- Secila kushtetutë e ka domosdoshmërisht një kuptim para interpretimit të saj. Kuptimi i interpretimit kushtetues bazohet në polemikën e përjetshme mes juristëve: A duhet interpretimi i një kushtetute të bazohet në “germën/shkronjën” apo në “frymën” e saj? Teoria kushtetuese dhe identiteti kushtetues kosovar, i pranojnë që të dyja, edhe germën edhe frymën kushtetuese. Germa është interpretuar disa herë nga Gjykata Kushtetuese me aktgjykimet e saj meritore, ndërsa fryma duhet të kuptohet si tërësia normative e saj dhe jo interpretimet paushalle mbi disa nene të caktuara. Kjo sepse kuptimi origjinal i një kushtetute është “kuptimi i shqiptimit”, i cili duhet të dallohet nga kuptimi i tij origjinal semantik (letrar) dhe kuptimi i tij fillestar.
- Debati aktual në Kosovë se kush ka të drejt, presidenti apo kryeministri, është i drejtuar keq, së pari, sepse premisa kryesore e tij bazohet në një përcaktim të pajustifikuar dhe të pasaktë të demokracisë, në terma thjesht proceduralë, si rregull i shumicës parlamentare. Kosova është e modeluar sipas kushtetutës së saj, si demokraci kushtetuese parlamentare, ku Kuvendi është organi numër një dhe çdo pushtet tjetër derivon nga ai, edhe presidenti edhe kryeministri (qeveria).
- Më 6 tetor 2019-një parti politike (Lëvizja Vetëvendosje) ka dalë e para në sistemin tonë proporcional zgjedhor si fituese e zgjedhjeve. Asaj i jepet e drejta për ta bërë qeverinë e para, jo pse i pëlqen dikujt dhe jo pse duhet, por si besnikëri për sovranin (popullin) që e ka votuar (atë parti) më së shumti dhe e ka renditur të parën.
- Kosova është vendi i parë dhe mbase i fundit në Evropë që qeveria e saj rrëzohet për qëllime të tjera dhe jo të politikës së brendshme. Rëndësia e vërtetë e kërkesës së përgjithshme që një qeveri ta ruajë besimin e Kuvendit buron në detyrimin që ajo qeveri të mbrohet, të shpjegojë politikat e saj dhe të justifikojë veprimet e saj, për prapaskenat e veta, për raportin me partitë e opozitës dhe përmes tyre për vendin/kombin në tërësi. Qeveria e Albin Kurtit nuk ka rënë për asnjërën prej këtyre kritereve fundamentale të demokracisë kushtetuese parlamentare.
- Neni 82.2 i Kushtetutës së Kosovës nuk është apriori i gjykueshëm me fjalën MUND – të cilën kushtetutbërësi e ka përcaktuar si mundësi të presidentit për shpërndarjen e kuvendit. Kritikët, që janë laik kryesisht, me të drejt thonë se ky nuk është domosdoshmërisht një detyrim absolut. Por cila është logjika mbrapa përdorimit të këtij neni dy herë në historikun e paspavarësisë?
- Në dy rastet paraprake, në vitin 2010 dhe 2017, presidentët (u.d. Krasniqi dhe Thaçi) e kanë përdorur nenin 82.2 (shpërndarja e kuvendit) si normë autorizuese dhe jo si një normë diskrecionale. Në dy rastet në fjalë presidentët respektiv të Kosovës kanë qenë të bindur, se herën e dytë nuk mund të formohet një qeveri e qëndrueshme. Prandaj si e vetmja zgjidhje shihen zgjedhjet. Meqë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (2014) thotë shprehimisht se presidenti nuk ka diskrecion në refuzimin e kandidatit për kryeministër – po ky aktgjykim në petitumin e tij (pika dh.) thotë se, “në rast se kandidati për kryeministër nuk merr votat e nevojshme…”, dhe nuk flet nëse një kryeministër rrëzohet me mocion mosbesimi por, flet vetëm në rast se kandidati për kryeministër nuk e merr besimin e shumicës së nevojshme parlamentare (61 vota).
- Vetëm në pikën (e) të petitumit, ky aktgjykim flet për dhënien e serishme të së drejtës për partinë e njëjtë por, me mandatar (kandidat për kryeministër) tjetër. Kjo donë të thotë se pa Lëvizjen Vetëvendosje NUK mund të bëhet qeveria e re. Kjo mund të ndodh vetëm nëse ajo heq dorë me shkrim tek Presidenti se nuk mund ta formojë një shumicë të re parlamentare.
- Sipas germës kushtetuese dhe praktikës së mbivendosur të tekstit normativ, Presidenti i Republikës, z. Hashim Thaçi, do të ishte brenda të drejtës së tij për shpërndarjen e Kuvendit (neni 82.2), për së dyti herë në jetën e tij presidencial-nëse partia e parë e dalë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 (LVV) nuk i ofron një emër të ri për kryeministër atij. Vetëm kjo gjë, Kosovën, do ta çonte në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.