Evropianët e kanë filluar shumë herët tregimin e përrallave, por me industrializimin dhe zhvillimin e teknologjisë së informacionit, i kanë ngritur përrallat në art dobiprurës për vete. Këtu nuk është fjala për përralla e fabula arabe, të Ezopit, La Fontenit, Andersenit etj. që përbëjnë krijimtari letrare. Jo, është fjala për përrallat politike, të formuluara bukur dhe të shërbyera falas.
Një nga përrallat më të mëdha, më jetëgjata dhe më të dobishme është pohimi që vjen nga Lashtësia se në Athinën e moçme lindi dhe u zhvillua demokracia dhe se evropianët e kohëve moderne e ngritën atë në një shkallë zhvillimi të paparë. Mbledhjet, diskutimet dhe vendimet e 15-20 për qind të popullsisë së Athinës së lashtë, vendime që përjashtonin të gjitha femrat, skllevërit dhe të huajt, madje edhe disa kategori të tjera popullsie që zotëronin pasuri të paktë, i shiten botës prej disa shekujsh si “demokraci”, domethënë “sundim i popullit”.
Kjo përrallë iu mësohet ende sot studentëve të të gjithë botës, duke përfshirë edhe auditoret e universiteteve më prestigjoze të botës. Pohimi i Rusoit se ” Demokracia nuk ka ekzistuar kurrë dhe zor se do të ekzistojë ndonjëherë “, ose lihet në heshtje, ose përçmohet si herezi.
E kush pyet për Aristotelin që thoshte se: “Demokraci do të thotë kur sundojnë të varfërit dhe jo të pasurit”! Përjashtimi i të varfërve nga mendimdhënia dhe vendimmarrja si dhe ekzistenca e shkallës më të lartë të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, pra e skllavërisë, nuk i pengojnë teoricienët librashkrues dhe politikanët popullmashtrues të propagandojnë zellshëm se demokracia lindi në Athinë dhe ekziston sot në shkallën më të lartë në shumë vende meqënëse njerëzit janë të lirë të zgjedhin sundimtarin e radhës.
=Meqë kjo përrallë nuk është tema kryesore e shkrimit, na duhet të kalojmë në përralla të tjera më moderne. Menjëherë pas daljes nga Mesjeta, popujt më të zhvilluar evropianë, ose më saktë sundimtarët e këtyre popujve filluan të besojnë se pasuritë e vendeve të tyre nuk iu mjaftonin për shumë kohë prandaj nisën nga eksplorimet gjeografike dhe, menjëherë pas tyre, pushtimet dhe kolonizimet e vendeve dhe popujve të kontinenteve të tjera.
Pushtimet e territoreve, shfarosjet e popullsive dhe grabitjet e pasurive të mbi- e nëntokës së këtyre vendeve i shpallën si “vepër e Zotit” dhe i përligjnin duke pohuar se kishin një detyrim ligjor dhe fetar për t’iu marrë tokat dhe shkatërruar kulturat popujve të nënshtruar me dhunë, se duke vepruar kështu po i qytetëronin këta “të egër”.
Sjelljet dhe veprimet kolonialiste evropianët i propagandonin sikur të ishin në interes të popujve që shfrytëzonin. Përrallë e bukur, apo jo?
Pasi i shfarosën shumicën e popullsive vendase, iu grabitën pronat dhe sollën forcërisht skllevërit nga Afrika në Amerikë, Australi, në Zelandën e Re etj., evropianët e mençur shpallën se “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme siç janë e drejta e jetës, lirisë dhe lumturisë”.
Megjithëse kjo përrallë u shkrua dhe lexua shumë herë, miliona njerëz përdoreshin si skllevër, miliona të tjerë vendas shfaroseshin dhe iu merrej prona, më shumë se gjysma e popullsisë nuk kishte të drejtë vote edhe për dy shekuj të tjerë e kështu me radhë. Sivëllezërit e tyre frëngjishtfolës, në një largësi të vogël kohore shpallën moton “Liri, Barazi, Vëllazërim”, por vazhduan edhe për dy shekuj të tjerë pushtimet, shfarosjet dhe grabitjet e popujve të tjerë, përndjekjen dhe vrasjet e mijëra vendasve që rebeloheshin.
Përrallat vazhduan të tregoheshin në anglisht e frëngjisht dhe tani edhe në shumë gjuhë të tjera të botës.
Një përrallë tjetër më e vogël evropiane është edhe ajo e treguar në disa prej këtyre vendeve ku thuhet se shteti është laik, por megjithatë drejtuesit e tij betohen mbi kushtetuta, Bibla dhe Kuran sapo marrin në dorë frenat e pushtetit.
Po le ta ngushtojmë gjeografinë e përrallave që tregohen dhe t’iu referohemi disa përrallave evropiane që lidhen me ne shqiptarët. Në 1878, 1913, 1915, 1919 etj. fuqitë kryesore evropiane vendosën përcaktimin e kufijve të vendeve të tjera, duke përfshirë edhe të Shqipërisë. Ndërsa udhëhiqeshin në vendimmarrjet e tyre nga synimi për të kënaqur njëri-tjetrin, këto shtete propagandonin përrallën se po frymëzoheshin nga e drejta e popujve për vetëvendosje dhe liri.
Se sa i moralshëm ka qenë frymëzimi i tyre, e tregon historia mbi njëqind vjeçare e trojeve shqiptare dhe shtetformimit tonë.
Sa ishim nën regjimin “komunist”, shtetet evropiane na “qanin hallin” se ishim të izoluar, mirëpo nga rënia e tij e deri sot kanë kaluar gati aq vjet sa zgjati vetë regjimi i Enverit dhe vendet evropiane nuk na pranojnë si pjesëtarë të bashkësisë së tyre, bashkësi që u formua fillimisht si aleancë ekonomike e çelikut dhe qymyrit nga pak shtete dhe pastaj u shndërrua në federatë politike.
Pasi na vunë qindra kushte dhe na dhanë qindra kapituj teorikë për t’i shndërruar në sjellje dhe gjendje praktike, na thanë se i kishim plotësuar më së miri, por nuk mund të na pranonin, madje as të fillonin bisedimet me ne për pranim.
Pamundësinë e sillnin nganjëherë zgjedhjet e tyre lokale e pastaj ato parlamentare, një herë zgjedhjet e njërit vend, pastaj të vendit tjetër dhe herën e tretë zgjedhjet mbarevropiane. Tani na thonë se po na pengon grindja e njërit anëtar të BE-së, Bullgarisë me vendin fqinj Maqedoninë e Veriut.
Nuk kanë harruar asnjëherë të na thonë se jemi pjesë e Evropës, se e ardhmja jonë (shekullore?!) do të jetë në Evropë, se ne i përkasim Evropës dhe se kemi bërë shumë përparime, mirëpo dyert e BE-së nuk na i hapin meqenëse edhe “rojtarët” e këtyre dyerve ndryshojnë herë pas here.
Para pak ditëve Ministrat e Jashtëm të BE-së thanë se shteteve të Ballkanit Perëndimor do iu ofrohet “angazhim i zgjeruar politik me BE-në, pasi do të ftohen më shpesh në takime të nivelit të lartë me të”. Hajde mos qesh po deshe! Përralla evropiane ndryshon formën e të treguarit, por ruan thelbin e vet. Pse, deri tani pak janë takuar drejtuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor me zyrtarët më të lartë evropianë?!
Një përrallë tjetër evropiane është edhe premtimi i bërë Kosovës për liberalizimin e vizave dhe mosmbajtja e premtimit nga “bosët” evropianë. “Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Ne e përkrahim liberalizimin e vizave”, pohoi së fundmi Ministri i Jashtëm i BE-së, z. Jozef Borrell.
Po, atëherë kush e pengon këtë zotëri dhe përrallëtarët e tjerë politikë evropianë të mbajnë premtimet e tyre dhe t’i plotësohet kërkesa popullit kosovar?!
Një nga përrallëtarët më të famshëm evropianë të kohëve moderne është edhe Presidenti francez, z. Emanuel Makron. Ndërsa vinte veton para tre vitesh për mospranimin e Shqipërisë në BE me pretekstet qesharake se ka shumë shqiptarë të emigruar në Francë; ndërsa politikanët më të lartë francezë i pohonin Beogradit para pak muajve se “Serbia është shteti i parë ballkanik që do të pranohet në BE”, megjithëse është shteti i vetëm ballkanik që ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve, jo vetëm Kosovës dhe nuk i njeh ato si shtete, tani ka dalë me një “ide të re”.
Në një mbledhje të Parlamentit Evropian në 9 maj 2022, z. Makron u shpreh se “BE, sipas nivelit të integrimit dhe të ambicies, nuk mund të jetë mjeti i vetëm i strukturimit evropian. Ne duhet të krijojmë atë që unë e quaj ‘Komuniteti Politik Evropian’… Kjo organizatë e re e Evropës do iu lejojë shteteve demokratike të Evropës, të cilat mbështetsin parimet tona kryesore, të kenë mundësi bashkëpunimi në fushat politike, të sigurisë, energjisë, transportit, investimeve, kalimit të kufijve etj.”.
Përveçse një “përrallë” e pashprehur qartë, krijimtaria më e fundit e z. Makron përmban shumë hilera dhe është e padenjë për udhëheqësin e njërit prej shteteve më prestigjoze të botës, i cili aspiron të jetë edhe timonieri kryesor i BE-së. Së pari, formalisht lind pyetja se çfarë dallimesh ka midis togfjalëshave “Bashkimi Evropian” dhe “Bashkimi (Komuniteti) Politik Evropian”?! A nuk është BE një bashkim politik i shumicës së vendeve të Evropës?!
Përse i nevojitet Evropës një bashkësi tjetër politike shtetesh dhe mbi cilat parime do të formohet ajo? Z. Makron na thotë se edhe këtë bashkësi shtetesh evropiane do të na e krijuaka ai, se aty do të futen të gjitha shtetet që “mbështetsin parimet tona kryesore” dhe se ky “shtet i dytë federal” evropian paska si qëllim të sigurojë bashkëpunimin politik, ekonomiko-financiar dhe kufitar midis këtyre shteteve.
E thënë me gjuhë të thjeshtë, z. Emanuel Makron kërkon që kontinenti evropian të ketë dy shtëpi të përbashkëta politike, njëra shtëpia e zotërinjve të pasur, të fortë e urdhërues dhe tjetra shtëpia e më të vegjëlve, më të varfërve, anëtarët e së cilës duhet t’i binden “shtëpisë së zotërinjve”, t’i shkojnë asaj mbrapa për gjithçka, t’i shërbejnë në raste nevoje (p.sh. si anëtare të NATO-s), të qarkullojnë lirisht brendapërbrenda “dhomave” të veta, por të mos kenë të drejtë të hyjnë kur duan në shtëpinë e parë, të mos ulen në një tryezë me ta si të barabartë dhe të mos kenë të drejta vendimmarrëse për fatet e përbashkëta të kontinentit.
Qëllimi i krijimit të kësaj “BE-je të Dytë”, që na predikon z. Makron, tingëllon shumë hipokrit, ngaqë bashkëpunimi në fushat politike, të sigurisë, energjisë etj. midis shteteve është realizuar dhe mund të realizohet edhe pa krijuar federata, mjafton qëllimi i mirë. Ndërsa krijimi i një shteti të përbashkët panevropian do të duhej të kishte si qëllim jo thjesht forcimin e bashkëpunimit në fushat e sipërpërmendura, por unifikimin e politikave dhe qëndrimeve të përbashkëta në fushat kryesore ekonomike, politike dhe të mbrojtjes.
Krijimi i “shtëpisë së dytë evropiane” që sugjeron Presidenti francez është sa i panevojshëm aq edhe i pamundur, për më tepër kur ideimin dhe krijimin e saj e merr përsipër një president dhe një shtet që është bërë vazhdimisht pengesë për unifikimin gjithevropian.
Evropa, ose do të jetë një shtet i vetëm federal, ose në një të ardhme jo të largët nuk do të ketë më federatë evropiane të shteteve. Njeriu nuk bën gabim të dëgjojë e lexojë përralla politike, por Zot na i ndihmo udhëheqësit tanë, në pozitë dhe opozitë, që të mos i besojnë lehtësisht zotërinjtë përrallëtarë të Evropës, sado bukur t’i tregojnë ato!
(DITA)