Takimi mes përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe Qeverisë së Kosovës, është cilësuar si frytdhënës dhe shumë konstruktiv. Kryeministri Isa Mustafa, bashkë me zëvendësin e tij, Hashim Thaçin dhe ministrin për Punë dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, sot u takuan me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, si dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve dhe Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, me ç’ rast shprehen përkushtimin e institucioneve të vendit për t’iu zgjidhur problemet e veteranëve.
Mustafa tha me këtë rast se Qeveria ka bërë përpjekje që të sigurojë fondet për të përballuar pensionet për veteranët. “Natyrisht se numri i veteranëve është i tillë që ne duhet të mundohemi që të plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre sipas vendimeve të cilat janë marrë, të plotësojmë edhe në pikëpamje kohore dhe të kujdesemi edhe për invalid të luftës të UÇK-së dhe të gjitha këto do t’i koordinojmë bashkërisht në një proces të punës të përbashkët drejtpërdrejt me qeverinë ose me ministritë përkatëse”, ka thënë Mustafa.
Përfaqësuesi i veteranëve të UÇK-së, Smajl Elezi, tha se takimi me Qeverinë ishte konstruktiv dhe se do presin veprimet e Qeverisë. Mendoj që kemi gjet mirëkuptim dhe do e gjejmë një rrugë që do kalojmë problemet që i kanë veteranet dhe hallet e tjera të veteranëve. Çështja e pagesave dhe besoj që jemi dakorduar që prej kohës kur kanë aplikuar veteranët Qeveria të bëjë pagesën për ta”, tha Elezi.
Isa Mustafa ka takuar ndaras edhe disa veteranë të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, të cilët vazhdimisht kanë protestuar, pavarësisht se nuk e kanë pasur pëlqimin e përfaqësuesve të tri shoqatave të dala nga lufta.