Veteranët e UÇK-së kanë reaguar në lidhje me shkurtimin e buxhetit për pensionet e tyre

Në një komunikatë drejtuar medieve, veteranët e luftës së UÇK-së kanë reaguar në lidhje me shkurtimin e buxhetit për pensionet e veteranëve të luftës. Ata shprehen  të shqetësuar për shkak të shpërdorimit të buxhetit të vitit të kaluar prej 24 milionësh, i ndarë për pensionet e veteranëve sepse janë shfrytëzuar vetëm 5.5 milionë, kurse të tjerat nuk dihet se ku kanë shkuar dhe asnjëherë nuk u dha ndonjë sqarim, as për ne dhe as për opinionin. Në komunikatë theksohet se Qeveria e Kosovës, duhet ta ketë parasysh se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk mund e as që ndërhyn në fondet se ku i dërgon shteti, dhe këtë FMN-ja sipas veteranëve u është thënë edhe atyre në takimin e datës 21 janar 2016, “prandaj të mos bëjnë lojëra me veteranët sepse arsyetimi i tyre për numër të madh të veteranëve dhe aplikuesve për pensione, nuk na takon neve e as veteranëve por shtetit, i cili për çdo shkelje ligji duhet të m arrë masa ligjore ashtu siç edhe parashihet në ligj”. “Shpërdorimi i 18.5 milionëve të vitit të kaluar, kërkojmë të kompensohet nga 700 milionëshi i Fondit të Privatizimit dhe t’iu kryhen pagesat të gjithë veteranëve ashtu siç e parasheh ligji, dhe më pastaj në buxhetin për vitin e ardhshëm, të planifikohen mjete financiare, me qëllim që të mos ketë asnjëherë këso probleme”, thuhet në komunikatë. Veteranët edhe kësaj radhe paralajmërojnë protesta masive.


 


27. 1. 2016     Ora 18.00 21.00


 


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut të Brukselit, njofton kumtesa nga Kryeministria. Gjatë takimit është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen.


 Ishte vlerësim i të gjithëve që dialogu në Bruksel dhe thellimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian është interes madhor i Republikës së Kosovës në rrugën e saj përpara në integrimet euroatlantike.


 


Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur në selinë e Shërbimit të Evropës për Veprim të Jashtëm, ku është takuar me Përfaqësuesen e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri, Frederica Mogherini, për dialogun Prishtinë-Beograd. Ndërsa, raportohet që paraprakisht Mogherini ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Takimi mes kryeministrave është dashur të fillojë rreth orës 16:00. Sipas agjendës dy kryeministrat gjenden në takim. Pikë kryesore e takimit që do të bisedohet është implementimi i Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe. Po ashtu, në agjendë të këtij takimi të nivelit të lartë, që ndërmjetësohet nga Mogherini, duhet të diskutohen edhe zhvillimet e përgjithshme politike, sundimi i ligjit dhe aktgjykimi ndaj liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, tabelat e automjeteve, transporti ajror e tema të tjera.


 


 


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka deklaruar se kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, është duke e përçmuar kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa. Ymeri ka thënë se Vuçiqi është duke e mbajtur Mustafën në xhep. “Vuçiq, që do të duhej të ishte në gjyq për krime lufte, po e përçmon Mustafën. Kjo sjellje tregon se ai e ka futur Mustafën në xhep. Dialogu që po ia tretë Kosovës shtetësinë e dinjitetin e që po ua zhbënë institucioneve integritetin, po vazhdohet dhe udhëhiqet nga një njeri, që nuk ka as dinjitet, as integritet dhe as legjitimitet demokratik. Po të kishte qenë dialogu me Serbinë parimor, i barabartë, i drejtë dhe reciprok, prapë nuk do të duhej të udhëhiqej nga Mustafa, i cili,  është i nënshtruar. “Një dialog çfarë është ky me Serbinë në Bruksel, pranohet vetëm nga njerëz të tillë, të nënshtruar politikisht e personalisht”, ka deklaruar Ymeri.


 


 


Kryetari i Nismës për Kosovën është bërë pjesë e debatit për zgjedhjen e kryetarit  të vendit duke thënë se zgjidhja më e mirë tash për tash është shkuarja në zgjedhje parlamentare, e gjithashtu edhe zgjedhja e presidentit nga vota e qytetarit. Deri tash, është argumentuar mjaftueshëm që të ndërrohet mënyra dhe rregullat e zgjedhjes së presidentit. Ai ka thënë se deri tash presidenti jo që nuk ka ushtruar rolin unifikues, por edhe është përzirë në lëvizje politike. “Rregulla e deritanishme e zgjedhjes së presidentit nga parlamenti, mjaftueshëm na ka treguar që presidenti jo vetëm që nuk ka mundur të ushtroj rolin e tij unifikues, por fatkeqësisht shpeshherë institucioni i presidentit është bërë pjesë e kombinimeve dhe e pazareve politike”, ka shkruar Limaj. Prandaj, duke marr parasysh edhe klimën aktuale politike në të cilën është vendi ynë sot, po ashtu edhe duke e ditur se ky parlament e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e vet, është më se e sigurt që zgjedhja e presidentit nga ky parlament nuk do të përmbushte kërkesën kushtetuese që presidenti të përfaqësoj unitetin e popullit”, ka vazhduar më tej Limaj.


 


Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi i ka bërë thirrje pozitës dhe opozitës që të ulen në bisedime për tejkalimin e krizës, çka sipas tij, do të krijonte mundësi për të shqyrtuar çështjen e presidentit. Ai konsideron se tani është me rëndësishme që të ketë tejkalim të krizës politike, e pastaj subjektet politike të bashkërendohen me njëra tjetrën rreth çështjes së presidentit, zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe bisedimeve me Serbinë. “Pa u zgjidhur këto probleme, mendoj se nuk duhet të ketë votim për presidentin”, ka thënë deputeti, Fatmir Rexhepi.


Partitë e bllokut opozitar kanë realizuar aksionin ‘Bjeri borisë, kundër Qeverisë’. Kjo ka bërë që shumë vetura në Prishtinë të solidarizohen me këtë aksion, duke i rënë borisë së veturave e duke krijuar një zhurmë të padurueshme. Përfaqësuesit e partive opozitare, me këtë rast, kanë bërë thirrje që qytetarët t’i bashkohen masivisiht protestës së 17 shkurtit.


 


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka kujtuar viktimat e Holokaustit. Në një postim, ai ka përkujtuar se shqiptarët, të rreshtuar përkrah forcave aleate, kanë shpëtuar familje të shumta hebraike. “Kosova nderon dhe kujton sot viktimat e Holokaustit. Kujtojmë kohën kur vendi dhe populli ynë, i rreshtuar përkrah Forcave Aleate, strehoi dhe shpëtoi shumë hebrenj.


 


Mediet serbe kanë nisur spekulimet e tyre mbi epilogun e takimit në Bruksel midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Sipas të përditshmes serbe ‘Blic’, përfaqësuesit e BE-së do të bëjnë përpjekje që të bindin Beogradin për të pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rreth Asociacionit të komunave serbe. Fillimisht, zyrtarët e Qeverisë serbe kishin reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se nuk do të pranojnë asnjë rinegocim të saj, por zbatimin e asaj çka është arritur në marrëveshjen e 25 gushtit. ‘Blic’ shkruan se përfaqësuesit evropianë do të përpiqen që të bindin Beogradin t’i pranojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me Marrëveshjen për Asociacionin.


 


Të enjten në rend të ditës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të jetë votimi i draft-rezolutës “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”, e cila është përgatitur nga deputeti spanjoll, Augustin Conde. Por, diplomacia serbe po tregohet jashtëzakonisht e efektshme kur vjen puna për hartimin e raporteve të tilla që kanë të bëjnë me Kosovën. Me propozimin e delegacionit serb, në këtë draft-rezolutë janë shtuar katër amendamente. Në anën tjetër, Kosova është treguar krejt e paaftë për t’i bllokuar këto propozime.


 


Ambasadorja gjermane në vendin tonë, Angelika Viets është shprehur kundër kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme. Në një deklaratë, të afishuar në faqen zyrtare në Facebook të ambasadës gjermane, ajo ka vlerësuar se zgjedhjet e reja nuk i zgjidhin problemet në vend, përveç që do ta thellonin edhe më shumë krizën në Kosovë. Ajo ka nënvizuar faktin se “sipas sondazheve, përbërja e re e Kuvendit nuk do të ndryshonte shumë nga ajo që është tani”. “Një raund i ri i zgjedhjeve nënkupton, humbje të kohës së çmueshme të Kosovës në rrugën e saj për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve të saj, në veçanti kur flasim për investime dhe vende të reja pune. Njësoj, dëme shkaktohen edhe në reformat e rëndësishme që nevojiten për procesin në vijim të integrimeve evropiane”, ka thënë Viets. Ambasadorja gjermane ka shprehur bindjen se problemet mund të zgjidhen me vullnet politik dhe dialog midis pozitës dhe opozitës.


 


Organizatat për të drejtat e njeriut në Maqedoni kërkojnë që në agjendën e zgjidhjes së krizës politike, të përfshihet edhe zbardhja e rasteve dhe proceseve të montuara politike. Organizata OBRIE thekson se me qëllim të rritjes së besimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, duhet të trajtohen e shqyrtohen të gjitha rastet e dyshimta gjyqësore që kanë të bëjnë me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ndër rastet që duhet të përfshihen në rishqyrtim, sipas kësaj organizate, janë rasti ‘Monstra’, ‘Sopoti’, vrasja e ish-komandantëve të UÇK-së si Harun Aliu-Kushtrimi, Isa Lika dhe shumë raste të montuara, ku pjesëtarë të UÇK-së po vuajnë dënimet në burgjet e Maqedonisë, madje disa prej tyre kanë vdekur gjatë qëndrimit në burgje.


 


Institucionet e Kosovës i trajtojnë qytetarët e Shqipërisë, që kërkojnë leje qëndrimi për punë, njësoj sikurse qytetarët e shteteve të tjera të huaja. Pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të arritura mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, shtetasit shqiptarë presin çdo ditë me orë të tëra, bashkë me ata turq, sirianë dhe shtetas të tjerë të huaj, për të marrë një leje qëndrimi në Kosovë. Rashela Dyka, e cila është punësuar në një kompani projektimesh dhe punon si arkitekte në Prishtinë, ka qenë disa herë për të marrë lejen e qëndrimit. E cila duhet të zgjasë 30 ditë aplikimi, por 30 ditë kanë kaluar. Dyca tha se, gjatë procedurave të aplikimit ka pritur deri në një orë në radhë, bashkë me shtetas të huaj, ndërsa bën thirrje që të bëhet një sportel i veçantë për shtetasit shqiptarë. “Shumica e shtetasve të tjerë kam përshtypjen se ishin të huaj. Kam pritur rreth një orë. Është e treta herë që vij sot. Përshpejtimi i procedurës duhet të bëhet me një sportel të veçantë për shtetasit shqiptarë ka thënë arkitektja nga Shqipëria.


 


 


Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …