Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin 2020, veterani i arsimit dhe i UÇK-së, Ramadan Rizani nga fshati Krojmir i Drenicës, ka botuar dhe përmbledhjen me tregime: “Loti që nuk shuhet kurrë”, me tematikë nga lufta e UÇK-së por edhe rrëfime të tjera.
Tani ai nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”.
Poezia e Ramadan Rizanit është përkushtuese, e motivuar me dashuri për luftën e UÇK-së, dëshmorët e martirët dhe kryesisht me ngjarje e ndodhi të luftës, por nuk mungojnë as edhe poezi me motive të pasluftës.
Në përmbledhjen poetike “Mos mi hap plagët e reja” Ramadan Rizani shkruan lirshëm, madje nganjëherë edhe shfrenueshëm, po gjithnjë me sinqeritet e atdhedashuri, gjithnjë në përpjekje për të mbrojtur vlerat e luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat janë atakuar dhe po atakohen nga shumë drejtime.
Ramadan Rizani shkruan për Adem Jasharin, Adem Demaçin, Hamzë Jasharin për dëshmorët e martirët, për martirët e Reçakut, u kushton poezi katër dëshmorëve të Krojmirit, si dhe poezi për aktualitetin. Libri ka 78 faqe, botoi LENA në Prishtinë.
Përmbledhjen poetike “Ç’faj kam unë” e fillon me Masakrën që e kishin kryer ushtarët e policët serbë në vjeshtë të vitit 1998, në fshatin Abri të Drenicës. Edhe poezitë e kësaj përmbledhjeje i përkasin motiveve të ndryshme, prej atyre të luftës deri te ato të përditshmërisë, qofshin kujtime të veçanta shoqërore, familjare, qofshin përkushtime, kryesisht të frymëzuara dh të motivuara nga jeta personale në raport me rrjedhat shoqërore. Libri ka 82 faqe, botoi LENA në Prishtinë.