Vezir Jashari lindi në fshatin Gadish të komunës së Gjilanit. Qysh në moshë të re i vdes nëna, Çibria e pak vite më vonë edhe babai, Neziri.
Veziri ishte rritur duke e ndier thellë në shpirt mungesën e prindërve. Mirëpo për të u përkujdes xhaxhai i tij Azizi.
Familja Jashari e Gadishit ka një histori të begatshme të rezistencës, qysh nga koha e pushtimit turk dhe serb. Shumë pjesëtarë të kësaj familjeje u vranë dhe u masakruan nga forcat e ndryshme pushtuese, për shkak se ata rezistuan dhe nuk u pajtuan me robërinë.
Gjyshi i babait të dëshmorit, Shaban Jashari, ishte masakruar nga serbët në vitin 1912, në fshatin Gumnishte, ndërkohë që gjatë internimit, kishte humbur edhe dy vëllezërit e tij. Kjo familje atdhetare pësoi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vezir Jashari shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Ferizaj. Ishte nën ndikimin e kushëririt, Ekrem Jashari, një veprimtar i njohur politik, pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968 e më vonë në lëvizjen ilegale, në LPRK, LPK dhe në luftën e armatosur të UÇK-së.
Edhe pse i ri, së bashku me bashkëmoshatarët e tij dhe kushërinjtë, Vezir Jashari ka marrë pjesë në demonstratat popullore të vitit 1989, në Ferizaj.
Në moshën madhore, inkuadrohet në lëvizjen ilegale dhe bëhet pjesëtar i LPK-së, në Ferizaj. Mbante kontakte ilegale me Rexhep Bislimin, Xhavit Gashin e veprimtarë të tjerë. Me udhëzimin e kushëririt, Ekrem Jashari, në qershor të vitit 1998, Vezir Jashari inkuadrohet në radhët e UÇK-së, në Malishevë, meqë asokohe UÇK-ja ende nuk kishte dalur hapur në rrethinën e Ferizajt.
Shtëpia e xhaxhait të tij në Ferizaj ishte bërë bazë ilegale e luftëtarëve të lirisë, të cilët po përgatiteshin për t’u rreshtuar në UÇK.
Në verë të vitit 1998, Vezir Jashari me shumë bashkëluftëtarë shkon në Shqipëri, me qëllim për të marrë armë e municion për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila po zgjerohej dhe po konsolidohej fuqishëm, sidomos në Drenicë dhe në Dukagjin.
Në korrik të vitit 1998, në kohën kur kishte filluar të vepronte Zona Operative e Neredimës e UÇK-së, në krye të së cilës ishte komandanti Shukri Buja, Vezir Jashari rreshtohet në radhët e luftëtarëve të kësaj zone. Asokohe ishte sistemuar në pozicionet luftarake të fshatit Jezerc.
Ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar gjatë Betejes së Jezercit, më 26, 27 dhe 28 shtator 1998. Vezir Jashari ishte në mesin e ushtarëve më të angazhuar, gjithnjë duke kryer detyrat që i caktoheshin nga komanda.
Më 15 janar, në kohën kur forcat ushtarake e policore serbe kishin ndërmarrë një aksion barbar për shfarosjen e popullatës shqiptare në Reçak të Shtimes dhe në fshatrat përreth, Vezir Jashari ndodhej në përcjellje të komandantit, Ymri Ilazi. Prej 15 deri më 19 janar ai ka marrë pjesë në luftimet që u zhvilluan me qëllim për të mos lejuar forcat serbe t’i marrin kufomat, të cilat i kishin masakruar, me qëllim për të fshehur gjurmët e krimit. Më 19 janar, Vezir Jashari, bie heroikisht në altarin e Atdheut.
Veziri nuk ka qenë i martuar. Ai ka lënë vëllezërit: Afrimin e Zekirin si dhe motrat: Makbulen, Miradijen e Alijen. Në Ferizaj, një rrugë e mban emrin e dëshmorit. Me emrin e tij është emërtuar edhe shkolla fillore ku ai kishte marrë mësimet e para.
Familja Jashari ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Neredimes, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …