Kapitalizmi

Viktor Malaj: Kapitalizmi (Mbi debatin për legjitimitetin e socializmit)

Profesor, Fatos Tarifa botoi në disa numra të gazetës Dita pjesë të një libri të tij mbi legjitimitetin e sistemit shoqëror që u zbatua në Evropën Lindore gjatë shekullit të 20-të. Sipas gjykimit tim, punimi i z. Tarifa ishte serioz dhe meriton vëmendje nga njerëzit e interesuar për problemet social-politike të vendit dhe botës. Mua më ngjan se, më shumë se shprehje e gjykimeve dhe vlerësimeve të autorit, libri është një studim i mendimeve dhe vlerësimeve të studiuesve autoritarë të Perëndimit rreth problemit në fjalë.

Analizat e rendeve shoqërore janë punë që kërkojnë shumë mund dhe dije dhe, pa dyshim, duhen libra të tërë për t’i paraqitur. Unë mendoj se edhe puna e z. Tarifa ka qenë voluminoze dhe, si çdo punim tjetër, gjen përkrahje dhe kundërshtime. Unë po shpreh këtu vetëm disa mendime të mijat rreth problemit në fjalë, pa u marrë me librin të cilin nuk e kam në dorë.

Përpara se të gjykojmë rreth legjitimitetit të Socializmit Shtetëror mendoj se duhet të kemi të qartë disa gjëra: Çfarë është legjitimiteti? Cili është legjitimiteti i sistemeve politike dhe ai i udhëheqjeve politike brenda të njëjtit sistem politik? A bien sistemet politike pse humbin legjitimitetin apo për shkaqe të tjera? Çfarë ishin në të vërtetë sistemet politike të Evropës Lindore gjatë shekullit të 20-të dhe çfarë është sistemi politik i Perëndimit, në të cilin jemi futur edhe ne pas vitit 1990?

Për legjitimitetin ka pasur dhe ka përcaktime të ndryshme si: “përputhja me parimet, rregullat dhe standardet e vendosur; si gjendje e diçkaje që ekziston dhe vepron në përputhje me ligjet e arsyes apo që e justifikon veten etj. “. E shprehur thjesht, mund të themi se duhet konsideruar legjitime diçka që, në kohë dhe rrethana të caktuara, e meriton dhe ka të drejtë të ekzistojë.

Autorë dhe studiues të elitës së mendimit sociologjik e politik botëror e kanë mbështetur legjitimitetin politik në faktorë të ndryshëm. Disa e bazojnë atë në rrugët dhe procedurat e formimit të institucioneve politike dhe vendimeve që ato marrin, ndërsa të tjerë iu japin më shumë rëndësi vlerave të realizuara. Maks Veber e quante një regjim legjitim, nëse ai gëzon besimin e shumicës së popullit (për shkak të traditës së gjatë, për shkak të besimit në karizmën e sunduesve apo për arsye të tjera subjektive e konsiderojnë të ligjshëm dhe si të tillë i duhet bindur). Ky konsiderohet si koncepti përshkrues i legjitimitetit, i ndryshëm nga ai normativ (Rawls, Ripstein etj.) që thotë se shteti është legjitim dhe i duhet bindur vetëm nëse pushteti politik shtrëngues është i justifikuar. Xhon Loku e shihte legjitimitetin tek gjendja natyrore ku të gjithë individët janë të lirë të veprojnë sipas gjendjes natyrore dhe asnjëri nuk i nënshtrohet vullnetit të tjetrit. Duke qenë një mendim naiv dhe larg realitetit, u përqesh më vonë si “shteti ku të gjithë janë mbretër”. Ndërsa Kanti i jepte përparësi arsyes publike në nënshtrimin ndaj autoritetit politik, Rusoi quante kryesore pjesëmarrjen demokratike në qeverisje.

Po Socializmi Shtetëror sa ishte (është) legjitim në pretendime, synime, mënyrën e funksionimit dhe rezultatet e arritura?

Nuk ka dyshim se përcaktimi i legjitimitetit politik nga njerëz të ndryshëm varet nga formimi i tyre dhe raportet që ata kanë me sistemet politike apo qeverisjet e ndryshme brenda sistemit. Jo më kot Karl Marks pati thënë se “Qenia shoqërore përcakton ndërgjegjen shoqërore” përfundim që, më vonë, u shpreh në mënyrë figurative me thënien: “Nuk mendohet njëlloj si në pallat ashtu edhe në kasolle”. Ndryshe e konsideronin dhe vlerësonin sistemin politik të pas Luftës së Dytë Botërore shumica e popullsisë shqiptare që arriti të dalë nga gjendja e mjerimit kulturor, shëndetësor dhe social dhe, me të drejtë, krejt ndryshe ajo pjesë e popullsisë e cila, përveç se humbi pozitat e mëparshme sunduese, sistemi politik e zhveshi nga pasuritë e trashëguara apo të fituara, pavarësisht se si.

Edhe sot, tjetër mendim kanë për sistemin politik ata që mbetën pa punë apo u hoqën nga puna me pretekste reformash, më së shumti abstrakte, dhe krejt ndryshe kategoria shoqërore e një zonje aktuale e cila, në mënyrën më të turpshme të mundshme, deklaron se merr shtatë rroga njëherësh, dy nga të cilat në institucionet shtetërore shqiptare. Ndryshe e vlerësojnë sistemin aktual politik ata shqiptarë që s’kanë në pronësi një banesë apo jetojnë nëpër kasolle gjithfarëshe dhe krejt ndryshe kategoria e atij zyrtarit të sotëm shqiptar që deklaron se zotëron 46 apartamente banimi. Në vlerësimet që bëjnë, në legjitimimin apo jo të sistemit, të dyja palët janë në të drejtën e tyre.

Për të qenë të drejtë me të vërtetën, përpara se të gjykojmë për legjitimitetin e dy sistemeve politikë të kundërt që funksionuan gjatë shekullit të 20-të, duhet të pranojmë se në vendet e Evropës Lindore komunizmi s’u arrit kurrë, por funksionoi i quajturi Socializëm Real, si periudhë kalimtare drejt komunizmit. Ndërsa sistemi politik që funksionon në Perëndim nuk është demokracia por kapitalizmi pasi, siç thoshte Zhan Zhak Ruso “Demokracia as ka ekzistuar dhe zor të ekzistojë ndonjëherë”. Nëse ne pranojmë, me mendjelehtësi apo për interesa të caktuara, të identifikojmë kapitalizmin me demokracinë, atëherë nuk ka më vend për të diskutuar për legjitimitet të tij pasi kemi të bëjmë me sundimin e popullit, pra me sundimin e të sunduarve (?!).

Themeluesi i doktrinës komuniste Karl Marksi është quajtur filozof revolucionar sepse, siç thoshte vetë, “Deri tani, filozofët nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë shpjeguar botën në mënyra të ndryshme, por gjithë çështja është ta ndryshosh atë”. Duke e ditur mjaft mirë se, qysh nga lindja e shtetit, bota është sunduar nga një pakicë njerëzish, për interesat e veta dhe me mjetet që kanë vendosur ata, si dhe duke parë gjendjen e atëhershme të shoqërisë njerëzore, qoftë edhe në vendet kapitaliste perëndimore, Marksi mendoi dhe besoi se e vetmja rrugë shpëtimi ishte revolucioni me të cilin do të përmbyseshin pakicat sunduese dhe shtypëse dhe pushtetin do ta merrnin grupe shoqërore që përfaqësonin interesat e shumicës së shtypur. Ai e dinte se këta të pasur dhe sundimtarë, jo vetëm nuk po e shihnin të arsyeshme t’iu bënin të varfërve disa “lëshime” por, përherë e më shumë po iu rritej oreksi për pasuri dhe, rrjedhimisht, shtonin edhe përdorimin e mjeteve kriminale për shtimin e saj. Duke e ditur se sundimi i pakicës mbështetej mbi epërsinë pronësore, të fituar kryesisht nëpërmjet krimit, ai besonte dhe mësonte se prona duhej bërë e përbashkët ku duhej të kontribuonin të gjithë dhe të mos i jepej askujt mundësia të luftonte, shfrytëzonte apo shtypte të tjerët për shkak të etjes për pasurim mbi nevojat e domosdoshme dhe jashtë mundësive të shoqërisë për të shuar etjet e të pangopurve. Në njëfarë mënyre, Marksi ishte doktori i shoqërisë njerëzore dhe revolucioni ilaçi që ai rekomandonte për shërimin e plagëve dhe dhimbjeve shoqërore. Si çdo ilaç edhe ai duhej përdorur nga ata që ndiejnë dhimbje dhe jo nga kushdo.

E thënë me fjalë të thjeshta, sistemet politike janë mënyra të organizimit dhe funksionimit ekonomik dhe politik të shoqërisë njerëzore në periudha të ndryshme të zhvillimit të saj. Të gjitha llojet e këtyre sistemeve janë vetëshpallur si të përjetshëm, kryesisht nga themeluesit dhe përfituesit e tyre, duke filluar me sistemin skllavopronar e deri tek ai “komunist”. Mbretëruesit, pavarësisht nga emërtimi, mbretër, perandorë, carë, faraonë etj. ishin vetëshpallur si të dërguarit e Zotit në tokë dhe, jo rrallë, ishin pranuar dhe konsideruar si të tillë. Sjelljet dhe veprat e tyre, sado kriminale të ishin, më së shumti konsideroheshin me frymëzim hyjnor dhe shumica e popullit i nënshtrohej autoritetit të tyre. Megjithëse skllavopronaria mbetet ndër format më kriminale të organizimit shoqëror, ajo zgjati dhjetëra shekuj dhe, me kriteret e sotme të zgjedhjes dhe ushtrimit të pushtetit, ajo mund të shpallet ilegjitime, por ajo ishte produkt i shkallës së zhvillimit shoqëror të kohës dhe nuk mund t’iu “merrte leje” brezave të sotëm për ekzistencën e saj. Madje, një organizim i tillë shoqëror e politik ishte thjesht shprehje dhe realizim i vullnetit të një grushti individësh që, nga pjesa tjetër e popullsisë, i dallonte niveli i lartë ekonomik, një shkallë më e lartë zhvillimi kulturor dhe etja për sundim e pasurim të pakufishëm, por që statusi i tyre nuk kishte asnjë lidhjeje me qenie të mbinatyrshme.

Po të vëmë re, edhe sot, në shumë vende kapitaliste klasa sunduese përpiqet t’i shitet popullit si e destinuar nga një forcë e mbinatyrshme për të qeverisur (nënkupto sunduar) dhe, për të justifikuar sjelljet dhe veprimet e saj të nesërme, ka futur në kushtetutat e vendeve përkatëse referime fetare dhe i bën betimet e marrjes së detyrave shtetërore me njërën dorë në kushtetutë dhe me tjetrën në librat e shenjtë, për t’i shkelur pastaj të dyja gjatë ushtrimit të funksioneve politike. Jo pak ideologë kapitalistë e patën shpallur sistemin aktual si të përjetshëm. Vetë Fukujama, i ngazëlluar nga rënia e sistemeve politike të Evropës Lindore në vitet ’90 pati shpallur “fundin e historisë” dhe përjetësinë e sistemit politik perëndimor, por më vonë u tërhoq dhe e ndreqi konkluzionin e vet të mëparshëm.

Jo pak ideologë të doktrinës marksiste e patën shpallur sistemin politik komunist si të ardhmen e njerëzimit dhe predikonin përjetësinë e tij. I gjykuar nga pikëpamja e synimeve dhe pretendimeve morale e sociale sistemi komunist mbetet më humani dhe, rrjedhimisht, më legjitim se çdo formë tjetër e organizimit shoqëror e politik, por midis synimeve, nga njëra anë, dhe sjelljes e arritjeve, nga ana tjetër, ka shumë dallime. Ashtu si sistemet e tjerë politikë edhe Socializmi Real (si fazë paraprake dhe kalimtare drejt komunizmit) nuk kërkon leje për t’u paraqitur në skenën politike të njerëzimit. Një sistem i tillë u shfaq në skenë ose nëpërmjet revolucionit të pastër shoqëror (si në Rusi, Kubë etj.) ose nëpërmjet kombinimit të luftës për çlirim kombëtar dhe shoqëror (Shqipëria, Jugosllavia dhe në një masë të caktuar edhe vendet e Evropës Lindore pas Luftës së Dytë Botërore).

Kur flitet për legjitimitetin e sistemeve politikë nuk mund të pritet që dy sisteme të kundërt të justifikojnë dhe legjitimojnë njëri-tjetrin. Rrjedhimisht, ashtu si kapitalizmi është ilegjitim për teoricienët dhe politikanët komunistë po kështu edhe komunizmi është i tillë për përfaqësuesit e kapitalizmit. Për fat të keq, edhe brenda të njëjtit sistem politik ka raste kur politikanë apo forca politike e shpallin kundërshtarin ilegjitim, siç po ndodh tani me ndonjë politikan të vrerosur të opozitës shqiptare i cili e quan ilegjitime fitoren e shumicës së dalë nga zgjedhjet e qershorit megjithëse këto zgjedhje u firmosën pa asnjë ankesë nga të gjithë përfaqësuesit e opozitës në të gjithë nivelet. Pas Luftës së Dytë Botërore bota u nda kryesisht në dy grupime të mëdha shtetesh që ndodheshin në garë për triumf politik, ekonomik e moral. Siç e kishte parashikuar ideologu komunist V.I.Lenin, garën do ta fitonte sistemi politik që do të siguronte rendiment më të lartë prodhimi. Dhe kështu ndodhi realisht. Kapitalizmi i kishte të gjitha gjasat që ta fitonte këtë garë për dy arsye madhore: Në fillimin e garës shumica e vendeve kapitaliste dispononte potenciale shumë më të lartë ekonomikë, teknologjikë dhe kulturorë krahasuar me vendet e Evropës Lindore. Përveç kësaj, niveli i ndërgjegjes shoqërore në të gjithë botën nuk është i asaj shkalle që shumica e njerëzve të punojnë për shoqërinë me atë pasion, moral dhe intensitet që punojnë për veten e tyre. Gara i ngjante një vrapimi ku njëri atlet, i veshur me çakçirë vraponte në një rrugë me baltë dhe aleti tjetër, i veshur me kostum sportiv, vraponte në një pistë me tartan. Merret lehtë me mend cili mbërrin më shpejt dhe më larg.

Në të vërtetë, me gjithë synimet për zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së njerëzimit, kredoja e marksizmit nuk është bollëku material, por drejtësia në shpërndarjen e të mirave materiale që prodhohen me pjesëmarrjen e gjithë shoqërisë. Sistemi i Socializmit Real nuk ra pse humbi legjitimitetin, por sepse arritjet e tij në praktikë i komprometuan dukshëm pretendimet e tij morale dhe, nga ana tjetër, popullsitë e këtyre vendeve mund të shihnin “matanë lumit” një panoramë të një jetese më të mirë materialisht dhe, rrjedhimisht, filluan të besonin se shkaktari kryesor i prapambetjes së tyre në raport me Perëndimin nuk ishte historia e zhvillimeve të ndryshme të hershme midis dy “hemisferave”, por përgjegjës i vetëm duhej bërë sistemi i dekadave të fundit.

Po të jetë puna për legjitimitet, të gjitha sistemet politike kanë një histori të tillë të errët që do i bënte ilegjitime po të vlerësoheshin me parimet morale dhe logjikën humane. Sistemi politiko-shoqëror më çnjerëzor, ai skllavopronar, jetoi disa dhjetëra shekuj. Legjitimiteti nuk mund të përcaktohet sipas parimit “Rroftë mbreti, poshtë mbreti”.

Disa sharlatanë politikë dhe honxhobonxho mediatikë të Shqipërisë, prej gati tri dekadash përpiqen ta paraqesin sistemin kapitalist si një shoqatë humanitare apo si një projekt i dhuruar nga Perëndia për njerëzimin. E vërteta e madhe është se historia e jetës rreth katër herë më të gjatë të kapitalizmit se ajo e socializmit real është e mbushur me të gjitha llojet e krimeve, abuzimeve dhe padrejtësive. Në biografinë e tij ndodhen edhe pushtimet, kolonizimet, grabitjet, skllavëria, dallimet raciale, segregacioni, vrasjet, grushtshtetet, diktaturat, luftërat etj. Ai është ende në këmbë jo pse e mban legjitimiteti, por potencialet e mëdhenj ekonomikë, politikë dhe ushtarakë. Nuk do shumë mend për të parashikuar se çfarë do të kishte ndodhur sikur, pasi t’i hiqnim kapelën për arritjet e mëdha shkencore, teknologjike e kulturore, të kishim një forcë të mbinatyrshme për t’i kërkuar dhe detyruar kapitalizmin të kthente të gjithë territoret e zaptuar në botë tek banorët e tyre të ligjshëm (autoktonë); ta detyronim të kthente mbrapsht (së bashku me interesat) të gjitha pasuritë e grabitura ndër shekuj në botë; të dëmshpërblente pasardhësit e banorëve vendas të zhdukur prej kolonizimeve si dhe pasardhësit e skllevërve të shfrytëzuar për 3-4 shekuj rresht; të dëmshpërblente familjet e dhjetëra miliona njerëzve të vrarë prej luftërave të tij pushtuese apo luftërave civile të organizuar e nxitur prej tij etj.etj. Oh, sa do të nervozohej ai nga kjo kërkesë! Do të protestonte fort dhe do ta konsideronte si padrejtësinë më të madhe në historinë e njerëzimit. Nuk do të konsideronte të tillë skllavërinë, pushtimet apo grabitjet, por kthimin e territoreve, pasurive të grabitura dhe dëmshpërblimet përkatëse. Merret me mend çfarë do të ndodhte me Perandorinë Britanike që kishte kolonizuar dhe grabiste dikur  një të katërtën e botës apo me shtetet e Amerikës Veriore e Jugore. Është e sigurt se kurrë nuk do t’i pranonte këto akte të drejta e të moralshme në shkëmbim të legjitimitetit, pasi nuk e ndien nevojën e tij përderisa ka forcën ekonomike, politike dhe ushtarake.

Me gjithë përparimet e mëdha ekonomike dhe rritjen e vetëdijes shoqërore, kapitalizmi vazhdon dhe sot, me mënyra të rafinuara, por edhe të vrazhda, të grabisë atje ku ka dhe ku mundet. Po t’i referohemi Shqipërisë do të mjaftonte të përmendnim rastet e dëmeve që shkaktuan kompanitë e huaja Bankers dhe CEZ dhe, jo vetëm nuk paguan gjë, por “përfaqësuesit e popullit” shqiptar përdorën paratë e shqiptarëve për të dëmshpërblyer banorët e Myzeqesë të dëmtuar nga Bankers, si dhe për t’i dhënë CEZ-it rreth 100 milion euro “për prishjen e marrëveshjes”. Rasti i firmës Betchel, të cilës iu dhanë 230 milion euro prej parave të shqiptarëve për punë të pabërë, tregon se sa parimore është politika kapitaliste. Kjo politikë autorët shqiptarë të “dhurimit” i shpalli “burra shteti” dhe “yje në ngjitje”. Dhe “yjet në ngjitje” vazhdojnë apo mëtojnë të na qeverisin, sepse paratë i morën kryesisht firmat e huaja kapitaliste. Sigurisht që “yjet” tanë nuk mbetën me xhepa zbrazur.

Vepër e kapitalizmit është edhe Lufta e Irakut e cila konsiderohet e padrejtë dhe e panevojshme nga shumica e popullit amerikan duke përfshirë edhe ish-presidentët Xhimi Karter dhe Barak Obama. Studiuesi Noam Çomski e quante:”Krimi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore”, ndërsa ish zëvendësdrejtori i Bankës Botërore dhe fitues i çmimit nobel në ekonomi, Jozef Stiglic thoshte se “Të vetmit njerëz që përfitojnë nga lufta në Irak janë miqtë e Xhorxh Bushit në industrinë e naftës”. Disa analistë dhe politologë më “të moderuar” amerikanë e quajnë këtë luftë “një gabim”. Merre me mend: grabitja e një banke dhe vrasja e rojës së saj konsiderohet krim dhe autori dënohet me të drejtë me vdekje ose burgim të përjetshëm, ndërsa pushtimi i një vendi që ka shkaktuar qindra mijëra të vdekur e të plagosur dhe disa trilion dëme ekonomike quhet “gabim” dhe vendimmarrësi i luftës propozohet nga kapitalizmi si kandidat për Çmimin Nobel të Paqes.

Me gjithë këto e të tjera si këto, kapitalizmi konsiderohet legjitim nga disa teoricienë të Perëndimit dhe shpallet tempull adhurimi nga shumë bubuzhelë e bretkosa politike shqiptare.

Kur gjykojmë rreth sistemit dhe politikës së socializmit real ne, me të drejtë, dënojmë konfiskimet e pasurive të disa individëve dhe shndërrimin e tyre në pronë të përbashkët shtetërore apo kooperativiste, edhe kur nuk vërtetohej se buronin nga krimi, por heshtim ose miratojmë grabitjet që shtetet kapitaliste iu kanë bërë popujve të ndryshëm apo qoftë edhe popullsive të veta nëpërmjet punës së papaguar apo keqpaguar dhe çmimeve të larta të mallrave e shërbimeve dhe, sidomos, nëpërmjet transferimeve të parave të popullit nga buxhetet vendase në duart e një grushti individësh të pasur (edhe në Shqipëri pas 1990) nëpërmjet tenderave, koncesioneve dhe formave të tjera të rafinuara si bail out.

Ne, me të drejtë, dënojmë sot krimet e socializmit real ndaj kundërshtarëve politikë, por heshtim për ato të kryer në vendet perëndimore. Shakaxhinjtë politikë të Tiranës ndërtojnë “bunkarte” për të tallur regjimin e para 1990, por heshtin rreth faktit që shumë vende perëndimore i patën ndërtuar dhe, madje, vazhdojnë edhe sot t’i ndërtojnë tunelet mbrojtëse. Këta shakaxhinj “damkosin” regjimin e kaluar nëpërmjet “shtëpisë me gjethe” nga ku përgjoheshin kryesisht të huajt e dyshuar për spiunazh, por heshtin për faktet se vendet perëndimore kanë përgjuar dhe vazhdojnë edhe sot të përgjojnë cilindo, qytetar të thjeshtë apo politikan vendas e të huaj, duke përfshirë edhe shtetarët tanë. Si për të dëshmuar mungesën tërësore të personalitetit, njëri nga politikanët tanë, i shquar për preshin që “i dhuroi” populli i Lushnjës në vitin 1997 si shenjë mirënjohjeje për demokracinë e kioskave dhe të firmave piramidale që iu pati sjellë, na qetësoi vitin e kaluar duke na thënë se “Nuk ka asgjë të keqe nëse na përgjojnë amerikanët, sepse janë miqtë tanë”. Me të drejtë, dënojmë përndjekjet e disa intelektualëve shqiptarë në vitet ’40 dhe ’50 në Shqipëri nga regjimi i kohës, por heshtim ose miratojmë përndjekjet që kapitalizmi iu ka bërë shumë intelektualëve të mirënjohur, duke përfshirë edhe Ajnshtajnin, si dhe dy intelektualët tanë kryesorë të atyre viteve, Fan Nolin dhe Faik Konicën. Ne, me të drejtë, fajsojmë regjimin shqiptar të para 1990 për kufizimin drastik të daljes jashtë shtetit të shtetasve shqiptarë por justifikojmë apo miratojmë moslejimin nga shtetet perëndimore të lëvizjes së lirë të shqiptarëve drejt tyre apo kushtëzimin e kësaj lëvizjeje me sasinë e parave që kanë në xhepa kur mbërrijnë në aeroporte.

Është apo s’është legjitim, kapitalizmi do të jetojë edhe për një kohë të gjatë sepse atë e mban në këmbë fuqia e madhe ekonomike. Për aq kohë sa popullsitë vendase do të kenë mundësi të plotësojnë nevojat e tyre më të domosdoshme sistemi do të karakterizohet kryesisht nga paqja dhe stabiliteti dhe “bisha e brendshme”, siç e quajnë amerikanët popullin, do t’i besojë sistemit dhe udhëheqjeve përkatëse. Këlyshët e luanit, tigrit dhe ujkut kanë mjaft arsye të jetojnë në harmoni dhe të lirë dhe t’i konsiderojnë prindërit e tyre si më të mirët në botë. Çështja është se çfarë mendojnë barngrënësit, drerët, zebrat dhe lopët, me mishin e të cilave ushqehen “familjet” e ujqërve dhe sivëllezërërit e tyre.

Ne e pranojmë alternativën e kapitalizmit jo për shkak të ndonjë supremacie morale, por për shkak të fuqive dhe mundësive për progres ekonomik më të madh dhe më të shpejtë se sistemi që u zbatua në Evropën Lindore. Nuk duhet të harrojmë se në kapitalizëm ndodhen jo vetëm vendet perëndimore, por edhe shtete të tilla si India ku qindra miliona njerëz vuajnë për gjërat dhe shërbimet më të domosdoshme dhe miliona të tjerë vdesin nga mungesa e të ushqyerit dhe shërbimet e nevojshme mjekësore. Edhe fytyra e kapitalizmit ndryshon sipas vendeve dhe niveleve të ndryshme të zhvillimit të popujve të botës.

Sa i përket trajtimit që z. Tarifa i ka bërë ardhjes dhe largimit të Socializmit Real në Evropën Lindore, për mendimin tim analizat përgjithësisht qëndrojnë, por studiues si ai i kanë mundësitë për trajtime më të thella dhe të hollësishme. Mendoj se vendosja e këtyre regjimeve qe ndikuar nga një sërë faktorësh të cilët në vende të ndryshme patën edhe role të ndryshme. Lufta e Dytë Botërore dhe roli parësor i të majtës evropiane dhe, sidomos, i partive komuniste në lëvizjet çlirimtare antifashiste dhe kundër pushtuesve nazifashistë kanë qenë faktori kryesor pa të cilin sisteme të tillë zor se do të viheshin në lëvizje dhe, për më pak, të jetësoheshin. Ndikimi i Bashkimit Sovjetik, sidomos pas marrëveshjeve të Jaltës dhe Potsdamit, ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm qoftë si shembull frymëzues dhe orientimi (Jugosllavi, Shqipëri etj.) ashtu edhe nëpërmjet ndërhyrjeve të drejtpërdrejta me ushtri apo mjete të tjera (në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore). Qëndrimet pasive dhe, sidomos, bashkëpunimi i një pjese të së djathtës politike me pushtuesit (veçanërisht në Shqipëri) ka qenë faktor që rriti besueshmërinë e komunistëve në popull, dhe ndjenjat atdhetare e liridashëse të popujve bënë që shumicat e popullsive ta kalonin në plan të dytë ideologjinë politike në raport me qëndrimet dhe sakrificat atdhetare të bartësve të atyre ideologjive jo fort të njohura nga masat e thjeshta. Sa i përket vendosjes dhe jetëgjatësisë së atyre regjimeve, pavarësisht masave represive, faktori kryesor i legjitimitetit të tyre për një kohë të gjatë ka qenë besueshmëria e fituar në luftë dhe arritjet mbresëlënëse në fushat ekonomike, kulturore dhe sociale pas ardhjes në pushtet.

Tarifa trajton çështjen nëse këto regjime u vendosën dhe u mbajtën në këmbë me mjete legjitime apo thjesht dhe vetëm përmes dhunës dhe terrorit. Së pari, nuk është e qartë se cilat konsiderohen mjete legjitime sepse çdo sistem politik i konsideron legjitime mjetet që përdor. Doktrina komuniste e ka bërë të qartë se revolucioni i dhunshëm është mjeti kryesor i përmbysjes shoqërore në kushtet kur klasat sunduese (të pasura) nuk heqin dorë vullnetarisht nga pushteti i përjetshëm. Gjithashtu, po kjo doktrinë e pohon qartë që klasa punëtore, pas marrjes së pushtetit do të ndeshet vazhdimisht në kundërshtimin e pakicës së përmbysur dhe përpjekjet e saj për rikthim në pushtet me çdo mjet dhe prandaj nevojitet “shtypja” e tyre. Kundërshtarët e doktrinës marksiste dhe të sistemit që u zbatua prej saj vënë në shënjestër luftën e klasave. E vërteta është se lufta e klasave nuk u shpik nga Marksi. Ajo ekzistonte dhe ekziston edhe sot në forma të fshehta e të hapura, të heshtura dhe të zhurmshme. Marksi vetëm se e bëri atë të njohur publikisht dhe këshilloi përdorimin e saj derisa të arrihej faza e fundit e zhvillimit, sipas tij, komunizmi, ku nuk nevojitej më kjo luftë. E keqja më e madhe e regjimeve të socializmit shtetëror ishte se, për shumë arsye, me kalimin e kohës, u vunë në kontradiktë dhe armiqësi edhe me klasën dhe shtresat që pretendonin se përfaqësonin.

Ajo që nuk kuptohet në trajtesën e z. Tarifa është fakti se ai shtron pyetjen “nëse partitë komuniste në këto vende e morën dhe e mbajtën pushtetin në emër të parimeve legjitime apo thjesht përmes indoktrinimit ideologjik”. Nuk del e qartë cilat konsiderohen parime legjitime. Parimi kryesor i doktrinës udhërrëfyese të socializmit real (shtetëror) mbetet ndërtimi i një shoqërie pa shtypës dhe të shtypur dhe ku ekziston drejtësia në shpërndarjen e të mirave materiale. Sa dhe si e arritën këto regjime këtë pretendim, kjo është tjetër gjë. Nuk mund të mbahet pushteti politik për 40 apo 70 vjet vetëm me indoktrinim ideologjik pa realizuar, qoftë dhe pjesërisht premtimet politike, ekonomike dhe kulturore. Ajo që thotë z. Tarifa se legjitimiteti i regjimeve politike ka qenë i ndryshëm në vende të ndryshme dhe se gërryerja e tij nuk ishte e njëkohshme dhe e njëllojtë gjithandej, është e vërtetë. Z. Tarifa flet për “funeral të komunizmit”. Unë mendoj se diçka që nuk ekziston edhe nuk vdes. Funeralet iu bëhen atyre që vdesin dhe jo atyre që rrëzohen.

Sa i përket Shqipërisë, duhet thënë se ardhja e sistemit politik fillimisht ka qenë e pashmangshme dhe legjitime, qoftë në synime e mëtime ashtu edhe në disa realizime mbresëlënëse për kohën dhe vendin por, me kalimin e moteve sistemi degradoi. Themeluesi i doktrinës marksiste, Karl Marksi e kishte parashikuar mundësinë e dështimit të regjimeve që udhëhiqeshin nga ideologjia e tij, nëse zbatimi i kësaj doktrine do të ndodhte fillimisht në vendet e prapambetura. Nëse thuajse të gjitha vendet e socializmit real ishin më të prapambetura se vendet perëndimore, çfarë mund të thuhet për Shqipërinë, një fshat i madh ku 2/3 ishin mal dhe 1/3 këneta, një vend të cilin shumica e diplomatëve, studiuesve dhe ushtarakëve që e patën shkelur në gjysmën e parë të shekullit të 20-të e konsideronin nga 5 deri në 15 shekuj pas botës së qytetëruar?

Shkurtimisht, do të thosha se degradimi i sistemit politik të Shqipërisë së 1944-1990 ndodhi për shumë arsye objektive e subjektive, të brendshme dhe të jashtme por më kryesoret do të ishin: niveli i mjerë ekonomik, kulturor dhe social i popullsisë; mungesa gati tërësore e klasës punëtore, mentalitetin dhe interesat e së cilës duhej të përfaqësonte ideologjia e futur në zbatim; natyra patriarkale dhe fisnore e një pjese të madhe të popullsisë; vendosja e regjimit fill pas Luftës së Dytë Botërore e cila la mbrapa shumë kontradikta, konflikte, ballafaqime dhe krime midis palës fituese dhe klasave që bashkëpunuan me pushtuesit; presionet, pengesat dhe ndikimet e botës perëndimore që vazhdimisht u përpoq me të gjitha mjetet të sabotonte dhe rrëzonte (jo vetëm) regjimin e Tiranës; gabimet, fajet dhe krimet e kryer nga elita politike udhëheqëse e kohës ku mund të shquhen pa mëdyshje dënimet e njerëzve për agjitacion e propagandë, internimet e familjeve të disa kundërshtarëve politikë, pengimi i shkollimit në nivelin më të lartë (në praktikë, jo me Kushtetutë) të mjaft pasardhësve të kundërshtarëve politikë, ndalimi i plotë i iniciativës private dhe pakësimi drastik i pronës private, fillimisht nëpërmjet kolektivizimit dhe pastaj nëpërmjet sistemit të tufëzimit, ndalimi në vitin 1967 i ushtrimit të riteve fetare; mungesa thuajse e plotë e pragmatizmit dhe dominimi i fanatizmit doktrinar tek pjesa më kryesore e udhëheqjes (Vetë Marksi thoshte se “Çdo ideologji e zbatuar deri në absurd do të kthehet në të kundërtën e saj” ).

Pas shkrimit të z. Tarifa pati reagime, disa prej të cilëve u shoqëruan edhe me fyerje dhe etiketime si dhe me mungesë të plotë të pranimit të fajeve dhe krimeve të regjimit të para 1990. As teorikisht nuk mund të pranohet mungesa e fajeve, përgjegjësive dhe krimeve nga një sundim 40 vjeçar, aq më tepër nga një regjim që e kishte shkruar në ballë (në Kushtetutë) se ishte diktaturë. Fakti që kundërshtarët e komunistëve nuk i pranojnë krimet e veta nuk duhet t’i shtyjë as komunistët dhe as analizuesit e majtë në mohimin e ekzistencës së tyre. Gabimet, fajet dhe krimet kanë ndodhur dhe ato kanë autorë dhe përgjegjës dhe nuk mund të justifikohen me shprehjen “kështu ishte regjimi”. Regjimet i krijojnë dhe i drejtojnë njerëz konkretë të cilët marrin meritat historike për arritjet e realizuara dhe damkosjet historike për dështimet dhe aktet e papranueshme as moralisht dhe as ligjërisht. Një qëndrim i tillë mohues të kujton justifikimet e elitave politike kapitaliste për papunësinë, çmimet e larta dhe krizat ekonomike nga ku këto elita dalin gjithnjë më të pasura ndërsa miliona njerëz humbin vendet e punës, shtëpitë dhe bizneset. Dhe këto elita, përgjegjëse për ato që ndodhin, ia veshin fajin “sistemit të tregut”, a thua se tregu nuk është vepër e tyre.

Sistemet e socializmit real të vendeve të lindjes ranë kryesisht për shkak të dështimeve ekonomike dhe jo të shtypjes së një pjese të popullsisë. Këto regjime ranë nga brenda në kohën kur elitat politike drejtuese komuniste u vetëndërgjegjësuan se nuk mund të ecej më në atë rrugë, pavarësisht synimeve dhe dëshirave të mira. Ato regjime nuk u rrëzuan me kurrfarë revolucionesh dhe as luftërash heroike, por me disa artifice politike me të cilat pjesë dominuese të elitave udhëheqëse justifikuan uljen në tryeza bisedimesh dhe dorëzimin paqësor të pushtetit tek “armiqtë” e tyre.

Besoj se në analizat e sistemeve politike duhen marrë për bazë më shumë fakti se sa demokratik apo antidemokratik, i drejtë apo i padrejtë, i efektshëm apo i paefektshëm ka qenë njëri apo tjetri dhe jo sa legjitim janë ata. Në vlerësimin e tyre duhen përdorur të njëjtët kritere, përndryshe tregohemi jokorrekt me historinë, të padrejtë me të vërtetën dhe të pandershëm me moralin. Asnjë sistem politik i deritanishëm nuk ka mundur ta justifikojë plotësisht legjitimitetin e vet dhe, pavarësisht emrave që mund t’iu vihen organizimeve të mëvonshme politike, një gjë është e sigurt: Pjesa më e ndërgjegjshme dhe më pak përfituese e sistemeve politike nuk do të pushojë së menduari, kundërshtuari dhe projektuari një organizim shoqëror më të drejtë, më human dhe më të arsyeshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …