i kishte likuiduar të pestit. Agjentët ishin paraqitur si njerëz të cilët gjoja do të ndihmonin Mustafë Kokën dhe Hasan Remnikun për të kaluar kufirin dhe për të hyrë në Shqipëri. Rrugëtimi për të kaluar kufirin besohet se ka filluar me 6 tetor 1951 për ta përfunduar në mes të natës së 10 e 11 tetorit në Pritën te kalimi i lumit Bistricë mbi Prizren.
Po atë vit, në Kosovë janë zbuluar dhe janë ndëshkuar me dënime drakonike edhe shumë grupe atdhetarësh në mesin e tyre edhe grupe që ishin trajtuar si “informbyroistë”, në kohën kur Jugosllavia e Titos, më 28 qershor të vitit 1948 kishte shpallur deklaratën kundër Informbyrosë, kishte prishur marrëdhëniet me Shqipërinë e më pas edhe me Bashkimin sovjetik.
Duke përshkruar atë situatë të rëndë që mbretëronte në vend, veprimtari e studiuesi, Meriman Braha në librin e tij, “Goli Otoku…” shkruan: “Kudo kërkohej dhe hetohej për armiqtë e brendshëm, armiqtë e kamufluar dhe kjo nga bujku e fshatari e deri te gjenerali, nga punëtori fizik e deri te anëtari i Komitetit Qendror të partisë. Dhe pa dyshim një gjendje të tillë, paniku do të shtonte shumëfish numrin e armiqve. Mbi këtë bazë ndërmarrjesh të veprimeve gjoja parandaluese, organet jugosllave i kishin mbushur anekënd Jugosllavisë. Po jo të gjithë kishin përfunduar në një qendër, sepse asnjë qendër e llogoreve koncentruese nuk ishte aq e madhe sa t’ i përmblidhte të gjithë armiqtë në një strehë”.
Duke qenë nën presion të Stalinit i cili ishte në krye të Bashkimit Sovjetik dhe nga frika për një kryengritje të përgjithshme kundër daljes së Jugosllavisë nga Kampi socialist, Tito dhe Rankoviqi kishin dënuar grupe të shumta të kundërshtarëve të regjimit, kudo në Jugosllavi por veçmas në Kosovë, duke i etiketuar si forca pro ruse e pro enveriste, me qëllim për të marrë përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia e shtetet e perëndimore.
Të gjitha këto grupe, në Kosovë ishin dënuar për bashkëpunim me shërbimin sekret të Shqipërisë. Realisht prej vitit 1945 e në vazhdim, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë e Jugosllavisë në vitin 1948, e veçmas gjatë dhe pas periudhës së infrombyrosë, shumë shqiptarë liridashës shpëtimin nga gjendja e rëndë në regjimin e Titos e shihnin në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sidomos me rastin e prishjes së marrëdhënieve të RSFJ-së me Bashkimin Sovjetik. Asokohe, Rifat Berisha politikani numër dy në Kosovë, pas Fadil Hoxhës, mbante kontakte të fshehta me struktura të caktuara të Shërbimit Sekret të Shqipërisë dhe bënte përpjekje ta shfrytëzonte momentin historik në raportet e acaruara mes Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik për të bërë kthesë në ardhmërinë e Kosovës. Po si do të kuptohet më vonë, ai nuk kishte arritur të ndikonte aq shumë, në kreun komunist të Kosovës, i cili ishte në vëzhgim të agjentëve të Titos e të Rankoviqit.
Në këtë mes në vitin 1951 ishte dënuar edhe grupi i Ibrahim Gashit, Rashit Plakiqit dhe 6 shqiptarëve të tjerë të akuzuar si agjentë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët ishin bashkuar dhe kishin vepruar me qëllim për rrënimin e rendit kushtetues të Jugosllavisë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Aktvendimi për dënimin me burg të tetë të akuzuarve, K. 158/52, i gjykatës së Qarkut në Prishtinë si shkallë e parë, nga kryetari i Trupit gjykues, Millutin Gjukiq, porotnikët, Ejup Ismajli dhe Brahim Rama, në lëndën penale kundër Ibrahim Gashit nga Llapushniku, Rashit Plakiqit dhe Ukë Plakiqit nga Nekovci, Hazir Latifit nga Kizhareka, Muharrem Alushanit nga Komarani, Dervish Berishës, i fshatit Berishë, Shaqir Manit të Carrallukësdhe Zenë Gashit të Prapashticës, kishte ngritur aktgjykimin nga neni 103 dhe 105 i ligjit penal të RSFJ-së. Në aktvendim thuhej se tetë të pandehurit nga ndjenjat e tyre armiqësore kundër rendit dhe shtetit të Jugosllavisë Socialiste dhe me qëllim të ndihmës së ofruar armiqve të Jugosllavisë, kanë vepruar me armiq të arratisur, si: Aziz Zhilivoda, Shaban Haxhia, Halit, Bajram dhe Jahir Berisha, të cilët, sipas akuzës e kishin tradhtuar atdheun (Jugosllavinë) dhe ishin vënë në shërbim të regjimit sekret të Shqipërisë. Ata sipas porosive kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me qëllim për kryerjen e veprave penale, duke marrë dhe duke dhënë informata, ndërsa të akuzuarit u kanë ndihmuar duke i strehuar, dhe duke iu afruar të dhëna jo të sakta dhe të besueshme të karakterit ushtarak dhe ekonomik.
Për vepra të tilla, që konsideroheshin vepra penale kundër rendit shoqëror dhe RSFJ-së ishin dënuar:
I akuzuari, Ibrahim Gashi nga Llapushniku, dënim me vdekje, pushkatim si dënim kryesor dhe humbje për jetë të të drejtave qytetare, si dënim rëndues të dorës së dytë.
I akuzuari, Rashit Plakiqi nga Nekovci dënim me vdekje, pushkatim si dënim kryesor dhe humbje për jetë të të drejtave qytetare, si dënim rëndues të dorës së dytë.
I akuzuari, Ukë Plakiqi dënim me vdekje, pushkatim si dënim kryesor dhe humbje për jetë të të drejtave qytetare, si dënim rëndues të dorës së dytë.
I akuzuari, Hazir Latifi dënim me vdekje, pushkatim si dënim kryesor dhe humbje për jetë të të drejtave qytetare, si dënim rëndues të dorës së dytë.
I akuzuari, Muharrem Alushani, dënim 20 vjet me burg të rëndë dhe humbje për jetë të drejtave qytetare.
I akuzuari, Dervish Berisha, dënim 15 vjet burg të rëndë si dhe humbje të të drejtave qytetare për tri vjet.
I akuzuari, Shaqir Mani, me dënim 6 vjet burg si dënim kryesor dhe një vit humbje të të drejtave qytetare.
I akuzuari, Zejnë Gashi, 2 vjet burg si dënim kryesor.
Këto dënime drakonike kundër shqiptarëve kishin për qëllim të frikësonin shqiptarët e Kosovës, që në asnjë mënyrë të mos vepronin, por as të mendonin për Shqipërinë, apo bashkimin me të.
Veprat të cilat regjimi i konsideronte kriminale ishin ose të montuara, ose të propagandës që quhej armiqësore, pastaj mbajtja në ilegalitet e njëri tjetrit, vajtja e ardhja në Shqipëri. Fajtor kryesor për këto dënime llogaritej Rifat Berisha i cili ishte vrarë disa vite më parë, më 17 maj të vitit 1949 me tre të afërm, gjatë një rrethimi në fshatin Gajrak të Malishevës.
Grupi akuzohej se kishte mbajtur lidhje dhe u kishte dhënë informacione Halit Berishës, Jahir Berishës dhe Bajram Berishës, të cilët pasi kishin çarë rrethimin gjatë luftimeve në Gajrak, kishin shkruar në Shqipëri dhe ishin rekrutuar në radhët e Shërbimit të Sigurimit. Këtij grupimi iu kishte bashkuar edhe Aziz Zhilivoda, i cili vepronte në kuadër të Shërbimit Sekret të Shqipërisë, ndërsa Jugosllavia e kishte shpallur kriminel të luftës dhe Shaban Haxhinë, një atdhetar me bindje komuniste, por që vepronte mbi baza të Rezolutës së Konferencës së Bujanit, për bashkim e Kosovës me Shqipërinë. Këta dy kishin qenë ndërlidhësit kryesorë të grupeve dhe kishin vepruar në një platformë me qëllim të largimit për në Shqipëri të disa kuadrove të dëshmuara atdhetare dhe nga atje të merrnin instrukcione dhe ndihmë në organizimin e kryengritjes kundër Jugosllavisë, me qëllim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Si elemente të veprave penale, me të cilat ngarkohej grupi, konsiderohej mbledhja e informatave mbi gjendjen e rëndë të shqiptarëve nën regjimin e Jugosllavisë, pastaj përhapjes së propagandës për persekutimin dhe vrasjen pa gjyq të shqiptarëve, dhe njoftimin me këto burime të oficerëve të ushtrisë së Shqipërisë. Ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar të gjitha ata që kishin kontaktuar me të arratisurit: Halit Berisha, Jahir Berisha, Bajram Berisha, Aziz Zhilivoda, Shaban Haxhia. Vetëm pse kishte kontaktuar dhe kishte biseduar me ta ishte dënuar me vdekje mësuesi atdhetar, Ibrahim Gashi. Ai ishte akuzuar se në vitin 1951 i kishte takuar anëtarë e grupit, u kishte dhënë bukë dhe i kishte strehuar te bashkëfshatari i tij, Ibrahim Meta. Po ashtu ai kishte pranuar në gjyq se kishte kontaktuar edhe me Rashit Plakiqin.
Ndërsa, Rashit Plakiqi, ishte shpallur fajtor dhe fillimisht ishte dënuar me vdekje-pushkatim, pasi konsiderohej se kishte mbajtur kontakte me Halit Berishën, Bajram Berishën, Shaban Haxhinë, të cilëve edhe iu kishte dhënë bukë e duhan dhe kishte mbajtur lidhje edhe me Hazir Latifin, të cilin e kishte udhëzuar të merrte mendimin e fshatarëve për grupin e ilegalëve, të kontaktonte me Shefqet Kapetanin e Baincës dhe të hetonte gatishmërinë e tyre për t’ iu bashkuar grupit.
Të gjashtë të akuzuarit e tjerë dhe Ukë Plakiqit Hazir Latifi, Muharrem Alushani, Dervish Berisha, Shaqir Mani dhe Zenë Gashi ishin shpallur fajtor dhe ishin ndëshkuar me dënime të rënda, vetëm sepse kishin mbajtur kontakte dhe kishin ndihmuar grupet me ushqim, vesh-mbathje, dhe se gjatë kontrollimit nga Milicia disave u kishin gjetur armë pa leje, po ashtu edhe pse kishin dhënë informata të arratisurve, në të cilat e kishin paraqitur gjendjen e rëndë të shqiptarëve nga regjimi i Jugosllavisë komuniste.
Shkalla e dytë e Gjykimit, që ishte Gjykata e Serbisë në Beograd, pas një vendimi federativ për falje, vendimi për dënim me vdekje pushkatim ndaj katër të akuzuarve, ishte kthyer në 20 vjet burg të rëndë me punë të detyrueshme.
Rashit Plakiqi me disa të burgosur të tjerë i kishin depërtuar në burgun famëkeq të Kroacisë, në “Goli Otok” ku zakonisht dërgoheshim të dënuarit për vepra të rënda penale.
Gjatë vuajtjes së dënimit në burgut në Goli Otokut Rashit Plakiqi ashtu sikur edhe shumica e të burgosurve shqiptarë ishin keqtrajtuar me punë të rënda dhe me trajtim mizor.
Më 30 mars të vitit 1962, me rastin e një amnistie nga Federata Jugosllave, Rashit Plakiqi ishte liruar nga burgu, por me shëndet të rënduar dhe sëmundje që e kanë përcjellë deri në ditën e vdekjes, më 10 maj të vitit 1984.
Rasti i dënimit të këtij grupi zbulon më së miri qëndrimin represiv të pushtetit jugosllav, i cili mbante në shënjestër çdo shqiptar, për të cilin konsideronte se nuk pajtohej me regjimin dhe nuk tregohej i gatshëm për t’ i treguar besnikëri dhe bashkëpunim pushtetit komunist jugosllav. Pavarësisht veprimtarisë së tyre atdhetare, që ishte një e drejtë e mohuar dhe e sanksionuar me ligjet e RSFJ-së, tetë anëtarët e këtij grupi në krye me mësuesin atdhetar dhe intelektualin, Ibrahim Gashi, nuk kishin kryer vepra të rënda penale, të cilat më vonë do të trajtoheshin si Propagandë armiqësore, por edhe si të tilla ato nuk ishin konfirmuar para gjyqeve me elemente penale.
Lënda “penale” në aktakuzat dhe aktgjykimet e këtyre tetë atdhetarëve tregon shqiptarët e pathyeshëm, të ndershëm dhe njerëz të besës që regjimi i kishte dënuar me vdekje pushkatim, pse nuk kishin denoncuar vëllezërit e tyre që ndodheshin në male, pse u ofronin bukë e duhan, pse i strehonin në netët e dimrave ma acar, pse u mbanin lidhjet mes veti. Për veprime të tilla, asokohe, në asnjë republikë të Jugosllavisë nuk është dënuar askush, por janë dënuar shqiptarët, qoftë duke i etiketuar si ballistë e bashkëpunëtorët të regjimit, si NDSH-istë madje edhe si “informbyroistë”, vetëm sepse i tillë ishte konsideruar atdhetari i mirënjohur, Rifat Berisha, nga fshati Berishë në Drenicë.
Burimet dhe literatura:
Aktakuza dhe aktgjykimi në gjuhën serbe. K. I58/ 52.
Shaban Braha: Rifat L. Berisha, figurë e shquar kombëtare, Tiranë 1998.
Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së 1945-1950 II, Prishtinë, 2016.
Feniksët e lirisë 12. Prishtinë, 2010.
Intervistë për TV-Diellin e mësuesit veteran, Hasan Kastrati nga fshati Kizharekë.
Të dhëna nga familja e Rashit Plakiqit, në Nekovc.