Viktor Malaj: Për kolaboracionizmin dhe avokatët e tij II

Këta janë farëhedhësit dhe kultivuesit e këtij morali dhe duke qenë derra të kënaqur, derra që vishen shik, udhëtojnë me makina të shtrenjta dhe jetojnë në vila luksoze, e gjejnë veten të realizuar në këtë kënetë morale. Në këtë moçal moral rriten krimba që zvarriten dhe mund të shtypen me lehtësi nga çizmja e kapitalit, ndërsa në një fushë ku lulëzojnë parimet morale do të kullosnin bletë e grerëza dhe pickimeve të tyre nuk do iu bënte derman kurrfarë ilaçi pseudodemokratik.

Sundimi politik, ekonomik dhe mediatik gati tridhjetëvjeçar i kultivuesve të këtij morali ka sjellë thuajse përgjysmimin e popullsisë së Shqipërisë, dëshirën e gjysmës së të mbeturve në vend për të ikur nga sytë-këmbët, 56 % e popullit analfabetë funksionalë, njëqind mijë të droguar, mbi 200 mijë të rinj që as punojnë dhe as shkojnë në shkollë, mbi dhjetë mijë prostituta brenda e jashtë vendit, mbi njëzet mijë të burgosur në Shqipëri dhe Evropë, me mijëra vila, restorante e hotele të ndërtuar me paratë e krimit etj. Goxha arritje, apo jo? Pasi na kanë sjellë në këtë gjendje, thërrasin: Rroftë liria! Ç’doni tjetër?!

Kjo është liria që iu ka mundësuar atyre sundimin tonë dhe shfrytëzimin tonë, arritjen dhe mbajtjen e pozitave të tyre, pandëshkueshmërinë për ato që bëjnë dhe pamundësinë tonë për t’iu treguar vendin që meritojnë. Këto janë të korrat e moralit të tyre sundues. Kur tashmë e dimë se të paktën 80% e pasurive janë vënë me vjedhje mund të arrijmë në përfundim se morali sundues është morali i klasës sunduese ose morali i vjedhësve. Gjurmët e këtij morali i gjejmë qysh në përmbajtjen e teksteve shkollore për fëmijët e fillores e deri tek sjelljet dhe deklamimet e politikanëve tanë në Parlament, rrugë dhe tribuna zhurmëmëdha. E ç’mund të presësh? A mund të presim gjykime dhe vlerësime të drejta historike? Kurrsesi. Vlerësimet për historinë shkojnë paralel me moralin e gjykimeve dhe shërbimeve në të gjitha fushat e tjera të jetës dhe janë po aq të drejta dhe të moralshme sa ç’janë gjykimet juridike në sistemin e korruptuar të drejtësisë, sa ç’janë humane shërbimet gjobëvënës në sistemin e mjekësisë dhe sa ç’janë të drejtë e të ligjshëm transferimet me tendera korruptivë të miliona eurove nga paratë e popullit në xhepat e gangsterëve të biznesit dhe politikës. Kjo kategori morale mund të përcaktojë “diagnozat” historike me aq vërtetësi sa mundet një mjek i droguar të përcaktojë diagnozat shëndetësore.

Kolaboracionizmi dhe tradhtia kanë nevojë për alibira, pretekste, keqinterpretime dhe justifikime, ndërsa atdhetarizmit i mjafton ndjenja e dashurisë për atdheun dhe njerëzit për të bërë për të, pa u druajtur nga sakrificat. Modernizimi i shoqërisë perëndimore dhe modernizmi kanë rrëzuar shumë tabu, mite dhe rregulla, por nuk i kanë prekur kriteret e dallimit midis luftëtarëve kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve me pushtuesin. Edhe sot, në kohë paqeje, SHBA iu jep dënime maksimale individëve që bashkëpunojnë me shtete të tjera (ndonëse në kohë paqeje) në dëm të vendit.

Gjykuesit dhe mësuesit tanë të sotëm të historisë hiqen si perëndimorë por, atje ku nuk iu intereson nuk pajtohen me kriteret dhe vlerësimet e perëndimorëve. Perëndimi i cilësoi kolaboracionistë formacionet balliste dhe disa të tjera, ndërsa “mësimdhënësit” tanë e mohojnë këtë; anglo-amerikanët e pranishëm në Shqipëri i quajtën miopë drejtuesit e atyre formacioneve kurse “gjyqtarët” tanë të historisë i kanë shpallur gjeni politikë; perëndimorët i cilësuan ata si konservatorë dhe reaksionarë, por “edukatorët” tanë i klasifikojnë si liberalë dhe progresistë; perëndimorët i dënuan pa mëshirë kolaboracionistët e tyre por, sipas “gjykatësve” tanë të historisë, shteti shqiptar gaboi që i dënoi ata. Sipas këtyre “gjykatësve” pa integritet moral, kolaboracionistët tanë ishin më të mirë se ata të huaj, kurse komunistët tanë ishin më të këqij se ata të vendeve të tjera.

Avokatët e sotëm të kolaboracionizmit i gjen që nga ata që përpiqen ta relativizojnë tradhtinë e deri tek ata që i miratojnë dhe brohorasin autorët e tij. Ajo që i bashkon shumicën e tyre është përdorimi i krimeve që kryen më vonë kundërshtarët e Ballit si mjet justifikimi dhe miratimi të bashkëpunimit me pushtuesin. I gënjen mendja të gjithë ata që besojnë se fajet apo krimet e dikujt mund të shfajësojnë të tjerët për krime të kryera në një kohë tjetër. Ndërgjegjja njerëzore duhet t’i njohë dhe dënojë të gjithë fajet dhe krimet, si ato të ballistëve ashtu edhe të komunistëve, por pohimi dhe ndëshkimi i krimeve të njërës palë nuk mund të legjitimojë krimet e palës tjetër. Është e ulët moralisht dhe e papranueshme intelektualisht që jo pak avokatë të kolaboracionizmit, megjithëse njerëz të ditur, përpiqen të njëjtësojnë bashkëpunimin me pushtuesit gjatë luftës me marrëdhëniet diplomatike, politike dhe ekonomike midis shteteve në kohë paqeje duke u rrekur kështu të trullosin kë munden, duke pohuar se ” edhe komunistët bashkëpunuan me jugosllavët, rusët, kinezët etj.”.

Publicisti i nderuar M. Nano, megjithëse e pranon kolaboracionizmin shqiptar dhe nuk i nxjerr të larë autorët e tij, pohon se ata u nisën nga motive patriotike, se nuk duhen konsideruar tradhtarë, se, madje, duhen mirëkuptuar dhe e quan atë “kolaboracionizëm në mirëbesim”. Nano pohon se komunistët dhe Fronti kanë më shumë merita, por edhe kolaboracionistët bënë “njërën nga zgjedhjet që mund të bëhej në atë kohë”. Nuk kisha lexuar dhe as dëgjuar ndonjëherë për kolaboracionizëm patriotik, por ne shqiptarët jemi të thekur për t’iu gjetur pretekste fajeve tona. Po të shkonim me këtë logjikë i bije që për hir të besnikërisë bashkëshortore të kemi edhe kurvërim në mirëbesim. Po të pranonim relativizimin e z. Nano i bije që ne të lavdërojmë rojën e bankës (normalisht, çdo shqiptar duhet të jetë rojtar i atdheut të vet) që jep jetën në përleshje me grabitësit, por ne duhet të mirëkuptojmë edhe rojet e tjera që bashkëpunojnë me grabitësit dhe vrasin kolegun e tyre me qëllim që të marrin pjesën nga akti i grabitjes.

Arsyeja e shëndosh më mëson të mos e mirëkuptoj kolaboracionizmin dhe as krimet e kryer prej tij gjatë luftës apo spiunimet dhe aktet terroriste të kryer prej tyre pas luftës. E njëjta arsye nuk më lejon të mirëkuptoj as internimet, burgosjet për shkak të pikëpamjeve politike, vrasjet pa gjyq dhe me gjyqe të parregullt gjatë regjimit monarkist. Po kjo arsye nuk lejon të pranojmë dënimet për agjitacion e propagandë, vrasjet pa gjyq apo me gjyqe anormalë (si ai i vitit 1951 për bombën në ambasadën sovjetike), internimet e familjeve të të dënuarve politikë apo ndalimin e riteve fetare dhe mbylljen e institucioneve fetare nga regjimi i pas 1945.

Blendi Fevziu, i ekzaltuar nga nderimet qeveritare për M. Frashërin, pasi thotë se Frashëri u njollos “sepse në më pak se dy vjet drejtoi një organizatë që kishte bindje të kundërta politike me komunizmin”, vazhdon: “E vërteta mbase vonon por nuk humbet kurrë”. Mit’hat Frashëri nuk është njollosur pse ai dhe organizata që drejtonte nuk mendonin si komunistët por sepse nën drejtimin e tij pjesa më e madhe e kësaj organizate u bë vegël e pushtuesve, me fjalë dhe me vepra, dhe kreu krime në shërbim të pushtuesve dhe u cilësua kolaboracioniste nga përfaqësuesit e të gjitha shteteve të pranishëm në teatrin shqiptar të luftës. Gazmendi i Fevziut të kujton besimin e të pandehurit se do të marrë pafajësinë vetëm pse në gjyq paraqitet një dëshmitar i rremë që flet në favor të tij. Gjyqi i historisë është shumë i gjatë dhe i pamëshirshëm për cilindo.

Një individ tjetër politik dhe publik, z. Visar Zhiti, jo vetëm pajtohet me kolaboracionizmin por e konsideron atë “përherë të pashmangshëm” dhe pohon se kolaboracionistët shqiptarë ishin të ndryshëm nga sivëllezërit e tyre në Evropë dhe ishin triumfatorë moralë dje dhe sot. Njeriu normal ndjen keqardhje kur lexon të pavërteta historike me ngarkesa amorale të kësaj shkalle të cilat e zbehin keqardhjen për vuajtjen e dikurshme politike të autorit.

Një trajtim interesant i bën kolaboracionizmit shqiptar studiuesi Ardian Ndreca. Ai jo vetëm është avokat i kolaboracionistëve, por shprehet se “Mithati me shokë vijojnë me qenë nderi ynë…”. Askush nuk ka të drejtë me ia cenua kujt nderin, por druaj se përqindja e shqiptarëve që besojnë dhe pranojnë të jenë pjesë e pronorit “ynë” është fare e vogël. Nga ana tjetër, z. Ndreca, në përpjekje për të shfajësuar bashkëpunëtorët e pushtuesve, pohon se “Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë kundër totalitarizmit…”. E vërteta historike është se ajo luftë, para së gjithash, ka qenë luftë për çlirim kombëtar, luftë midis ushtrive pushtuese (ato të Boshtit) dhe atyre mbrojtëse. Shpallja e luftës nga Aleanca Anglo-Sovjeto-Amerikane dhe pastaj vendet e tjera nuk u bë se nuk mund të pranonin që popujt gjerman, italian dhe japonez të vuanin nën shtypjen e diktaturave të vendeve të tyre, por sepse këto shtete diktatoriale synuan, vendosën dhe sulmuan shtetet e tjera për t’i pushtuar, sunduar dhe grabitur (“nevoja për hapësirë jetike”) dhe, rrjedhimisht, për të vendosur atje qeveri kukulla të pushtuesit. Në aleancën botërore antifashiste kishte gjithfarë lloj regjimesh duke përfshirë edhe ato totalitare. Me këtë pohim z. Ndreca i nxjerr zbuluar edhe idhujt e tij, sepse ata bashkëpunuan pikërisht me këto shtete totalitariste dhe si të tillë, përveç se nuk mund të trajtohen si çlirimtarë të vendit të vet nuk mund të klasifikohen as si demokratë “me bindje liberale”.

Studiuesi Afrim Krasniqi na ofron të dëgjojmë një fjalim të M.Frashërit në Radio Londra ku, sipas Krasniqit, ai i ka thënë të tëra. Mirëpo kur e dëgjon këtë fjalim nuk ka si të mos çuditesh nga fakti se “gjeniu” Mit’hat Frashëri e paraqit veten në një nivel që të kujton Flamur Nokën e sotëm. Pasi pohon se “Vija jonë do të jetë gjithmonë e drejtë” (ashtu si gjatë luftës), nis dhe flet për “pushtim komunist të Shqipërisë”. Ai që nuk kishte përmendur me emër fashistët italianë dhe nazistët gjermanë si pushtues, konsideron të tillë vëllezërit e tij shqiptarë të cilët, të mirë apo të këqij, erdhën në pushtet nëpërmjet luftës kundër pushtuesve, luftë që ua njohën edhe perëndimorët por edhe populli shqiptar që i konfirmoi në pushtet nëpërmjet votimeve të 2 dhjetorit 1945 të certifikuara edhe nga të huajt.

Më poshtë Frashëri pohon se në Shqipëri komunistët e morën pushtetin me ndihmën e Rusisë, një e pavërtetë e madhe historike të cilën e njohin edhe mendjet mesatare. Kontributi i rusëve në çlirimin e Shqipërisë dhe ardhjen në pushtet të komunistëve ka qenë thuajse zero. Më shumë i ka kontribuar ardhjes së tyre në pushtet BK dhe M. Frashëri me qasjen ndaj luftës dhe aleatëve sesa rusët. Ndërsa disa vite më parë kishte pohuar se nga lufta ishin vrarë rreth 30 mijë shqiptarë dhe djegur rreth 400 fshatra, tani vajton se “popullit po i priten ilaçet dhe buka e gojës, me mijëra kalamaj janë bërë tuberkulozë dhe vdekjet janë trefishuar”. Vështirë se do ta besonin sot edhe shumica e ballistëve një pohim të tillë. Më poshtë ai thotë se “Sundimtarëve të Tiranës po i pakësohet anëtarësia…”. Me sa duket ai pohonte çfarë dëshironte vetë dhe kërkonte të rriste besimin tek përkrahësit e tij me gënjeshtra qesharake. Frashëri thotë se “Programi ynë është të fitojë indipendencë…”, por nuk sqaron për pavarësinë e kujt e ka fjalën dhe nga kush do ta pavarësojë.

Pas incidentit në kanalin e Korfuzit, në vend që të protestonte për cenimin e integritetit territorial të Shqipërisë nga flota luftarake angleze, Frashëri vajton humbjet që pësuan anglezët mospërfillës dhe shkelës të së Drejtës Ndërkombëtare, një shtet që kishte kontribuar shumë në copëtimin e tokave shqiptare në të kaluarën dhe që në vitin 1942 shpallte se, menjëherë pas luftës, do të rishikonte kufijtë e Shqipërisë me Greqinë, sigurisht në favor të së dytës. Qenia pasardhës i një familjeje të pasur dhe të nderuar nuk mund të shërbejë as si vaksinë imuniteti për gabime e faje ndaj popullit e vendit dhe as mund t’i amnistojë ato pasi t’i kesh kryer.

Gatishmëria për të luftuar, gjatë L2B dhe pas saj, kundër vëllezërve të tu, vetëm për hir të pushtetit dhe ngurrimi për ta luftuar pushtuesin apo, akoma më keq, bashkimi me pushtuesin kundër bashkatdhetarëve që të rivalizojnë për pushtet, nuk flet për atdhetarizëm. Mbështetja (e pretenduar sepse deri tani nuk kemi parë ndonjë marrëveshje ku pushtuesi angazhohet me shkrim) tek diktaturat pushtuese të vendit tënd për të realizuar “Shqipërinë Etnike” dhe jo tek demokracitë perëndimore si dhe përpjekjet gjatë 1944-1946 për të bërë marrëveshje për shtet të përbashkët herë me ekstremistët e djathtë grekë dhe pastaj ata të majtë (komunistët) jugosllavë, sipas kushteve të djajve të huaj, nuk flasin as për “pikëpamje liberale e demokratike perëndimore” dhe as për atdhetarizëm të spikatur. Përkundrazi, flasin për gatishmëri bashkëpunimi edhe me djallin për hir të rikthimit në pushtet.

Më ka mahnitur gjithmonë guximi për të justifikuar dhe mbrojtur qëndrimet e nacionalistëve gjatë luftës, sidomos me pretekstin e qenies antikomunistë. Ata që bëhen aleatë, madje vegla të shtypësve të lirisë kombëtare e kanë humbur të drejtën morale dhe historike për t’u shitur si luftëtarë të lirive individuale dhe shoqërore. Nuk është mentaliteti komunist që nuk i pranon dhe i dënon këta bashkëpunëtorë të pushtuesve të vendit të tyre, por parimësia universale e vlerësimit të qëndrimeve patriotike apo tradhtare, vlerësimet e Evropës Perëndimore, morali dhe tradita shqiptare, gjaku dhe dhimbjet e mijëra shqiptarëve që dhanë jetën në luftë, morali dhe ardhmëria e kombit që nuk pajtohen me ta. Ose do të jemi një komb vital, i papërkulur e dinjitoz ose do të shndërrohemi në një tufë qeniesh pa identitet, që i nënshtrohet cilitdo kërcënuesi e sulmuesi, që i puth dorën dhe i lëpin çizmen cilitdo të forti të globit që dëshiron sundimin dhe shtypjen e të tjerëve. Mos duhet të besojmë predikimet që frymëzohen nga morali fatkeqësisht sundues se do të jenë të përjetshme këto raporte politike ndërkombëtare dhe do të na mbrojnë nëna Amerikë dhe halla NATO, ndërsa ne mund ta kalojmë jetën të qetë e të zdërhallur nëpër kafenetë e dembelizmit dhe kabaretë e shthurjes? Apo duhet të besojmë se kur legalizohen droga, bixhozi, korrupsioni, prostitucioni dhe martesat midis homoseksualëve përse të mos legalizojmë edhe kolaboracionizmin si martesë me pushtuesin e vendit?!

Nëse shumica e shqiptarëve do të bënin çfarë bënë e këshilluan BK dhe M.Frashëri do të ndodhte njëra nga të dyja: 1. Po të fitonin fuqitë e Boshtit mund të kishim (jo e sigurt) një “Shqipëri Etnike” dhe krejt kjo Shqipëri do të ishte një shtet i pushtuar nga diktatura e huaj dhe pa sovranitet kombëtar. 2. Nëse do të fitonte Blloku Antifashist, siç ndodhi, do të kishim një Shqipëri të padenjë midis kombeve dhe, rrjedhimisht, si pjesë e humbësve të luftës do t’i nënshtrohej orekseve shoviniste të fqinjëve që bënin pjesë në aleancën fituese dhe do të përfundonte, ndoshta në as gjysmën e sipërfaqes aktuale. Secili është i lirë të zgjedhë e të marrë nga kjo “meny nacionaliste” e kryekuzhinierit politik Mit’hat Frashëri. Por, shqiptarët e vërtetë e braktisin këtë lloj “restoranti politik”.

Me veprimet e tyre BK dhe M. Frashëri e humbën edhe të drejtën për të kërkuar pushtet pas luftës. Profetët e pretendimeve rreth ” mirësisë ” që do të kishte vendi po të vinin në pushtet kjo kategori politike e shoqërore duhet të dinë se sjellja e tyre gjatë luftës ishte parathënie e një sjelljeje në qeverisje, ndoshta më e vrazhdë se ajo e komunistëve, ashtu siç ndodhi me analogët e tyre në Greqi që nuk lanë krim dhe masakër pa kryer ndaj të majtëve.

Është mirë që antikomunistët e çartur të bëhen sadopak fisnikë, aq sa të mos i thonë të zezës e bardhë dhe anasjelltas. Komunistët radikalë i vlerësuan lart momentet kulmore historike të rezistencës së popullit shqiptar si: Kuvendin e Lezhës dhe Epopenë e Skënderbeut, Lidhjen e Prizrenit, luftërat e 1910-1912 në veri dhe shpalljen e Pavarësisë, Luftën e Vlorës të 1920, Kongresin e Lushnjës dhe Revolucionin e Qershorit të 1924 pavarësisht se Gjergj Kastrioti, Abdyl Frashëri, Isa Boletini, Dedë Gjo Luli, Sali Butka, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Bajo e Çerçiz Topulli, Themistokli Gërmenji etj. nuk ishin as komunistë dhe as të majtë. Madje, megjithëse komunistët sunduan gjatë, titullin “Hero i Popullit” nuk ua dhanë më së shumti anëtarëve të Partisë së tyre. 70 % e atyre që u vlerësuan me këtë titull të lartë nuk kishin qenë komunistë.

Në kuadrin e qëndrimit ndaj kolaboracionizmit Qeveria aktuale shqiptare është bërë pjesë e avokaturës së tij. Ajo do të kishte bërë një veprim të denjë deri në ndihmesën për sjelljen e eshtrave të tij në atdhe dhe në vlerësimin verbal të veprimtarisë së Frashërit deri në 1939, ndërsa ceremonitë përkatëse t’ua linte institucioneve të atyre fushave ku ai ka kontribuar përpara Luftës.

Fyerjet e Kryeministrit ndaj atyre që “pasi e kanë baltosur për shtatë dekada, sot mbajnë në injorancë buzët rrudhur… sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propagandë karikaturizuese për M. Frashërin…”, janë të papranueshme për një kryeqeveritar edhe sikur ashtu të kishte qenë e vërteta.

Por, e vërteta e madhe është se Mithat Frashëri vlerësohet kolaboraconist sipas të gjithë parametrave botërorë me Perëndimin në krye dhe është e sigurt se po të kishte qenë shtetas francez, anglez, norvegjez etj. pas luftës do të kishte pësuar fatin e Kuislingut. Për ata që thonë se po të ishte i tillë do ta dënonte Amerika duhet të pohoj se qindra dokumente të deklasifikuar të CIA-s si dhe dhjetëra libra të botuar në SHBA ( duke përfshirë edhe librin e ish – Presidentit Klinton ) provojnë se për interesat e saj Amerika ka pranuar dhe përdorur edhe nazistë gjermanë, kriminelë ordinerë dhe gjithfarë banditësh të tjerë.

Këtu nuk mund ta shpëtojë as pohimi i z. Rama se “M. Frashëri ishte mishërim i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij…”. Shërbimi ndaj atdheut nuk matet me kokën dhe kriteret e gjithsecilit, sepse kështu do të justifikohej çfarëdo akti, edhe kriminal ndaj vendit dhe popullit me argumentin se “kështu e mati koka ime”. Për matjen e së mirës dhe të keqes, atdhetares dhe antikombëtares ka kritere universale përndryshe këto nocione nuk do të kishin fare kuptim.

Kryeministri na thotë se z. Frashëri gaboi, pa përmendur ndonjë gabim të tijin. Kolaboracionizmi nuk është gabim por faj i kryer kundër vendit pavarësisht preteksteve. Propaganda 70 vjeçare nuk e ka shpallur injorant, as hajdut, por thjesht dhe vetëm kolaboracionist, çka edhe ishte me të vërtetë.

Kryeministri pohon se Frashëri nuk nxiti “me gojën apo me pendën e tij një krim”. Kjo nuk është fare e vërtetë. Mithat Frashëri ka pranuar që forcat e tij të bashkëpunojnë me pushtuesin, të bëhen pjesë e spiunimeve, arrestimeve, rreshtimeve ushtarake dhe vrasjeve të kryera kundër shqiptarëve që luftonin atë pushtues. Në kushtet që ai, siç kam cituar më sipër, urdhëroi një sulm kundër forcave partizane kjo do të thotë se urdhëroi përgjakjen e shqiptarëve, sepse sulmi nuk do të bëhej me bilbila por me armë zjarri.

Nëse ai u vu në krye të Komitetit Shqipëria e Lirë që synonte përmbysjen me dhunë të regjimit shqiptar të kohës, ai, sigurisht, që ka pranuar përgjakjen dhe krimet. Është e vërtetë që historinë pas luftës e shkruan fitimtarët, siç ndodh gjithkund e ngaherë, por asnjë fakt apo trajtim i bërë pas rënies së fitimtarëve nuk ka mundur të rrëzojë themelet e vlerësimeve të veprimtarisë së Frashërit dhe organizatës politike që ai drejtonte gjatë luftës. “Historia tjetër e Lumo Skëndos” e nderon figurën e tij por nuk e shfajëson atë për gjysmën tjetër.

Pohimi i Kryeministrit se “Mithat Frashëri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë shqiptare e ngritur sipas parimeve themelore të së drejtës…”, nuk e shpëton atë nga vlerësimi moral, politik dhe shoqëror për ato që ka bërë gjatë luftës. As Hitlerin nuk e pati dënuar ndonjë gjykatë, por është shpallur unanimisht nga bota e qytetëruar si krimineli më i madh i shekullit të 20-të. Më kot përpiqet Kryeministri të bëjë paralele midis fatit të Frashërit dhe atij të mareshalit Filip Pëten të Francës.

Me gjithë shërbimet shumë herë më të mëdhenj ndaj vendit të tij se sa Frashëri ndaj Shqipërisë, edhe pse nuk kishte formacione të vetat të rreshtuar me ushtrinë pushtuese gjermane, Franca e pas L2B e dënoi me vdekje Pëtenin. Fakti që më vonë, meqë ishte rreth 90 vjeç, ia shndërruan dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm nuk do të thotë se e reabilituan dhe as e shpallën të pafajshëm për shkak “të gjysmës tjetër të jetës së tij”. Franca as i ngriti përmendore, as e shpalli gjeni kombëtare dhe as e nderoi me ceremonira shtetërore. Për Francën ai mbeti kolaboracionist dhe shembull që nuk duhet ndjekur.

Citimi i M. Frashërit nga Kryeministri sikur ai paska thënë në ikje e sipër se “Ne humbëm luftën por jo shpresën” e rëndon akoma më tepër pozitën e tij sepse Shqipëria u radhit në anën e vendeve fituese dhe luftën e kishin humbur pushtuesit dhe ai e vendos kështu veten në radhën e tyre dhe, siç thoshte F. Noli “përfunduan në varrin e fashizmës”. Vetë fakti që ikën i akuzon pa mëdyshje për mëkate, jo pse ishin antikomunistë, por pse i shërbyen pushtuesit nazifashist. Gjyshi im nuk ka qenë as partizan, as komunist dhe madje as i majtë fare, por nuk iku gjëkundi dhe jetoi i qetë, ndonëse në varfëri, edhe dyzet vjet të tjera.

Gjithashtu, z. Rama citon Frashërin të ketë thënë se ” BK e kreu misionin e vet historik…”. A mund ta dimë ne dhe brezat e rinj se cili ishte misioni historik i Ballit që e paska kryer me “nder”?

Rama, si qytetar shqiptar mund edhe të ishte bërë anëtar i BK dhe nuk do të kishte vend për ta gjykuar pasi do të ishte zgjedhja e tij, por si Kryeministër i vendit dhe si kryetar i PS ai duhet t’i gjykojë ngjarjet dhe njerëzit me një peshore tjetër, me peshoren kombëtare. As kuti komunist dhe as ai antikomunist nuk janë njësia kryesore matëse e të drejtës dhe të padrejtës.

Për të gjithë ata që me mendjelehtësi besojnë dhe ata që me djallëzi propagandojnë vlerat superiore dhe “fatin e madh” që, në mënyrë hipotetike, do të kishim pasur po të vinin në pushtet nacionalistët në vitin 1944, po citoj këtu vlerësimet e Hari Fulcit, ish- kuadër i lartë i zbulimit amerikan i cili ka kaluar gati 15 vjet në Shqipëri. Në raportin që i dërgon Uashingtonit në shtator 1944 ai shkruan: “…duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e tyre i përziejnë ato me metodat fashiste dhe nazizmin gjerman… Këto gërshetohen mirë prandaj nuk është e rastit që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë, ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, ndërsa në të njëjtën kohë adaptojnë masa të cilat e mbajnë në kushte injorance, varfërie dhe primitiviteti… Ata preferojnë që njerëzit të jenë të nënshtruar… ata nuk kanë hezituar dhe nuk hezitojnë të përdorin mjetet më vicioze dhe më të ashpra për ta mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës. Anëtarët e këtij grupi me pozita shtetërore, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komuniste, çdo shfaqjeje të pakënaqësisë, apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira, elementë të këtij grupi janë:

a.Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj.

b.Bajraktarët, dhe kapedanët mysliman të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët.

c.Katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit: Markagjonajt, Krujat, Bushatët, Çobat, Harapët.

d.Elementët ballistë, shumica e të cilëve, ka dalë nga grupet e mësipërme dhe shtresa e bejlerëve të mesëm e të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë dhe xhandarmërisë, zyrtarët profesionistë dhe tregtarët e pasur, doktorët dhe gjykatësit e privilegjuar, me ndonjë përjashtim të vogël shumica janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”. (Dokumenti origjinal në arkivin e DASH: A. M 1211/16/875.01/9-2244).

Përtej diskutimeve si ky, e sotmja dhe e ardhmja e vendit ka nevojë për të shikuar përpara dhe do të ishte në favor të përparimit kombëtar pranimi i fajeve dhe ndjesa nga të gjitha palët, si “nacionalistët” ashtu edhe komunistët. Të gjithë jemi shqiptarë dhe askush nuk është i imunizuar nga gabimet dhe fajet. Por të këmbëngulësh në mbrojtjen e tyre nuk është në nderin as të sundimtarëve të 1944-1990 dhe as të kundërshtarëve të tyre politikë.

Sa i përket periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të gjithë ata që morën pjesë dhe ndihmuan në forma të ndryshme kundër pushtuesve, duke përfshirë këtu edhe elementë apo formacione të veçanta balliste, duhen nderuar dhe pasardhësit e tyre duhet ta mbajnë kokën lart sot e përherë. Kokën duhet ta ulin, dhe madje fort, të gjithë bashkëpunëtorët dhe ndihmësit e pushtuesve ashtu si edhe pasardhësit e tyre biologjikë, shpirtëror dhe ndihmësit e tyre koniunkturalë.  (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …