Nuk ka njeri më të merituar që të jetë kryetar komune se sa Idriz Vehapi. Kështu ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili të dielën ka vizituar Rahovecin, me ç’rast ka ftuar të pranishmit të mbështesin kandidatin për kryetar të Rahovecit nga radhët e PDK-së, Idriz Vehapin. Veseli ka thënë se Vehapi garanton zhvillimin më të mirë për komunën e Rahovecit dhe qytetarët e saj.
“Nuk e di se a kemi kryetar më të denjë, më adekuat për Komunën e Rahovecit dhe për çdo komunë sesa prof.dr. Idriz Vehapi. Në aspektin familjar, njeri i devotshëm; në aspektin publik, njeri i cili në rend të parë rrezaton mirësjelljen dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar njerëzit, po në të njëjtën kohë shumë i vendosur dhe me dit me marrë vendime të cilat janë në shërbim të qytetarit. Dhe ajo çka është më e rëndësishme, sepse ka burra dhe gra shumë të morë, por të cilët lakmia po i prish, këtë njeri nuk ka mundur kurrë ta prishë interesi ose siç i thotë populli kajtja. Kjo është një garanci që ne mundemi me ecë përpara. Me prof.dr.Idriz Vehapin, Rahoveci ka perspektivë, Rahoveci ka zhvillim, Rahoveci është afër qytetarit, është afër fermerit, afër vreshtarit, blegtorit, perimtarit afër njerëzve që janë punëtorë, pa lajka. Ajo çka na duhet sot është zhvillimi, zhvillimi ekonomik dhe punësimi i njerëzve t anë. Dhe kjo është ajo që do ta bëjnë bashkërisht PDK-ja bashkë me kryetarët e komunave”, ka thënë Veseli.