Daltaban Mustafa Pasha ishte shqiptar i lindur në Manastir, i cili depërtoi në shkallët e karrierës politiko-ushtarake, në radhë të parë falë zgjursësisë dhe aftësive të tij. Në literaturën turke nuk duket të jetë precizuar origjina e tij, meqë ka shënime që e nxjerrin nga radhët e popujve sllavë të Ballkanit. Nga jeniçer i thjeshtë në një kohë të shkurtë emërohet komandant i jeniçerëve. Ai qeverisi në disa vilajete të Perandorisë Osmane si në Bagdad, Ballkan, Bosnjë dhe në Anadoll. Qeverisi vendin si kryeministër në vitet 1702-1703.
Mustafa pasha u lind Manastir. Nofka “daltaban” iu dha sepse ishte i shpejtë dhe i zhdërvjellët. Ka qenë në mesin jeniçerëve dhe qysh në moshë të re është emëruar në detyra të ndryshme shtetërore. Fillimisht iu besua detyra e Kapuxhi-bashit, pastaj Aga i Jeniçerëve dhe në moshën e pjekurisë arriti të emërohet Vezir i Madh. Mustafa Pasha komandoi ushtrinë osmane, në Anadoll, ndërsa ne vitin 1696 edhe në Dijarbakir, ku shërbeu si Vali. Me gradën e Vezirit u emërua Mëkëmbës i Bosnjës dhe me vonë edhe Mëkëmbës i Bagdatit. Ne vitin 1701 ishte transferuar ne Vilajetin e Anadollit.
Më vonë emërohet Kryesekretar i Pallatit Perandorak, në Stamboll. Në kohën kur Shejul- Islami ishte përplasur me Vezirin e Madh, Hysein Pashë Qyperliun, i cili donte të vendoste rregulla në shërbimin e brendshëm të shtetit, duke zgjedhur në funksione nëpunës të aftë, të kualifikuar dhe të pa korruptuar, u pa e nevojshme gjetja e një Kryeqeveritari te ri. Vëmendja u përqendrua te Mustafa Pasha “Këmbëshpejti”. Ai u emërua në postin e Vezirit të Madh gjatë sundimit të Sulltan Mustafait. Thuhet se Mustafa Pasha ka qenë i vetmi Vezir i Madh, që njihet edhe për faktin se nuk kishte arritur ta mësonte dhe ta zotëronte si duhet, gjuhën turke.
Biografët e tij kanë shkruar se Mustafa Pasha mbante lidhje të ngushta me qarqet evropiane të Stambollit. Edhe pse nuk kishte arsim të lartë, ai ishte i zhdërvjellët dhe njihte mirë realitetin shoqëror të kohës si dhe funksionimin e administratës shtetërore. Ai qëndroi ne funksionin e Kryeqeveritarit të Perandorisë Osmane vetëm 4 muaj e 20 ditë. Në kohën sa kishte qenë Vezir i Madh tregua mjaft i ashpër dhe i pa kompromis në dënimin e abuzimeve, duke ndëshkuar edhe personalitetet e larta shtetërore.
Është i njohur për mbështetjen që iu bënte veprave të artit e sidomos veprave të arkitekturës. Në kohën e tij ka ndërtuar kompleksin e ujërave të njohur si Qeshmeja në lagjen Eminem. Me nxitjen e Khanit të Krimesë dhe kundërshtarëve të shumtë, Daltaban Mustafa Pasha u shkarkua nga detyra e Vezirit të madh më 24 janar të vitit 1703. Tri ditë më vonë iu mor koka, ashtu sikur shumë vezirëve të tjerë me origjinë shqiptare.
Literatura:
- Josepf von Hammer: Istorija Turskog Osmanskog Carstva. Zagreb 1978.
- Sami Frasheri, Vepra 9, Personalitetet shqiptare ne Kamus al Alam, Logos Shkup 1994
- Nexhip Alpan, Nesip Kaçi, Shqiptaret ne Perandorine Osmane, Albin 1997
- Robert Mantran, Historia e Perandorise Osmane, Dituria 2004
- http://www.yenisafak.com/…/arnavutluk-ve-arnavutlar-3-20264…