Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se arrestimet e aktivistëve të saj po vazhdojnë edhe për aktivitete paqësore. Në Vushtrri sot janë arrestuar aktivistët Naim Bunjaku dhe Mehmet Selaci. Derisa u morën për t’u dërguar në polici, ata ishin duke shkruar grafite që e kundërshtojnë themelimin e ‘Zajednicës’ dhe zgjerimin e saj në Vushtrri. Këto arrestime janë në vijim të një fushate të gjerë, ku pushteti po përdor policinë e gjyqësorin për të përndjekur politikisht dhe për të burgosur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes. Vetëvendosje kujton se këto ditë është paralajmëruar se Lista Serbe ka kërkuar që fshati Prilluzhë të ndahet nga Komuna e Vushtrrisë dhe të formohet si komunë me shumicë serbe, për t’u bërë më tej pjesë e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. “Por, siç thoshte edhe aksioni ynë as Vushtrria nuk do të ndahet, as Kosova nuk do të copëtohet. Arrestimet e padrejta të policisë së instrumentalizuar të Mustafës, jo që nuk po na frikësojnë, por ato na shtojnë arsyet për ta përmbysur këtë regjim diktatorial”, thuhet në njoftim.
