Veterani i luftës së UCK-së, Selver Lladrovci, nga Gllanasella e Drenasit, jeton në kushte tejet të rënda ekzistenciale. Luftëtari i lirisë së Kosovës, Selver Lladrovci, vuan nga sëmundje të rënda kronike sikur janë tensioni i lartë i gjakut, problemet në zemër, por edhe nga diabeti me një vlerë të lartë të sheqerit të gjak që arrin vlerën 34. Me familjen e tij me katër anëtarë jeton me një ndihmë rreth 200 euro në muaj.
Familja e veteranit, Selver Lladrovci është dëbuar nga Kastrioti ku kanë qenë duke banuar në një banesë kolektive dhe tash e dy vite jeton në një banesë me qira, në Fushë Kosovë. Selveri ka qenë punëtor në Ferronikel por tash e sa muaj ka mbetur pa punë, sikur edhe rreth 1000 punëtorë të tjerë të kësaj ndërmarrjeje, e cila ka bankrotuar nga pasojat e shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Në gjendjen e tij të tanishme mjaft delikate me shëndet, Selver Lladrovci kërkon nga njerëz të vullneti të mirë që t’ i mundësojnë atij e familjes një kulm mbi kokë. Përkundër kërkesave që ka bërë në komunën e Drenasit dhe të Kastriotit, kjo familje nuk gëzon asnjë ndihmë të caktuar materiale. Gjendja e këtij luftëtari dhe veterani të luftës duhet të merret në konsideratë në radhë të parë nga Qeveria, por edhe nga shoqatat humanitare. (RKL – TV Dielli)