Pas përçarjes që ka bërë në tri komunat e Kosovës Lindore, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku afër gjysma e zgjedhëse nuk morën pjesë në zgjedhjet vendore të Serbisë, të njëjtën përçarje Albin Kurti dhe Vetëvendosja po e përshkallëzojnë edhe në Maqedoni, me qëllim të dobësimit të partisë më të madhe në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.
Mediet në Maqedoni bëjnë të ditur se Vetëvendosje e Albin Kurtit, është përfshirë edhe zyrtarisht në garën për pushtet në Maqedoninë e Veriut, duke iu bashkuar koalicionit të opozitës të dobët shqiptare në një koalicion.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti njoftoi se në hapjen e zyrës së përbashkët të këtij koalicioni në Shkup mori pjesë edhe Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit. Kjo lëvizje i bashkohet Lidhjes Europiane për Ndryshim. Në hapjen e shtabit morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti, Izet shkroi Mexhiti. Në këtë ngjarje, ai ka thënë se me inkuadrimin e partisë së Kurtit, do ta bëjnë ndryshimin e shumëpritur edhe në Maqedoninë e Veriut.
Në të vetmin vend ku Kurti dhe argatët e tij po arrijë t i futin hundët, dhe nuk po arrijnë asnjë rezultat me përçarje është Shqipëria, edhe pse atje bëhen “përpjeke të mëdha për mbi vdekje”, por nga këto përpjekje në zgjedhjet e fundit atje ngelën në veriga vetëm një mi leshatok dhe mijushe anemike, dhe, asgjë më shumë. Ata pretendonin t i fitonin të paktën tri vende në Kuvendin e Shqipërisë, por fituan “Të trashët e surles”.
Albin Kurti, edhe pse ka respektin më të madh për Sali Berishën, këtë e thotë në rrethin e tij të ngushtë, ai nuk ka guxim ta përkrahë hapur, vetëm sepse Berisha është në listën e zezë të Amerikës dhe person i shpallur “non grata”. Ky fakt ia ka mbyllur rrugën përkrahjes, me qëllim për ta rrezuar Qeverinë Rama, të cilën Kurti nuk e duron dot, sepse nuk matet dot me Edin, në diplomaci, inteligjencë dituri e zgjuarësi, nuk e duron superioritetin e tij, sepse ndihet në siklet të inferioritetit sa herë takohet me të.
Përse Kurti me argatë, sejmenë e ithtarë të tij po ndërmerr këta hapa me qëllim të thellimit të përçarjes ndër shqiptarë, dhe përse po e përkrahin disa “koka” të vetëvendosjes nga ata që aq shumë pretendojnë se janë të angazhuar në krijimin e uniteti brenda-kombëtar, me qëllim edhe të bashkimit. Apo ndoshta krejt ato fjalë të zjarrta patriotike i kanë folur për të fituar besimin e zgjedhësve, duke i mashtruar me premtime ndër më të ndryshmet ndërsa në mendje kanë bluar dhe e bluajnë atë thënien cinike të Nikolla Pashiqit: Narode moj, stoko moja, “Populli im shtaza ime besnike”. Natyrisht se një popull, shumicën e të cilit e kanë mashtruar pushtuesit, në të kaluarën, pse të mos e mashtrojnë edhe bashkëkombësit. Ka matrapazë të tillë plot e përplot.
Kurti do t’ i përçante edhe bashkëvendësit e tij në Mal të Zi, por atje ka pak shqiptarë dhe nuk ia mbushin syrin. Atje ku ndër shekuj janë “sukobitë” shqiptarët e cernagorët, tani ata janë kumbarë e “pobratima” dhe janë pajtuar përfundimisht me pozitën e tyre minoritare nën Mal të Zi. Atje nuk ka çka lypë Vetëvendosja, sepse edhe nuk e do askush.
Pretendimet dhe zotimet e Kurtit dhe ithtarëve të tij besnikë të verbër për bashkimin dhe unitetin e shqiptarëve, kanë dalë sheshit, dhe tashmë po rezultojnë me përçarje, mungesë respekti njerëzor e kombëtar.
Shumica shqiptare në Maqedoni, edhe pse nuk ka marrë pjesë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, besimin qe 20 vjet ia ka dhënë Ali Ahmetit, drejtuesit ë luftës në Maqedoni dhe fituesit konstant në zgjedhje. Kjo i pengon Albin Kurtit. Madje shumë më tepër i pengon edhe dashuria e respekti vëllazëror që ka Ali Ahmeti me të vetët për krerët e luftës së UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin Rexhep Selimin e të tjerët, me të cilët ka marrë pjesë edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si kuadër i lartë i saj.
A është kjo arsyeja kryesore pse Albin Kurti pretendon ta rrëzojë Ali Ahmetin, apo pas tërë kësaj fshihet diçka edhe më e zezë e më e kobshme, që jo vetëm njëherë e kemi përjetuar nga të tillët…
Albinit dhe albinistëve u ka mbetur në ADN-në politike mesazhi i internacionales, i modifikuar :
Botën e sotme shqiptare
Ne do ta shkatërrojmë,
E për veten tonë në vend të saj
Republikën-Kurti do ta krijojmë…
Ahmet Qeriqi
- 12. 2023
Prishtinë