Menjëherë pas bombardimeve që Aleanca Veriatlantike bëri mbi pozicionet serboçetnike, në ditët kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës mund të luftonte paksa më çlirëshëm, pasi popullata civile po tërhiqej kah Shqipëria, kriminelët serbë, humbën torruan, hapërojnë kah kufiri. Në “Termopilet shqiptare”, pra në “Grykën e Carralevës”, madje në hyrje ose në fshatin Belaj të Shtimes, pas një rezistence jo larg “Bunarit të Sahitit”, përjetësohet dëshmori Emin Idriz Troshupa, ndërsa në Blinajë edhe Haradin Asllan Bajrami, legjendë e rezistencës, i njohur si “Dinamiti”, në Nagac të Anadrinit edhe Agron Hilmi Krasniqi, i biri i dëshmorit Hilmi Krasniqi nga Hoça e Vogël, e pranë tij edhe Bashkim Jetullah Krasniqi me Luan Hashim Krasniqin, të vëllain e dëshmorit Shkëlzen Hashim Krasniqi. Në Ballanicë të Llapushës përjetësohet Sylejman Melit Bytyçi, në luftimet përreth maleve të Qyqavicës edhe Blerim Agim Saraçi e në Brolaj të Pejës, Nysret Ali Shala, në Dubravë të Therandës Valdet Destan Gashi, ndërsa në Shalë të Bajgorës, Adem Hysni Trepça, e në këtë plejadë të “Atyre që kurrë nuk ishim vetëm” shquhej edhe luftëtari Visar Idriz Miftari, i përjetësuar në Kralan të Dushkajës.
Dëshmori i kombit, Visar Miftari, djali i xha Idrizit e i nënës Sose të Lushajve të Lipavecit, u lind më 19 mars të vitit 1981 në Gjakovë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje në Shkollën Fillore “Zekrija Rexha”. Shkollimin e mesëm nuk pati kushte ta vazhdojë meqenëse nuk e lejonin rrethanat ekonomike të familjes. Prindërit e dëshmorit, Idrizi dhe Sose Miftari kishin tre djem: Visarin, Burimin dhe Leotrimin. Visari ishte i pari prej fëmijëve.
Që në fëmijëri Visari u ballafaqua me represionin serb. Edhe pse shumë i ri, ai mori pjesë në demonstratat e viteve të nëntëdhjeta të shekullit 20. Siç ka rrëfyer i ati, Idrizi, në muajin prill të vitit 1998 Visari kishte shkuar në Gllogjan me qëllim për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më të rritur se ai nuk ishin as Valon Mala, Dominik Përgegaj e Himë Haradinaj, prandaj edhe Visari kërkoi të pranohen në njësitet e UÇK-së. Kishin kaluar gjashtë muaj dhe prindërit e Visarit nuk e kishin parë më atë, Njëditë ata ishin nisur për në Gllogjan për ta takuar të birin luftëtar lirie. Nën shoqërimin e patrullës së Policisë Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, e ëma e takoi të birin, në komandën e zonës, në Gllogjan. Kishte takuar dhe ishte çmallur edhe me të atin.
Pasi kryen stërvitjet logjistike, taktike e operative në Gllogjan e Shqiponjë, Visari angazhohet në Njësitin Komando – “Shqiponjat e Zeza”. Ai karakterizohej me virtyt të lartë, hjeshi të pashoqe, sinqeritet, besë e bujari. Vepron kudo ku paraqitej nevoja dhe gjithnjë me përpikëri zbaton urdhrat e eprorëve ushtarakë. Mori pjesë në luftimet në Gllogjan, Ratishë, Dashinoc, Shqiponjë e Kralan. Takimin e fundit, nëna e tij, me Visarin e pati në Dashnoc, dy javë para se të binte në altarin e lirisëvritej. Në ndarje, ai i thotë së ëmës: “Nënë, po qe se vritem, amanet ta lë, asnjë pikë loti mos ta derdhësh për mua. Se ne jemi betuar në flamur që ta mbrojmë Kosovën. Ti nënë, i ke edhe dy djem dhe të lutem të mos qash. Loti yt është i rëndë për tokën e Kosovës. Ne së shpejti do ta sjellim lirinë”.
Më 2 prill të vitit 1999, Visari bie në vijën e prontit në Kralan të Dushkajës, në pozicionet e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai përjetësohet gjatë rezistencës që bënë luftëtarët: Ilir Gashi, Bujar Zeka, Hajdar Vata, Sabit Kastrati, Albin Gjoci e Yll Salihu. Trupin e dëshmorit kishin arritur ta marrin forcat serboçetnike dhe e varrosin në fshatin Kralan. Rivarrimi i tij u bë në varrezat e dëshmorëve në Gjakovë.
Sot, një rrugë e fshatit Brekoc të Gjakovës mban emrin e dëshmorit Visar Miftari. Në fshatin Kralan, në vendin e rënies, shkëlqen lapidari që ruan emrin dhe krenarinë e Visarit, ndërsa prindërit ruajnë për kujtim të të birit rrobat që kishte dhe orën e dorës (Z. Gj.)