Vesel Deli Kelmendi: Shqiptarët kudo ku janë kurrë nuk kanë jetuar më mirë, por nuk po ia dinë vlerën lirisë

Vesel Deli Kelmendi: Shqiptarët kudo ku janë kurrë nuk kanë jetuar më mirë, por nuk po ia dinë vlerën lirisë

Në emisionin “Bisedë” në studion e TV-Diellit, ka shpalosur disa nga kujtimet e tij jetësore, veterani i luftës së UÇK-së dhe veprimtari, Vesel Deli Kelmendi nga fshati Vajanik i Drenicës.

Vesel Deliu ka lindur në vitin 1939 dhe ka një memorie aktive, shëndet vital,  një veprimtari të begatshme me një kontribut familjar në dobi të kombit e atdheut. Ai ka folur për traditën familjare atdhetare, që nga gjysma e dytë e shekullit 19-kur gjyshi me disa të afërm kur kishin marrë pjesë si në Luftën e Nokshiqit dhe luftëra  të tjera në mbrojtje të tokave shqiptare, të cilat Kongresi i Berlinit i vitit 1878 ua kishte falur shteteve fqinje sllave. Brazat e mëvonshëm kishin luftuar edhe në radhët e çetave të Azem Galicës, pastaj babai i tij Deliu kishte qenë bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës, ndërsa ai (Veseli) luftëtar i UÇK-së.

Ai ka folur për situatën tjetër të rëndë të popullatës së Drenicës në vitet e pas luftës së Shaban Palluzhës, kur Drenica ishte demonizuar dhe vuante pasojat e rezistencës antijugosllave. Atij i kujtohet aksioni i ashtuquajtur i Mbledhjes së tepricave, apo “otkupi” vishaku”, kur shqiptarëve iu  rrëmbehej edhe mielli në magje, gjysma e më tepër e bagëtisë, u konfiskohej pasuria duke i shpallur elementë  armiqësorë, burgoseshin e torturoheshin ata që nuk kishin çka  të dorëzonin, duke i akuzuar se e kishin fshehur drithin.

Pastaj Aksioni i heqjes së ferexhesë që kishte për qëllim dëbimin e shqiptarëve në Turqi, Aksioni i grumbullimit të armëve në dimrin e viteve 1955-1956, i aplikuar vetëm për shqiptarët,  me ç’ rast ishin rrahur e keqtrajtuar fizikisht qindra mijëra shqiptarë. Luftëtari i lirisë, Vesel Deli Kelmendi ka rrëfyer sesi shqiptarët ishin detyruar të shisnin bagëtinë për të blerë pushkën  që nuk e kishin, me qëllim që të shpëtonin nga dhuna fizike. Nga torturat përveç rrahjes me kamxhik, më së shumti ishte mbajtja zbathur mbi dëborë, futja e këmbëve në çizme dhe mbushja me ujë deri ato ngriheshin e shumë mizori të tjera që kishte ushtruar mbi shqiptarët ish- regjimi jugosllav, titist e rankoviçist.

Edhe pse ka kryer vetëm pesë klasë fillore pas luftës së Dytë Botërore, xha Veseli është vet arsimuar duke lexuar gazeta e libra dhe duke përcjellë të gjitha rrjedhat e zhvillimet kombëtare.  Ai ka shkruar dhe shkruan poezi, dhe është në përgatitje të një libri për kontributin e të parëve në luftërat atdhetare.

Disa herë ka qenë në burg, për shkak të aktivitetit të tij në organizimin ilegal sidomos me Selman Thaçin nga Buroja e shumë të tjerë. Ka punuar punë fizike në Kroaci, Vojvodinë, Dalmaci për ta mbajtur familjen, ashtu sikur shumica e shqiptarëve të Drenicës e Kosovës, në kohën e regjimeve jugosllave antishqiptare.

Ai rrëfen në hollësi aksionin luftarak të Abedin Rexhës në Vajanik më 25 nëntor të vitit 1998, pastaj betejën që kishte zhvilluar komandanti, Adem Jashari me luftëtarët e tij në Rezallë të Re, më 26 nëntor, daljen publike të UÇK-së gjatë varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci në Llaushë e  shumë aksione të tjera.

Vesel Deliu ka rrëfyer edhe sa e sa kujtime nga lufta e UÇK-së,  së cilës iu kishte bashkuar,  që në radhët e para. Më vonë kishte angazhuar në radhët e luftës edhe djalin edhe pse ishte nën moshën e caktuar.

Ai është dëshmitar i Masakrës së Izbicës,  më 28 mars të vitit 1999, vetëm katër ditë pas fillimit të bombardimeve të Serbisë nga NATO-ja, dhe jo vetëm i asaj masakre, por edhe i shumë të tjerave. Ai ka  publikuar  emrat e mbiemrat e serbëve vendorë  të fshatrave Belicë, Leçinë e fshatra të tjerë,  të cilët u kanë prirë formacioneve policore e ushtarake nga Serbia, meqë ata e kanë njohur popullatën e kësaj ane. “Në Izbicë serbët kanë vrarë e masakruar  duke filluar prej foshnjës  gjashtë muaj e deri te plaku 98 vjeç. Ata  kanë kryer mizori, kanë djegur gra burra e fëmijë në rimorkio traktorësh, kanë pushkatuar të rinj nën moshën 18-vjeçare dhe kanë kryer krime ndër më monstruozet. Pasi i kemi varrosur trupat e të masakruarve, ata kanë ardhur dhe gjatë natës i kanë zhvarrosur dhe i kanë hedhur nëpër kanale duke i mbuluar me eskavatorë, me qëllim për t i humbur gjurmën e krimeve masive.

Vesel Deliu ka folur edhe për gjendjen e rëndë të luftëtarëve të Drenicës, konkretisht të Brigadës 122, “Arben Haliti” të Zonës Operative të Drenicës, pjesë e së cilët kishte qenë edhe vetë.

Në muajt mars, prill maj, ishim ndodhur  nën rrethim nga të gjitha anët. Strehë jona ishte qielli, në borë e shi, të lagur e të uritur,  meqë ishin ndërprerë lidhjet e furnizimit. Luftonin aty ku nuk kishte popullatë civile, por duhej ta kursenim municionin për raste e luftës ballë për ballë. Kishte prej luftëtarëve burra që nuk kishin ngrënë buke deri edhe në katër ditë, por kishin moral të fortë dhe nuk jemi dhënë. Askush nuk është dorëzuar, askush nuk ka ikur nga fronti. Kemi pasur besim të madh në fitore dhe ia kemi arritur, kuptohet edhe me ndihmën nga ajri të NATO-s…

Xha Veseli i gëzohet fitores, zhvillimit të vendit, ndërtimit të rrugëve, shkollave spitaleve dhe jetës në liri. “Kurrë në asnjë kohë shqiptarët nuk kanë jetuar më mirë dhe më me bollëk por nuk po ia dinë vlerën lirisë. kanë rregulluar shtëpia  në dy e tre kat nëpër fshatra dhe i kanë lënë të zbrazua. Dikur në Vajnik vetë lagja jonë e kelmendëve kishin 47 nxënës në vitin e parë të fillores, në këtë vit shkollor është regjistruar vetëm një nxënës, Kjo është fatale. Kjo nuk ka ndodhur as në kohë të Titos as të Milosheviqit. Atëherë kemi bërë shtëpitë shkolla dhe nuk jemi dorëzuar tash ik kush nga mundet, jo sepse nuk kanë punë,  ka punë me bollëk në fshatra, por nuk ka kush punon. Secili mundohet të pasurohet brenda natës, Selimi ka veturë madje edhe nga dy e tri secili ka telefon madje edhe fëmija prej dy vitesh dhe ankohen se nuk po kanë. Kjo është shëmti kombëtare.

Qeveritë por ndërrohen si kuleçët e nuseve. Buxhetin po e marrin për vete, po pasurohen e tamam po ngopen, po vijnë të tjerët të pangopur…

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …