Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në manifestimin përkujtimor në fshatin Rezallë të Skenderajt, në 18-vjetorin e masakrës në këtë fshat, të kryer nga forcat serbe mbi popullatën civile. Gjatë kësaj masakre, u vranë dhe u masakruan dhjetëra civilë të pafajshëm shqiptarë. Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli tha se kjo lëndinë është dëshmi se çfarë sakrificash të mëdha bëri populli ynë për të arritur lirinë. Ai tha se armiku ishte i egër dhe nuk kursente askënd, as fëmijët, as gratë, as pleqtë, por edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës në përgjithësi, ishte i vendosur të mos heq dorë, me asnjë çmim, nga ëndrra për liri. Veseli shtoi se ky fshat kishte një barrë të rëndë gjatë luftës çlirimtare, duke u bërë mburojë e gjallë e rrugës kryesore që shpinte në Shtabin e Përgjigjëm të Ushtrisë Çlirimtare në Likovc. “Dhimbjet dhe vuajtjet ishin të mëdha, por ne ia dolëm. Ne çliruam Kosovën dhe e krijuam shtetin e pavarur dhe sovran. Ne do ta zhvillojmë ekonominë tonë. Në Kosovën e lirë do të ketë punë dhe perspektivë për të rinjtë e saj. Ne do ta fuqizojmë shtetin tonë. Ne do ta bëjmë Ushtrinë e Kosovës, për ta garantuar kufijtë e shtetit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, theksoi kryeparlamentari Veseli. Ai tha se Rezalla, si e gjithë Kosova, përgjithmonë do të jenë të lira dhe të sigurta. “Ky është amaneti i dëshmorëve tanë dhe këtë amanet do ta bartim me krenari kombëtare dhe përgjegjësi shtetërore”, theksoi Veseli.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …