Që nga janari i vitit 2020, Nezir Mehmetaj është arrestuar nga serbët në pikën kufitare në Serbi, e të njëjtit i janë ndërruar disa burgje. Prej disa vitesh tashmë, Mehmetaj vazhdon të jetë i burgosur në Serbi. Lidhur me këtë, lajmi.net, ka kontaktuar ministrinë e Punëve të Jashtme, nga ku është thënë se ndaj Mehmetajt është iniciuar akuzë për kinse krime luftë kundër popullsisë jo-shqiptare, nën pretekstin se ishte i përfshirë në zhdukjen e një familje serbe, në fshatin Rudicë. Kurse në mars të viti 2021, Gjykata e Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ka ngritur aktakuzë kundër Mehmetajt, me pretekstin e përfshirjes së tij në zhdukjen e familjes serbe. “Nezir Mehmetaj, shtetas i Republikës së Kosovës, është arrestuar nga autoritetet serbe, në pikën kufitare në Merdare, më 3 Janar 2020. Ndaj tij është iniciuar akuzë për krime lufte kundër popullsisë jo-shqiptare, nën pretekstin që ka qenë i përfshirë në – sipas akuzës – zhdukjen e një familjeje serbe, në fshatin Rudicë (nga është edhe Mehmetaj), në qershor të vitit 1999. Në mars 2021, Gjykata e Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ka ngritur aktakuzë kundër Nezir Mehmetaj me pretekstin e përfshirjes së tij në zhdukjen e familjes serbe në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës, në qershor të vitit 1999. Po këtë muaj, ka filluar edhe procesi gjyqësor kundër Mehmetaj, në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës në Beograd”,thuhet në përgjigjen e MPJ-së.
