Veseli ua dorëzon ish-luftëtarëve të UÇK-së draftligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës

Veseli ua dorëzon ish-luftëtarëve të UÇK-së draftligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilëve u ka dorëzuar draftligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Draftligji, i hartuar nga kryeparlamentari Veseli dhe stafi i tij, garanton mbrojtje institucionale për vlerat e luftës së UÇK-së dhe parasheh reagim të shtetit në raste të arrestimeve me urdhërarreste politike. Nëpërmjet këtij draftligji, po ashtu përcaktohet dita nacionale për përkujtim të luftës çlirimtare, si dhe parashihet ndërtimi i monumentit qendror të luftës për çlirim dhe i Muzeut të Luftës. Pasi u dorëzoi përfaqësuesve të shoqatave të luftës draftin e këtij ligji, kryparlamentari Veseli ka thënë se edhe pse i vonuar, ligji u bën nder institucioneve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht mbron vlerat e shenjta të lirisë sonë, luftën çlirimtare dhe pjesëtarët e saj. “Duke ju drejtuar juve, iu drejtohem të gjithë bashkëluftëtarëve. Është një ligj i vonuar, ndërsa do të duhej të ishte ligji i parë, i cili do t’i bënte nder Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është diçka që populli ynë e ndjen dhe e mbron, që e ka lindur, rritur dhe zhvilluar, ndërsa tani në kohën e paqes e ruan me krenari. Është projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës sonë të shenjtë, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Veseli. Ndërsa kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Ngucati, shfaqi shpresën se ky ligj do të jetë në favor ish-luftëtarëve të lirisë dhe se si i tillë, do të merr mbështetje njëzëri nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …