Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në tubimin elektoral në fshatin Landovicë dhe në fshatin Romajë të Hasit të Prizrenit. Veseli theksoi se në mandatin e radhës të PDK-së, Prizreni, si kryeqendër kulturore, do të bëhet edhe qyteti më i zhvilluar i ndërmarrësisë. Ai tha se, në krye me kryetarin e ri, Shaqir Totaj, por edhe me përkrahje nga qeveria qendrore, prizrenasit do të përfitojnë investime dhe zhvillim të hovshëm ekonomik, duke zgjeruar edhe më tej mundësitë për punësim.
“Gjatë udhëheqjes sonë, Prizrenin kemi arritur ta shndërrojmë në një atraksion kulturor e turistik botëror. Mbetemi të përkushtuar që ta intensifikojmë zhvillimin e gjithëmbarshëm të tij, e veçanërisht në ekonomi. Bizneset e vogla dhe të mesme do të jenë në epiqendër të platformës fituese të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë kryetari Veseli gjatë tubimeve në Landovicë dhe Romajë të Hasit të Prizrenit.
Kreu i PDK-së rikujtoi se pjesë qendrore e programit të PDK-së për Prizrenin janë edhe rregullimi i infrastrukturës mjedisore në dy fshatrat gjegjëse, vendosja e sistemit të kanalizimit e ndriçimit, si dhe ndërtimi i një qendre sportive për të rinjtë e Hasit. Ndërkaq, kandidati për kryetar Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se platforma qeverisëse e PDK për katër vjetët e ardhshëm do ta bëjë Prizrenin qendrën kryesore të investimeve ekonomike. Ai tha se plani i tij për zhvillimin ekonomik të Prizrenit do të ndikojë në rritjen dhe hapjen e bizneseve të reja, përmes së cilave do të hapen vende të reja pune.