Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka thënë se është shqetësuese për Kosovën, deklarata e komisionarit për zgjerimin të Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, për çështjen e liberalizmit të vizave. “Është jashtëzakonisht shqetësuese të dëgjohet një deklarim i tillë nga Komisionari për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, për procesin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky proces kishte qenë i lidhur padrejtësisht me ratifikimin e Marrëveshjes për Shenjim të Vijës Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kushtëzim ky që asnjëherë nuk pati kurrfarë shpjegimi logjik. Dhe, tash pasi që kjo marrëveshje u ratifikua, na thuhet se megjithatë duhet të pres procesi i liberalizimit të vizave. Kështu po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE-së. Lëvizja e lirë është një prej të drejtave dhe vlerave evropiane. Prandaj ngurrimi i vendeve të caktuara, anëtare të BE-së, për t’ua zgjeruar këto të drejta edhe qytetarëve të Kosovës, bie ndesh drejtpërdrejt me vlerat dhe të drejtat fundamentale që e kanë ndërtuar dhe mundësuar deri tash Bashkimin Evropian. Është gabim dhe e dëmshme që politikat e BE-së, veçanërisht karshi rajonit e Kosovës, të fillojnë të skicohen bazuar në qëndrimet ksenofobe të ekstremit të djathtë. Rritja e popullaritetit të forcave të këtilla politike është shqetësues për të gjithë. Dorëzimi i pjesshëm karshi tyre rrezikon t’u jep atyre të drejtë, në vend se t’i luftojë e reduktojë ato. Natyrisht që qeverisja në Kosovë e sundimi i ligjit duhet doemos të ndryshohen. Këto, jo për shkak të kushteve të BE-së, por për shkak të lirisë, barazisë e mirëqenies së qytetarëve. Mirëpo këto nuk ndryshohen duke plotësuar kritere objektive në regjistrin e disa burokratëve të Brukselit, por me një vizion progresiv zhvillimor për ekonominë e shoqërinë dhe me një proces gjithëpërfshirës vettingu për gjyqësorin, policinë dh prokurimin”, ka shkruar Ymeri.
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …