Vila e Enver Hoxhës, e njohur ndryshe si Vila 31 në zonën e Bllokut, në Tiranë, është shndërruar tashmë në një hapësirë artistike dedikuar artit dhe kulturës. Kjo godinë do të presë jo vetëm artistë shqiptarë, por edhe nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të shprehen përmes gjuhës së artit. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që krijohet për artistët e rinj, shqiptarë, të rajonit dhe nga e gjithë bota, për t’u takuar së bashku në një hapësirë të përbashkët. Është një eksperiencë që unë e kam kaluar në qendrën ndërkombëtare të arteve, në Paris dhe, kur erdha këtu, më kujtua se atje më vunë një gjobë sepse kisha bërë pis parketin. Ju duhet të mendoni për gjoba të tilla, tha Rama. Zërave kritikë për ruajtjen e historisë së kësaj godine dhe evidentimin e bëmave të Enver Hoxha gjatë kohës së komunizmit, Rama iu përgjigj se kemi bërë këtë zgjedhje, sepse ka ardhur si rezultat i një kohe shumë të gjatë reflektimi. Kjo hapësirë do të përdoret për të bërë gjërat, që Enver Hoxha do t’i kishte tmerr për t’i parë. E kuptoj që për ju është e vështirë ta lexoni këtë që sapo thashë, por kjo do të jetë një shtëpi e ‘degjenerimit modernist’, shtoi kryeministri, Edi Rama.