Kryekuvendari, Kadri Veseli ka pritur sot një delagacion nga Komisioni për Çështje Evropiane nga landi Nordrhein Vestfalen i Gjermanisë. Delegacioni ishte i përbërë nga katër parti parlamentare. Deputetët gjermanë shprehen interesim për zhvillimet politike në Kosovë, në mënyrë të veçantë për klimën e investimeve dhe bazën ligjore që Kosova ka ndërtuar në këtë fushë. Duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunim ekonomik midis vendeve të rajonit, mysafirët nga Gjermania shprehën interesimin e tyre për qasjen e Kosovës ndaj investitorëve të huaj potencialë, veçanërisht atyre gjermanë, si dhe për pasuritë natyrore që posedon vendi ynë. Kryekuvendari Veseli tha se Kosova vazhdon të ketë nevojë për investime të huaja, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një pranie më të madhe të bizneseve gjermane në vendin tonë. Ai tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit, duke e bërë atë më tërheqëse për investitorët e huaj.
