Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, dëshiron të sjellë edhe një herë në vëmendje problemet e mëdha që përjetojnë në Kosovë punëtorët gjithnjë e më të paktë dhe të papunët gjithnjë e më të shumtë. “Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Punëtorëve, le t’ua kujtojmë të gjithëve se punëtorët e Kosovës e kanë të mohuar kontributin e tyre në ekonominë kombëtare, dhe po shtyhen gjithnjë e më shumë në emigracion apo në papunësi. Në emër të një projekti kolonial, atyre po iu imponohen kushte gjithnjë e më të vështira, shoqëruar nga një projekt intensiv shkombëtarizimi prej forcave qeverisëse që janë njëherazi servile në planin ndërkombëtar, të përulura ndaj vijimit kolonial të shfrytëzimit serb të Kosovës, si dhe shtypëse të punëtorëve e kundërshtuese të të drejtave të tyre. Për të kuptuar gjendjen e punëtorëve në Kosovë, mjafton të shihet gjendja e ekonomisë së Kosovës. “Gjigantët industrialë të Kosovës janë privatizuar e janë shkatërruar, duke lënë pa punë shumë kuadro e punëtorë të kualifikuar. Prodhimi është dëmtuar rëndë nga importi i pakontrolluar dhe nga mungesa e mbrojtjes prej qeverisë. Ndërsa kapitali vendor është në masë të madhe i përqendruar në sektorë si ndërtimi, bankat, mediet apo shërbime të tjera. Fatkeqësisht, punëtorëve në këto sektorë rrallë u njihen të drejtat kontraktuale e u paguhen kontratat. E këto sektorë, sidoqoftë, punësojnë shumë pak njerëz, gjë që për shumicën lë si zgjidhje vetëm mërgimin”, thuhet më tutje në komunikatë.
Kontrolloni gjithashtu
Deputeti Arben Gashi ngre akuza për shkelje kushtetuese në Kuvend
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar në lidhje me seancën e mbajtur në Kuvendin …