Vetëvendosja: Vazhdon fushata e egër e arrestimeve të deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes

Në reagimin e Vetëvendosjes lidhur me arrestimin e deputetëve dhe aktivistëve të kësaj Lëvizjeje thuhet: Qeveria e frikacakëve Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, duke e parë që protesta e 17 shkurtit do të jetë masive dhe e fuqishme, po e vazhdon fushatën e përndjekjeve dhe arrestimeve të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDSOJE!. Gjatë natës, fshehtazi, Policia e Mustafës dhe Thaçit, e urdhëruar nga EULEX-i, hyri në shtëpitë e shumë aktivistëve për t’i arrestuar ata. Pas propagandës e shpifjeve policore se kinse paskan informata për përgatitjen e akteve të dhunës në protestë, ata vazhduan me aksionin e tyre policor për të mbjellë frikë. Sot herët në mëngjes, u arrestua në banesën e tij drejtuesi i Grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, ndërkohë që në Vushtrri policia arrestoi aktivistin Kasim Uka. Kushdo që e kundërshton Serbinë në Kosovë po arrestohet. Aksioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 2009 kundërshtonte Protokollin e bashkëpunimit që kishte nënshkruar EULEX-i me policinë kriminale të Serbisë, pra për ta lejuar ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Ky protokoll mes tjerash parashihte këmbimin e informatave mes policisë së EULEX-it dhe asaj të Serbisë për aktivitetin policor. Nga ky protokoll nuk rezultoi të jenë arrestuar asnjë prej kriminelëve të luftës nga radhët e policisë e paramilitarëve të Serbisë, asnjë prej kriminelëve e kontrabanduesve në veri. Por pati një mori akuzash e dënimesh të pjesëtarëve të UÇK-së për gjoja krime lufte. Aktivistët tanë po arrestohen sot, një ditë para protestës së madhe kundër instalimit të Serbisë në Kosovë, dhe kundër kësaj qeverie që po e shtyn përpara një gjë të tillë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetit Glauk Konjufca, të Frashër Krasniqit dhe Kasim Ukës, dhe ndaljen e menjëhershme të përndjekjes ndaj aktivistëve të Lëvizjes, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Kontrolloni gjithashtu

Ministri, Ejup Maqedonci, diskutoi  përforcimin e sigurisë kombëtare me NATO-n për stabilitet dhe integrime

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë e forcimit të aspektit të sigurisë për …