Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Vesel Krasniqi, ka mohuar raportimet në media se deputetët e Nismës mund të votojnë për formimin e Qeverisë Kurti, por pa u përfshirë në koalicionin qeverisës. Ai ka theksuar se për momentin nuk ka asnjë lëvizje dhe se Nisma mbetet në linjën e deklaratave të mëhershme të kryetarit Fatmir Limaj. Krasniqi ka shtuar se këto janë vetëm spekulime dhe se Nisma Socialdemokrate vazhdon të mbështetet në qëndrimet e Limajt, i cili pas zgjedhjeve të 9 shkurtit refuzoi të vendosë “vija të kuqe” për Lëvizjen Vetëvendosje, duke shprehur gatishmërinë për diskutime për çështje me rëndësi nacionale. Pavarësisht takimeve me liderët e opozitës për mundësitë e një koalicioni PDK, LDK dhe AAK-Nisma, Krasniqi tha se nuk ka asnjë ndryshim për momentin.
