Në kohën kur në Kosovë po krijohen koalicione parazgjedhore, të partive të vogla, me qëllim për të marrë pjesë dhe për të korrur fitore, partitë e mëdha politike, sikur konsiderohet se janë: LDK-ja, PDK-ja dhe Vetëvendosja, ndodhen para dilemave dhe ekuacioneve me shumë të panjohura. Në këtë mes, vetëm partia Demokratike, tani për tani mbetet e vetme, sepse ndaj saj kanë vënë vija të kuqe, sidomos Vetëvendosja dhe LDK-ja, tash për tash edhe AAK-ja. Mirëpo kjo nuk përjashton bashkimin me një koalicion tashmë të krijuar sikur është: Nisma-AKR. Ky koalicion mund të arrihet nëse Vetëvendosja dhe LDK-ja, nuk arrijnë marrëveshje parazgjedhore. Në këtë rast, koalicioni AAK-PSD, do të hiqte vijat e kuqe dhe të pranonte pazarin politik, me cilën do parti, që do ta pranonte koalicionin e ardhshëm qeveritar. Bashkimi jo parimor është më i pranueshëm për partitë tona, sesa ruajtja e parimit që i lë jashtë pushtetit.
Këtë formulë “ilirmetiste” e kanë vënë në zbatim partitë e vogla në Kosovë e gjithandej, të cilat duan me çdo kusht pushtet, në mënyrë që të marrin një hise në tepsinë e begatë, që e shtron populli votues, populli gjithnjë i manipuluar dhe kurrë i fituar.
LDK-ja, PDK-ja dhe Vetëvendosja, tani për tani nuk do të ulin pazarin politik, meqë koalicioni me “të vegjlit” u humb “kredibilitetin” dhe paragjykon humbjen e elektoratit. Kështu që këto tri parti, mbase në momentin e fundit do të vendosin për koalicione.
Aktualisht ende ka bisedime mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, meqë të dyja këto parti pretendojnë të sigurojnë me çdo kusht fitoren, që në fillim, duke lidhur një koalicion të gjerë parazgjedhor. Për dallim nga LDK-ja, e cila shprehet e sigurt dhe beson se do ta marrë vendin e parë, duket se Vetëvendosja nuk është i sigurt me aq sa prononcohet në opinion. Po të ishte e sigurt nuk do të kërkonte me çdo kusht koalicion parazgjedhor. Frika dhe pasiguria e arsyeshme, për shkak të shkizmës që ndodhi dy vjet më parë, bën që kjo parti të angazhohet maksimalisht, meqë nëse ndodh që edhe kësaj radhe të mbetet në opozitë, do të ballafaqohet me një humbje të pariparueshme.
Në këtë nguti, disa kundro të Vetëvendosjes nuk po tregojnë aspak maturi, përkundrazi, ata po bëjnë gabime të rrezikshme dhe po i shkaktojnë dëm vetë partisë.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri me rastin e kalimit në Vetëvendosje, ka folur edhe për mundësitë e koalicionit parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Bahtiri theksoi se e kanë kushtëzuar LDK-në, që kandidat për kryeministër të jetë Albin Kurti dhe të marrin pa kusht në qeverisje Ministrinë e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme në të kundërtën, ka paralajmëruar se nuk do të ketë marrëveshje bashkëpunimi.
Kushtëzimi i tillë, paragjykon se LDK-ja është një viktimë e nevojshme për ta, me qëllim për ta marrë pushtetin, dhe për ta dirigjuar koalicionin me kushtëzime por jo duke e trajtuar si një parti serioze politike, e cila sipas të gjitha sondazheve pritet të marrë më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme.
Oferta e tillë e Agim Bahtirit, me kushtëzime jo vetëm që nuk është serioze, por politikisht është shumë naive, duke paragjykuar LDK-në si një viktimë të përjetshme, e cila u dashka doemos t’i nënshtrohet një partie tjetër, me të cilën nuk e lidh po thuajse asgjë sa i përket programit, orientimit politik e ideologjik. Nganjëherë fitohet përshtypja se Vetëvendosja ka pranuar në radhët e veta edhe “kuadro” të tillë, të cilët qëllim primar kanë rrënimin nga brenda, sikur edhe e kanë rrënuar e dëmtuar jo pak herë deri tani.
Insistimi i Vetëvendosjes për koalicion parazgjedhor me LDK-në, madje një insistim këmbëngulës, në radhë të parë për ta mposhtur PDK-në, ( një obsesion i pashërueshëm) në shumë segmente duket i paarsyeshëm. Prepotenca e disa krerëve të Vetëvendosjes, mungesa e shprehur e taktit politik e diplomatik, nëpërkëmbja “a priori” e LDK-së, me një anë duke e lutur për koalicion dhe në anën tjetër duke e kushtëzuar, bëhet me qëllim për ta krijuar përshtypjen se ajo është parti e dobët, është parti pacifiste, me të cilën ashtu sikur ka “manipuluar” PDK-ja dhe jo vetëm ajo, mund të manipulojë edhe Vetëvendosja.
Ky qëndrim aspak korrekt i Vetëvendosjes, nuk i kontribuon afrimit, por e thellon hendekun, ndërsa LDK-ja, nëse vërtetë nuk e konsideron veten viktimë gjithnjë të përdorshme nga partitë e tjera, nuk do të pranonte asnjë kushtëzim të tillë.
Vetëvendosja me lutjet që po i bën, kryetarit, Isa Mustafa, po vë në pyetje kredibilitetin e saj. Mendoj se për të qenë korrekte me veten dhe me raportet mes partive, në ditën që kryetari, Albin Kurti është takuar me Isa Mustafën, me qëllim për të diseduar lidhur me një koalicion parazgjedhor, në radhë të parë ka qenë dashur t’ i kërkojë falje ( mbase edhe i ka kërkuar, por jo publikisht) për të gjitha veprimet që ka ndërmarrë, ai vetë dhe Vetëvendosja si kundër kryeministrit, Isa Mustafa, ashtu edhe kundër kryetarit të LDK-së dhe partisë së tij. Vetëm në këtë mënyrë Vetëvendosja do të manifestonte një qëndrim serioz e burrëror dhe jo me prepotencë e muskuj, sikur bën “më trimi” i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili e “bashkoi qytetin e ndarë vetëm me nënshkrime”, apo sikur bën Glauk Konjufca duke i kërkuar LDK-së, atë që nuk do ta pranonte për Vetëvendosjen.
Mbetet për të besuar se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nëse vërtetë ia do të mirën vendit, dhe nuk vepron vetëm për inat patologjik kundër PDK-së, do të sillet me seriozitet, maturi dhe pjekuri, të cilat nuk do të duhej t’i mungonin në këto çaste, në mënyrë që të mos rrezikojë unitetin e brendshëm të partisë, e cila mund të rezultojë edhe me një ndarje e përçarje të brendshme. Mjaftojnë dy tri koka të nxehta të trimave, të cilët në kohën e dëshmimit të trimërisë kanë qëndruar larg logut, që të marrin nëpërkëmbë edhe një pjesë të vetëvendosjes, ashtu sikur morën trimat e kreshpëruar, D. Molliqaj, F. Krasniqi e të tjerë, pak vjet më parë, pikërisht atëherë kur Vetëvendosja shënoi kulmin e rritës dhe fitores partiake.
Tani për tani nuk ka gjasa se do të arrihet një koalicion Vetëvendosje-LDK, të paktën jo me kushtëzime, që vënë në pikëpyetje partneritetin, mirëbesimin. Mënyra si po veprojnë disa zyrtarë të Vetëvendosjes i shkon për shtati sidomos LDK-së, e cila këtë “vardisje por me kushtëzime” të Vetëvendosjes po e trajton me shumë maturi, duke u promovuar si parti, numër një, të cilës ia kanë nevojën të gjitha partitë e tjera, në këtë mes edhe partia më kundërshtare.
Nga përvoja e deritanishme e lidhjeve të koalicioneve parimore e jo parimore, mund të priten vetëm kombinime që pretendohen të sigurta për fitore, pavarësisht se cilat rezultate do t’ i korrin ato. Nuk duket e mundshme ndonjë alternativë tjetër. (A.Q.)