Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot një delegacion prej 60 anëtarësh, përfaqësues të shtetit të Iowa-s, institucioneve arsimore dhe ekonomike nga ky vend. Ai para tyre ka thënë së Kosova është një histori e suksesit, e përpjekjeve të gjata për liri dhe pavarësi. Gjatë këtyre dy dekada liri e pavarësi, Veseli tha se janë bërë hapa të mëdhenj në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Ai përmendi ndërtimin e institucioneve të reja, infrastrukturën rrugore e shkollore dhe shumë projekte të tjera që janë shënuar këto vite. Këto, tha ai se janë kontribut i gjithë miqve tanë ndërkombëtarë.
“Është kontribut i veçantë edhe i secilit prej jush që na keni ndihmuar për një arsim më cilësor, një ushtri më profesionale, për avancim të bujqësisë e kulturës”, tha Veseli. “Kosova ka nevojë gjithmonë për përvojën dhe dashurinë tuaj. Ne jemi shtete mike tash e 10 vjet, prej se kur Kosova është shtet, dhe do të jemi për jetë e mot. Për ta ndihmuar njëri-tjetrin, për ta forcuar çdo vit e më shumë lidhjet tona”, deklaroi ai.