Veteranët: Herdokur do të përgjigjen ata që fyejnë, shajnë, denigrojnë e përdhosin UÇK-në

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar kundër përdhosjes, fyerjes e denigrimit që po i bëjnë UÇK-së, bijtë e inspektorëve të UDB-së dhe jugo-gazetarët e KTV-së e Komapnisë Koha. Në emër të kësaj organizate ka reaguar Sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku  i cili thotë se  humori i përgatitur për Vitin e Ri nuk ka asgjë të vërtetë me UÇK-në dhe kjo është hapur politikë tendencioze e KTV-së.  Nuk duhet të lejohet të bëhen tallje e shpifje me vlerat e kombit shqiptar, siç është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sepse dalin të jenë të kota përpjekjet e për t’ia humbur vlerën një Ushtrie që “me gjakun e saj i siguroi Kosovës atë që sot po e gëzojnë qytetarët e saj”. “Vlerën e UÇK-së janë munduar ta humbin që nga paslufta e këndej, me arrestime, montime të proceseve gjyqësore politike, etiketime e shpifje – si nga vendorët e po ashtu edhe ndërkombëtaret. Por, kot e kanë sepse ai lum gjaku që është derdhur për këtë gjysmë lirie, që ata po e përqeshin, nuk do të shkojë huq. Sepse kurdo do ta fitojmë lirinë e plotë dhe do t’i kemi gjyqet e pandikuara politikisht e ku do t’i ndjekin të gjithë ata që i bëjnë të keqija vendit”, thotë Klinaku.


 


Shpëtim Selmanaj: Për 16 vjet rresht nuk pushoi  propagande gebelsiane kundër UÇK-së


 


 


Jemi në vitin 2015 dhe një prej caqeve kryesore të opinionit të caktuar publik, e tek ne në Kosovë “opinion publik”, nuk do të thotë vetëm media – gazeta, portale, televizione e radio të nivelit kombëtar, por edhe rajonal e lokal, por edhe thashetheme nëpër kafene, restorante e deri në lagje fshatrash e qytetesh, që nga lufta e deri më sot ka qenë dhe vazhdon të jetë shprehja “UÇK”. Që të jemi edhe më të saktë: komandantë e gjoja komandantë të UÇK-së, të cilët, pas luftës, “zaptonin” dhe nxirrnin “haraç” ndaj këtij apo atij personi, kësaj apo asaj firme e biznesi. Janë të panumërta thashethemet në çdo qytet e qytezë të Kosovës që prapa këtij apo atij “personi” e “biznesi” qëndron “ai” apo “ky” ish-komandant e udhëheqës i UÇK-së. Fakt është që gjithë këto thashetheme e kanë pasur dhe e kanë një bazë. Dhe ajo fillon me faktin që janë dy, po i quajmë ashtu, grupe të udhëheqësve të UÇK-së që gjithsesi edhe vetë kanë dëgjuar për këto thashetheme nga kafenetë e deri tek mediet për emrat e tyre dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë që ato të pengohen…. pasi që vërtet kanë qëndruar e qëndrojnë prapa atyre fjalëve që janë përfolur. Dhe pastaj vijon grupi tjetër i komandantëve të UÇK-së që, thjesht, kanë shpresuar, por për këtë kanë bërë pak, që një ditë ato fjalë për ta edhe do të zhduken, do të largohen, pra nuk do të përmenden në opinion, pasi kanë pasur dhe kanë bindjen që, meqë s’janë pjesë e atyre thashethemeve, ato edhe do të pushojnë vetvetiu…


 


Pyetja që sot shtrohet është kjo: pse edhe 15 vjet pas luftës UÇK-ja vazhdon të jetë pjesë e propagandave, herë të vërteta e herë të sajuara, për të bëra apo pabëra të cilat s’do t’i bënin nder asnjë qytetari të këtij vendi e lëre më udhëheqësve të UÇK-së? Përgjigja e parë dhe më logjikja në këtë pyetje është që Kosova nuk ka pasur dhe, për fat të keq. vazhdon të mos ketë sistem efektiv të drejtësisë. Që vetë qytetarët e Kosovës, por edhe udhëheqësit e saj politikë, shumica prej tyre vetë ish-udhëheqës të UÇK-së që sot janë në politikë, po kështu nuk besojnë në instrumentin e drejtësisë. Ndryshe s’ka si të mos jetë që çdo vit dhe sa herë që po na vijnë Raportet e Progresit (si ky i fundit pardje) del që drejtësia është problemi kryesor në Kosovë. Dhe në kuadër të juridiksionit edhe vjen materia e shpifjes si një e padrejtë dhe me këtë edhe precedent penal. Duke parë dhe përjetuar këtë dorëzim total para drejtësisë, nuk ka si të mos shihet edhe fakti tjetër që jo pak ish-komandantë të UÇK-së po kështu kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë propagandë për ish-kolegë të tyre që kanë “atë” apo këtë “zonë” të ndikimit të bizneseve e personave. Nuk kemi si të mos e përmendim këtu instrumentin e tyre të lehtë me shprehjen popullore “hidhe gurin e fshihe dorën”. Pra, jo pak politikanë që vijnë nga radhët e UÇK-së flasin për ndikimet e ish-kolegëve të tyre vetëm e vetëm që ta fshehin pikërisht ndikimin e tyre. Doni të përmendim emra dhe raste? Janë me dhjetëra, për të mos thënë me qindra dhe shumë shpejt do të vijë koha t’i themi!


 


Fakti, ose thënë edhe më mirë shembulli tjetër më i pashëm dhe i prekshëm, janë edhe segmentet e LDK-së. Kjo parti, e cila në Kosovë ishte në pushtet (fiktiv) para e pas luftës, nuk ka lënë gurë e dru pa hedhur kundër UÇK-së, ose thënë edhe më mirë, çdo UÇK-je e cila këtë parti dhe të fortit e saj i ka prekur në interesa. Pardje ishte UÇK-ja nga Dukagjini, dje nga Drenica, sot nga Anamorava e Llapi e sot sërish nga UÇK-ja e Dukagjinit. Bosët e kësaj partie kurrë nuk kanë ngurruar që UÇK-në ta damkosin e vulosin vetëm e vetëm që veten ta shesin si viktima qoftë para e gjatë çlirimit të vendit, ashtu edhe në ndërtimin e institucioneve të vendit. Vetëm shikojeni të parin e LDK-së dhe kryeministrin e vendit! Erdhi në krye të Prishtinës dhe, më pas, LDK-së, duke sharë SHIK-un dhe UÇK-në e Drenicës. Sot është në gjirin e tyre! Apo shiheni kryetarin e Pejës, i cili nuk la parti pa ndërruar dhe sot merret ende me ato shpifje me të cilat dikur në Kosovë vërtet edhe janë marrë vota e karrige, por sot…? Sot jo më. Sepse dikush duhet të besojë në drejtësi. Dhe këtë do ta ndiejë më së miri pikërisht ky ende, kryetari i Pejës. I tërhoqi apo jo deklaratat e tij. Ka qenë koha e fundit që dikush të fillojë të besojë në drejtësi. Dhe në vetëmbrojtje të moralit e të integritetit personal e familjar, profesional e kombëtar. UÇK-ja e vitit 2015 duhet të jetë ajo që fillon të besojë në këto parime. Sepse çka është boll është boll!



 

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …