Vita Kapo: Në periudhën e luftës kam qenë sekretarja e parë e Enver Hoxhës

Vita Kapo: Në periudhën e luftës kam qenë sekretarja e parë e Enver Hoxhës

(Albert Zholi: Flet Vito Kapo, ish-Presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë për 34 vjet rresht dhe ish-Ministre e Industrisë së Lehtë)

Aktualisht, Vito Kapo bashkëshortja e njeriut më të afërt dhe më të besuar të Enver Hoxhës, Hysni Kapos, jeton në një shtëpi modeste, në katin e parë të një ndërtese që dikur ka qenë institut studimesh, diku para “21 Dhjetorit”. Shtëpia është pjesë e një pallati të vjetër ndërtuar në vitet 1970 në afërsi të godinës  ku janë vendosur Studimet Albanologjike. Vito Kapo njihet nga opinioni si pjesëmarrëse që në moshë të vogël në Luftën Nacional-Çlirimtare, ku u njoh dhe me Hysni Kapon, në atë kohë komisar i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, Hysni Kapon me të cilin dhe u martua. Më mbrapa, duke filluar që pas Kongresit të Parë të Partisë Komuniste, pra që pas vitit 1948, ajo ka qenë në kryesinë e organizatës së “Bashkimit të Grave të Shqipërisë” dhe prej vitit 1955 ka qenë Kryetare e kësaj organizate, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1982, kur ajo u emërua nga Enver Hoxha e Adil Çarçani, ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Vito Kapo ka qenë, ndërkohë, deputete e të gjitha legjislaturave të Parlamentit komunist, ndërkohë që, deri në vitin 1974 ajo ka qenë në kryesinë e atij Parlamenti. Vito Kapo ishte Ministre e Industrisë së Lehtë e Shqipërisë në periudhat 23 nëntor, 1982 –  9 korrik, 1990.

 

Banesa nga jashtë

Pa shkruar në kryqëzimin e  rrethrrotullimit të lagjes “21 dhjetori” në rrugën e Kavajës, duke u futur djathtas 20 metër dhe më tej po kaq metër majtas, në një ndërtesë tre katëshe të ndërtuar në sistemin komunist, disa metra larg ndërtesës së Studimeve Albanologjike ndodhet shtëpia e Vito Kapos. Një ndërtesë e vjetër tre katëshe ku kati tretë thuajse i rrënuar nga mosmirëmbajtja vende vende duket e rrënuar. Pallati është i rrethuar me kangjella hekuri deri në lartësinë 1.2 metër. Kangjellat më shumë janë të ndryshkura dhe vende vende bie në sy boja blu që ndoshta do ketë vite që është lyer. Sa hap derën e vogël të hekurt që kërcet nga ndryshku, 1.5 metër larg saj ndodhet dera hyrëse e banesës së Vitos. Në të djathtë të derës në lartësinë 1.3 metër ndodhet zilja e banesës. Dera është një derë e re ngjyrë kafe e pastër e cila ka dhe një sy magjik.

 

Brenda shtëpisë

Sa hyn ndesh një korridor të gjatë 3 metër ku majtas është nj derë e një dhome dhe në fund majtas has në disa shkallë druri që të çojnë në katin e dytë. Ndërsa në të majtë sa kthehesh është një korridor 4 metër i fjatë dhe 2 metër i gjerë ku bie në sy një bibliotekë ngjyrë kafe ku janë sistemuar rreth 1 mijë e 500 libra të botuara kryesisht në sistemin komunist por dhe libra të rinj. Kur i sheh me vëmendje ato libra me vërtet mund të thuash që përbëjnë një thesar.  Në fund të korridorit përballë është një portret i madh 1,2x 1 metër e Hysni Kapos në kohën e luftës (kanavacë-vaj).  Ndërsa në mes të korridorit djathtas është dera që të çon në dhomën e Vito Kapos. Sa hyn ajo çohet në këmbë. I shoqëruar nga miku i saj familjar Hasan Hoxha ajo na jep dorën duke na urdhëruar mirëseardhjen. Dhoma kishte një mobilim modest ku mbizotëronin kolltukët ngjyrë bezhë me jastëkë blu të mbajtur pastër shumë pastër dhe pse të vjetër. Dhoma ishte si një farmaci. Në kolltukun që ishte ulur, mbi kokën e saj ishin tre foto me korniza të thjeshta. Në qendër një foto e Hysni Kapos me Viton dalë në vitin 1970 në Dhërmi, në të majtë një foto familjare ku Hysniu me Viton kishin dalë me të gjithë familjarët dhe në të majtë një portret i Alqi Kondit, vëllait të Vitos. Në të majtë të krahut të saj (të djathtë tonin)  gjysmë metër larg derës në lartësinë 1.2 metër mbi dyshemenë ndodhet një portret 1.2×1 metër i Hysni Kapos i pikturuar nga “Piktori Merituar” Rakip Shabani (kanavacë- vaj). Përballë saj (mbrapa nesh) në mur janë 7 fotografi të ndryshme të Hysni Kapos me Viton apo dhe fëmijët. Të gjitha në korniza  të thjeshta. Në të majtë tonin është një dritare 1.2x 08 metër me perde të bardha të pastra, ku afër saj është një komodinë e thjeshtë kafe ku është vendosur një televizor 22 poltsh plazma. Para se të filloj të rrëfej Vitua na pyet për familjet, shëndetin, punën dhe na qeras me nga një gotë raki sipas traditës, ku dhe vetë troket një gotë me ne.  E thinjur, me një fytyrë të pastër ajo flet ngadalë me një zë të qetë duke rrëfyer pa asnjë gabim pyetjeve që ju drejtuan…

 

Shoqja Vito, kohët e fundit në shtypin e ditës por dhe në shumë panele televizive flitet kundër luftës nacional-çlirimtare, madje arrihet të thuhet se nuk është bërë luftë fare? Cili është mendimi juaj për këtë luftë?

Kam dëgjuar edhe unë në televizione shumë debate të tilla ashtu siç kam lexuar edhe në shtypin e ditës. Lexoj dhe nuk mund ti besoj. Më duket si një ëndërr e keqe. Lufta N-C është lufta më heroike e popullit shqiptar, është lufta më e organizuar dhe më e madhe në gjithë historinë e tij, Këtë nuk e kam thënë vetëm unë por e kanë shkruar me dorën e vet të gjithë përfaqësuesit e aleatëve që kanë qenë tek ne në këtë luftë ashtu siç është vlerësuar edhe nga ish-BS. Për të gjithë ata që e mohojnë këtë luftë edhe unë do u shtroj pyetjet: Ku u formuan të gjitha ato formacione partizane? Pse dërguan përfaqësuesit e vetë aleatët tek ne në këtë luftë? Pse vetë dokumentet gjermane përcaktojnë me saktësi shumë beteja të zhvilluara? Pse ato dokumente përcaktojnë dhe kohën e largimit të trupave gjermane nga Shqipëria? A i kanë lexuar këta pseudo-historianë dokumentet e ushtrisë italiane se si trupat partizane përlesheshin me ta? Ku u vranë gjithë ato bijë dhe bija të popullit shqiptar për çlirimin e vendit? Kush i largoi pushtuesit italianë nga Shqipëria? Kush i shpërndante traktet në Tiranë dhe në qytetet e tjera kundër pushtimit? Kush i godiste  fashistët në Tiranë, Korçë, Durrës etj sa ata nuk gjenin qetësi? Pra për të gjitha këto më duhet ditë dhe net apo dhe muaj që të sjell fakte të pakundërshtueshme. Por nga ana tjetër, urdhëro shiko fotot ku unë kam dalë partizane me shoqet e mia. Ku i gjetëm këto rroba? Po armët ku i morëm? Pse ikëm nga Instituti femëror “Nëna Mbretëreshë”? Po shumë foto që kanë dalë partizanët në luftë me italianët dhe gjermanët që i kanë bërë fotoreporterë të huaj vallë falco janë? Si ishte kalimtar Gjermania kur bëri dy operacione kundër ushtrisë N-Ç? Ku ndër kujt luftoi? Po pse ishte kalimtare Gjermania në Shqipëri kur qëndroi mbi një vit? Kalimtar do të thotë kalo dhe ik për 3-4 ditë se je ushtri e motorizuar, moderne. Pra ka me qindra shembuj dhe argumente që të gjithë ata që hedhin poshtë këtë luftim duan të mbulojnë gabimet e tyre por dhe të evidentohen në panele pa asnjë fakt dhe meritë. Kush hedh poshtë për këtë luftë hedh baltë për trimat e popullit që dhanë jetën në lulen e rinisë.

 

-Por sot “Balli Kombëtar” hedh shumë baltë mbi luftën si,  ato që partizanët nuk kanë bërë luftë partizanët, ishin thjesht disa pushkë, apo pushtuesit ishin kalimtarë…Madje thuhet se “Balli Kombëtar” ka luftuar pushtuesit aq sa partizanët. Mendimi juaj?

Këto janë shumë të thjeshta, i lexon kushdo janë dokumente të sakta nga të huajt jo nga ne. Dihet shumë mirë që ballsitët kishin 4 veta prej radhëve të tyre në qeverinë Kuislinge shqiptare. Pastaj mund të më thoni cilat ishin formacionet ushtarake të “Ballit Kombëtar”?, Sa brigada apo batalione kishte? Ku kanë luftuar? Cilat janë betejat e tyre historike? Po të rënët e tyre ku janë vrarë? Unë di të them se në vitet e luftës shumë të gënjyer të Ballit janë hedhur në radhët e partizanëve, se e ndjenë se ishin gënjyer. Madje ishin shumë. Por di të them dhe atë fjalën lapidar të të madhit Dritëro Agolli: Unë s’kam dëgjuar asnjë këngë të jetë ngritur për ballistët në luftë. Ju dini? Në Shqiëpri në atë kohë është bërë  një luftë heroike dhe këtë luftë e bëmë ne, bij e bija të këtij populli kun ë radhëet tona kishim 70 mijë partizanë. Lufta e tergoi qartë pasi nga ne ranë në fushat e betejave, në sulme dhe prita plot 28 mijë dëshmorë. Lexoni, shfletoni, kërkoni në arkivat jashtë nesh dhe do të gjeni se Balli, nuk zbrazi asnjë pushkë kundër okupatorit, nuk bëri asnjë betejë, asnjë pritë, por përkundrazi bashkëpunoi me të. Ndaj si të barazohemi ne në këtë luftë me  Ballin Kombëtar.

 

-Një tjetër debat që është hapur është ai mbi rolin e Enver Hoxhës në luftë, thuhet që nuk ka hedhur një pushkë dhe nuk ka qenë ndër udhëheqësit e kësaj luftë?

(Qesh). Njerëz që hedhin batë për këdo që nuk u vjen për shtat ideve dhe qëllimeve të tyre do të ketë gjithmonë në jetë, kjo për shumë arsye. Rolin e Enver Hoxhës në luftë nuk mund ta mohojë askush. Enver Hoxha ishte udhëheqës largpamës i cili në çadrën e tij nuk vinte gjumë në sy. Në çadrën e tij vinin korrierë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe sillnin informacione. Enveri i mblidhte dhe jepte rekomandimet e rastit. Ajo çadër nuk kushte gjumë kurrë. Sigurisht Enveri nuk merrte pjesë sa herë kishte beteja, por sa herë u rrethua Shtabi Përgjithshëm ai ka luftuar si gjithë partizanët. Udhëheqësit e luftës asnjëherë në asnjë vend të botës nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime. Besoj nuk ka marrë as Stalinin as Curçili, as Hitleri etj…Pra udhëheqësit kanë tjetër rol nuk janë ushtarë të thjeshtë. Madje në luftëra të tilla udhëheqësit ruhen me shumë kujdes pasi nëse kapet rob apo vritet udhëheqësi athere mbaron dhe lufta. Këto janë rregulla apo ligje lufte. Por si duket sot….Nga ana tjetër kur dëgjoj të barazojnë Enverin me Hitlerin më vjen neveri. Një poshtërim i pabazë. Nuk kanë asnjë lidhje…Enveri i është rrezikuar disa herë jeta në luftë.

Si do ta përcaktoje Enverin në  këtë luftë, po në marrëdhëniet me aleatët?

Enver Hoxha mbetet udhëheqësi kryesor i luftës. Këtë nuk mund ta mohoj askush sido që ta deformojë historinë. Ishte një njeri shumë korrekt që dinte të jepte udhëzime dhe të zgjidhte situata në mënyrë korrekte. Marrëdhëniet e tij me aleatët që ishin pranë Shtabit të përgjithshëm ishin shumë korrekte. Këto përfaqësime tregonin dhe rëndësinë që i jepnin aleatë kësaj lufte. Kam parë vetë se kur ushtarakët aleatë që ishin pranë Shtabit të Përgjithshëm para se të futeshin në çadrën e Enverit rregulloheshin dhe paraqiteshin ushtarakisht, ua kërkonte detyra. Madje di që grada më e lartë e këtyre përfaqësuesve Anglo-Amerikan ishte deri në kolonel. Enveri komunikonte tepër korrekt dhe ata e respektonin madje hynin me shumë emocion në çadrën e tij, për vetë korrektesën dhe prezencën rigoroze të Enverit. Enveri nuk krijonte shumë miqësi por mbante raporte të ndërsjella shumë të rregullta.

 

Sot thuhen shumë fjalë për Enverin si feminist, imoral apo pederast, si e keni njohur ju dhe cili është mendimi juaj për këto etiketime?

Enveri siç e kanë thënë gjithë bashkëkohësit në rininë e tij ishte një djalë i gjatë, i bukur dhe që vishej me shumë shije. Me sa kam dëgjuar nga ata që e njihnin në Korçë kam mësuar se vajzat dhe gratë e Korçës e kanë simpatizuar shumë. Sigurisht në rini njeriu ka dhe  njohjet apo lidhjet e veta që unë nuk kam pasur interes ti mësoj. Ndërsa unë do ët flas për pjesën e luftës dhe pas saj sa e kam njohur Enverin.E them me përgjegjësi se gjatë luftës dhe deri sa ndërroi jetë Enveri kurrë nuk ka ngacmuar, nuk ka provokuar apo të ketë pasur lidhje të tilla. Enveri që gjatë luftës dhe deri sa ndërroi jetë ka qenë i rrethuar me njerëz në çdo moment. Çdo lëvizje e tij ishte tejet e kontrolluar. Kurrë nuk kam dëgjuar fjalë të tilla për të  gjatë gjithë jetës pasi diçka do kishte vluar. Nuk e di se ku i gjejnë ata njerëz këto “fakte” që hedhin baltë pa të drejtë. Ndoshta bëhen nga njerëz që duan të evidentohen, që të ngjallin interes tek mediet. Nuk e di nga se janë nisur, por askush nuk flet me fakte. Ndoshta janë dhe të shtyrë nga segmente të caktuara. Nuk e di, nuk e di. Ata që i thonë të tregojnë fakte. Unë fola me siguri me ato që e kam njohur Enverin.

 

Po ju vetë ku ishit e angazhuar në ato vite lufte si reagoi familja?

Unë, Alqi dhe Pirroja, pra dy vëllezër dhe një motër  u bashkuam me lëvizjen antifashiste dhe dolëm partizanë thuajse në të njëjtën kohë, unë në Gjirokastër, Alqi në Berat e Pirroja në Tiranë.Unë në atë kohë, në fillim isha në rajon, sekretare në Përmet, Lunxhëri, Libohovë. Pirro Kondi (vëllai im) më thoshte që të qëndroja unë sekretare, por unë thoja se nuk e bëj dot se është larg. Në ato kohë unë quhesha me emrin Vito Kondi. Nëna ime në fillim nuk e priti mirë futjen time në radhët e luftës, Se si i dukej qe një vajzë të ishte në luftë. Por pastaj u ambientua dhe më përkrahu pa rezerva.

 

-Ju keni një foto të luftës,  me dy shoqe të tjera, kush janë këto dy shoqet?

E para  është Nefo Myftiu që më vonë u bë bashkëshortja e Manush Myftiut. E dyta është Irfan Çoçoli dhe e treta jam unë. Kemi dalë ën vitin 1943. Kishim disa muaj që kishim hyrë në luftë.

 

Ju para se të shkonit në luftë ku kishit studiuar?

Unë kam qenë në Institutin femëror “Nëna Mbretëreshë”. Aty kam njohur shumë vajza të cilat më vonë hynë në radhët e luftës. Më vonë shkova mësuese në fshatin Nivan të Zagorisë nga ku kam origjinën.

 

Po shoh një foto të vjetër me veshje popullore, ku keni dalë dhe çarë veshjesh janë?

Unë këtu kam dalë në 28 nëntor 1937 para Ministrisë së Arsimit me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Jam e veshur me rrobat karakteristike popullore të krahinës së Zagorisë dhe kjo është një veshje që gjithmonë më ka pëlqyer. Unë isha veshur jo shumë mirë në raport me shoqet e mia por ato rroba gjithmonë më kanë frymëzuar. Kam dashur ti ruaj, por koha ka bërë të vetën dhe nuk e di se si më humbën. Lufta bëri të vetën.

 

Po në luftë a kishit një rregullore apo ligje të veçanta për ruajtjen e dinjitetit femëror?

Lufta kishte ligjet e veta për moralin. Për femrat kishte një rregull dhe respekt të jashtëzakonshëm. Dihet se për shkelje të këtyre rregullave ka pasur dhe dënime. Ne ishim shumë të mbrojtura dhe me shumë dinjitet. Në fillimet tona kishim komisar Manush Myftiun. Njëherë në verë unë vesha një këmishë që i shkurtova krahët që të kisha më freskët. Sa më pa më atë veshje shoku Manush më foli ashpër. Ta heqësh më tha. Ishte shumë strikt dhe konservator. Nuk lejonte  apo nuk toleronte në drejtim të nderit dhe respektit femëror. Kishte të drejtë. Athere ballistët hapnin lloj-lloj thashethemesh për ne. Jo janë femra të përdala. Femrat nuk janë për luftë. Janë femra pa karakter që tregojnë se kush janë komunistët e vërtetë. Lloj-lloj thashetheme përhapnin ballistët për ne, ndaj dhe nuk mund të kritikoja shokun Manush. Por ne me luftën tonë, me punën tonë treguam se kush ishim në të vërtetë.

 

E kishe menduar ndonjëherë se do të martoheshe me një lab? Si erdhi në jetën tuaj Hysni Kapo?

Nuk do ta besoni por brenda meje sikur ishte ngulitur në mënyrë të pavetëdijshme që unë do martohesha me një lab. Ishte një ndjenjë e brendshme që nuk e di përse më kishte lindur. Madje sa herë më thoshte nëna se si e ke menduar të ardhmen martesën, i thosha unë do martohem me një lab, burrë të fortë dhe simpatik. Nuk mund ta di si erdhi brenda meje kjo dëshirë por di të them se gjatë luftës kjo ndjenjë erdhi edhe më e fuqishme brenda meje kur filloi lufta nac-çlirimtare duke parë se lebërit ishin të parët që morën armët dhe filluan luftën për liri, duke parë se kjo luftë përmasat më reale i mori në Labëri kjo ndjenjë e fshehtë sikur mori përmasa më të mëdha brenda qenies sime. Hysniun e kam njohur si emër legjendar, pra në fillim vetëm si emër. Ai kishte krijuar një emër të madh në luftë. Kisha dëgjuar shumë për të, por nga afër se kisha parë asnjëherë. Unë e admiroja si emër, por nuk e njihja për fytyrë. Në atë kohë ai ishte kthyer në një figurë e njohur në Gjirokastër, pasi unë jam nga Zagoria. Hera e parë që e pashë me fytyrë ishte, kur po bëhej inaugurimi i Brigadës së VIII Sulmuese në Zagori. Djali i xhaxhait tim kishte mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës në një kohë me Hysniun. Vetë Hysniu e kishte kërkuar shokun e shkollës duke pyetur se ku është familja e Petro Kondit. Vjen Hysniu tek xhaxhai dhe takon shumë njerëz. Atë ditë nuk pata rast që ta takoja. Xhaxhai të nesërmen vjen tek unë dhe më thotë: Shko takohu me atë djalë. Hysniu i la përshtypje shumë të mira xhaxhait. U nisëm dhe shkuam në Sheper të Zagorisë. Ishte viti 1944. Unë kisha edhe Nexhmijen me vete. Ishte takimi i parë, një ditë impresionuse. Pashë nga afër “Besnikun”, i cili ishte bërë legjendë në atë kohë. Kur erdhi puna për të ngrënë drekë pasi bëmë detyrat e rastit bëmë fotografi, por dhe u prezantuam. Herën e dytë që e kam takuar ka qenë në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944. Unë isha caktuar me detyrën e organizmit dhe të pritjes së delegatëve. Duhet të dilnim në Frashër dhe të pritej Shtabi i Këshillit Nacional-Çlirimtar. Prej Frashërit do shkonim në Përmet. U nis Munih Kokalari nga Gjirokastra dhe shkuam në Frashër dhe pritëm shtabin dhe u nisëm në këmbë. I prita dhe i takova të gjithë. Erdhën Bab Myslymi, Piro Kondi, Hysniu, Haxhi Lleshi etj.. Kur u bëmë bashkë u nisëm. Unë po ecja në këmbë. Hysniu që nga fundi më pa, zbriti nga kali dhe më tha: Mere kalin. Ky ishte më i riu dhe më xhentili nga ata. E mora kalin e Hysniut për disa kilometra, ndërsa Hysniu po ecte në këmbë. Pas disa orësh unë i them rojes që t’i thonte “Besnikut”, që unë do të iki në një rrugë më të shkurtër. Hysniu vetëm kështu pranoi të hipte në kalë. Unë mora gjoja një rrugë të shkurtër, por mbërrita vonë në Përmet. Kjo ishte njohja dhe xhentilesa e parë e tij ndaj meje. Pas Kongresit duhet të largoheshim sipas detyrave. Por e mendoja gjithmonë kur ecja dhe netëve, pasi ai ishte ashtu siç unë e ëndërroja dhe që e kam përshkruar më lart. Por dua të them se ne jemi njohur më shumë në Berat, kur erdhën për mbledhjen e famshme të Beratit. Ishte viti 1944. Ai plenum s’ka të harruar. Ishte Plenumi i famshëm i Beratit, ku kritikohet ashpër nga jugosllavët Enver Hoxha. Atje ishin tre franksione dhe në krye të tyre ishin jugosllavët. Ishte Sejfula Malëshova, Nako Spiro, Koçi Xoxe (më i forti). Jugosllavët morën pjesë në plenum dhe ngritën tezën që keni vrarë, prerë, masakruar gjatë Luftës. Kush i ka bërë? Enveri me gjeneralë të tjerë. Fjala ishte për masakrën e Lushnjës dhe atë të batalionit italian “Antoni Gramshi” të bërë nga Brigada që drejtonte Mehmet Shehu. Në lidhje me Enveri dhe Mehmetin ju tregoj: “Mehmet Shehu ishte shumë i zgjuar shumë punëtor, shumë kërkues por shumë nevrik. i ka pas gjithmonë për zemër njerëzit që debatonin, përplaseshin me të në mënyrë të argumentuar. Ai gjatë luftës ka vepruar dy herë gabim me batalionin italian “Garibaldi” dhe me popullsinë e Lushnjës. Ai na tregonte njëherë takimin që ka pasur babai i tij me Enver Hoxhën. Pra Enveri kishte shkuar në fillim të luftës në shtëpinë e tyre. Biseda kaloi shumë këndshëm dhe ora kaloi shumë shpejt. Kur iku Enver Hoxha babai im (thotë Mehmet Shehu) u thotë të pranishmëve në odë: Dëgjojeni atë djalë (për Enver Hoxhën) se është i zgjuar por edhe trim, jo si ky imi (dhe më tregon mua na thoshte Mehmeti), që është çakmak”.

Në këtë kohë shkoj tek Koçi Xoxe dhe i them: Unë nuk kam dorëzuar materialet për shokun Enver. Pra nga tre franksionet do dilte kush do të ishte Komandant i Përgjithshëm. Enveri akuzohej më shumë për veprimtarinë e Mehmetit. Ishte moment i vështirë. Dhe pse luftë diçka ziente nën rrogoz. Kryesorja ishte që Enveri të shmangej nga drejtimi kryesor i luftës. Por dhe pse shumë debate, s’kishte njeri ta zëvendësonte Enverin. Ai ishte shumë i përgatitur. Ndaj fraksionet e tjera dhe ai i Koçit që mbështetej nga jugosllavët u thye. Mehmeti bëri autokritikë. Pra në Berat ndodhën shumë ndryshime dhe Enveri u rrezikua shumë. Koçi Xoxe i përkrahur nga jugosllavët zgjodhi njerëzit e tij në shumë poste. Enverit i lanë ushtrinë, Koçi Xoxes partinë. Atëherë doli kënga: “Koçi Xoxe merr partinë/ Enver Hoxha merr Ushtrinë”. Nuk qe Enveri që dëgjohej, por qe Koçi Xoxe që kishte fjalën e tij në parti. Në Komitetin Qendror u zgjodh Kiço Ngjela, Petrit Dume dhe Manush Myftiu. Unë për një kohë të shkurtër kam qenë si sekretare pranë Enver Hoxhës, që nga muaji korrik deri në muajin tetor të vitit 1944 në Berat (në periudhën e luftës). Enveri kishte shumë kujtesë dhe imagjinatë. Enveri bënte projekte dhe i shkruante direkt në makinë të shkrimit. Ai i përpinte librat. Ndoshta e merrni si anekdotë, por ai lexonte në mënyrë vertikale. Nuk e humbte kurrë kohën kot. Ne të gjithë përpara Enverit dridheshim. Një ditë më thotë se kishte ndodhur diçka me sekretarin politik të Vlorës. Për këtë çështje ai menjëherë përpiloi një material. Pasi e mbaroi më tha: “Do të shkosh tani te Koçi Xoxe që t’i tregosh shqetësimin që ka Partia dhe të lexojë materialin. Do t’i thuash se shoku Enver kështu mendoi t’i përgjigjet këtyre shokëve. Pyete se çfarë mendimi ka dhe në qoftë se dëshiron mund të bëjë shtesë në material”. Shkova dhe i thashë Koçi Xoxes, ato çfarë më porositi shoku Enver. Ai e merr letrën dhe thotë: Mirë. Pas pak më thotë: Shkruaj. Ai bëri ca ndryshime në material por që s’mu dukën të drejta dhe të ndërtuara bukur. Fillova të shkruaj ç’ka më diktonte Koçi. Pasi mbaroi ai më thotë të shkoj t’ja lexoj Enverit. Pasi e lexon Enveri më thotë: “Po mirë moj Vito, Koçi është punëtor, po ti ke shkollë? Ti nuk e di që çështjet kryesore vendosen në fillim, dhe ato të çështjes së dytë vihen më pas? Nuk e sheh si e ka ndërtuar Koçi, duke u dhënë rëndësi atyre që janë të parëndësishme?” Pastaj Enveri e mori dhe e ripunoi vetë. Shumë herë mendoj se si e kam pasur kurajën që t’ia thosha shokut Enver ç’ka mendoja. Por sot e mendoj se e kisha atë guxim pasi ai më njihte dhe unë e njihja”.

 

Dikur më keni thënë se Liri Gega, donte të bëhej gruaja e parë gjenerale në Berat?

Po. Liri Gega ishte një femër shumë e lëkundur në Plenumin e Beratit. Madje shumë herë krijoi disa situata jo të besueshme. Diçka e shqetësonte. Mbaj mend se në Berat, Liri Gega njëherë ishte kundra dhe një herë binte dakord me njërën apo tjetrën palë. Se e thamë ishte koha e franskioneve të mëdha. Duke parë lëkundjet në fund të plenumit të Beratit atë e hoqën nga anëtare e Komitetit Qendror. Por mes shumë bisedash Liria në atë kohë pretendonte të merrte gradën gjenerale pra të kishte dhe një femër gjenerale. Madje mua por dhe shumë grave të tjera ajo u thoshte pse të mos bëhet një grua gjenerale? Ajo nënkuptonte për vete. i mendonte të gjitha për vete. Në atë kohë gratë me më shumë autoritet ishin Naxhije Dume (anëtare e Komitetit Qendror), Liri Gega, anëtare e Komitetit Qendror, Fiqiret Shehu ishte komisare e Brigadës së Parë dhe unë që isha sekretare e Enverit. Pra ishim disa gra që kishim një emër, por ambiciet e Lirisë ishin shumë më shumë se tonat.

 

Pas Beratit ku shkuat dhe si vazhdoi njohja dhe më vonë lidhja në martesë me Hysni Kapon?

Pas Beratit unë shkova në Korçë për të stabilizuar punën në këtë qytet Organizatën e Gruas. Ishhin muajt ëe fundit tëq luftës. Po përgatiteshim për çlirimin e Tiranës. Pas Beratit Hysniu u nis përpara Enverit për në Tiranë, pasi do ishte komisari që do drejtonte luftën për çlirimin e  Tiranës. Atë vit dimri ishte i egër. Unë po shkoja në Korçë me rrobat që kisha, pra po ato të ushtrisë N-Ç. Duke më parë kështu Naxhije Dume më thotë, ku shkon ti me ato rroba është Korçë atje, bën shumë ftohtë. Do mbarosh së ftohti. Pastaj më jep një palë rroba dimri që i kishte porositur.  Unë erdha ën Tiranë kur ajo ishte çliruar dhe udhëheqja ishte akoma në hotel “Dajti”. Aty kishte zyrat Hysni dhe dali Ndreu. Atëhere “Dajti” mbahej si një hotel luksoz, më i miri në Shqipëri. Hoteli kishte dhe një mensë ku ne hanim, ndërsa të gjitha mbledhjet e rastit i bënim  në sallon. Në këtë ambient unë isha së bashku me Nefo Myftiun. Pikërisht këtu në hotel “Dajti” unë u njoha më nga afër me Hysniun. Ishte ky hotel që lidhi miqëionë tonë. Më vjen shumë keq që ky hotel me kaq histori sot është kthyer në një rrangallë. Aty mësova se Hysniu kishte qenë martuar dhe kish një djalë. Por ishte i divorcuar. Atëherë qe një opinion jo i mirë për divorcin ndaj unë stepesha para tij. Madje kurrë nuk i kam folur pa më folur ai. Ishim akoma shumë konservator në marrëdhënie. Kjo indiferencë e imja e inatoste shumë herë Hysniun, por unë qëndroja në timen. Nga sjella, mënyra se si më fliste, se si nervozohej nga heshtja ime, se si më kërkonte për raportim unë e ndjeja që ai më dashuronte. Po ashtu ndoshta dhe më me forcë dhe unë. Në këto situata pyes vëllanë e madh Pirron dhe i tregoj gjithçka.  I them dhe që ishte i divorcuar, por ai më tha nuk ka asgjë. Më vonë të y i themi dhe vëllait të vogël Alqit që ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror 19 vjeç në atë kohë. dhe ai nuk kundërshtoi për njohjen. Një ditë më thotë Hysniu a do të vish andej nga zyra se kemi disa punë për Bashkimin e Grave. Mirë, i them, se do të vij nga ora pesë. Shkova atje dhe ai më pa me inat. Ishte 24 shkurt i vitit ‘45-ës. Po ti nuk kupton se ç’dua të të them… Nuk kupton vërtet? Vendosëm të martoheshim pa zhurmë dhe pa bujë. Thjesht bëmë një darkë në shtëpi ndërsa celebrimin e bëmë më 27 shkurt të ‘45-ës ku erdhën dhe Alqi me Pirron. Në darkën dasmë ishim gjashtë veta. Për këtë datë ja kam një unazë dhe kjo daton me ditën e dasmës. Pra unaza shënon: 27/02/1945. Dua të theksoj se këtë unazë ma kishte dhënë nëna, por tek një specialit i bëmë modifikimet ashtu siç e thashë më lart. Pra kjo unazë është në dorën time që nga shkurti 1945 plot 72 vjet në gishtin tim.

 

Pas martesës si rrodhi jeta juaj? Me çfarë detyrash u caktua Hysniu dhe ju? Si i përballuat dhe çfarë pasojash kishin?

 Në atë kohë Hysniu u caktua si ambasador në Jugosllavi, ndërsa unë u caktova atashe shtypi po aty. Ishte një detyrë që e realizova për herë të parë por që më pëlqente. Ishin vite të vështira dhe shumë të tensionuara. Të ishe ambasador në Jugosllavi në atë kohë ishte përgjegjësi e madhe. Jugosllavia ishte  shteti kryesor komunist në Ballkan që kishte lidhje drejtëpërdrejt me ish-BS. Situata në botë ishte tepër e rënduar. Lufta kishte lënë pasoja të rënda në ekonominë e të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Bota ishte ndarë në dy kampe.  Përpos shumë problemeve të tjera në pozicionin që kisha më duhej të qëndroja me Hysniun në takime të ndryshme. Vështirësi pa fund. Të pa mësuar me shumë rregulla diplomatike. Një nga këto vështirësi ishte dita kur u zhvilluat takimi në Split dhe duhej të isha me Hysniun, ku zura vend midis ambasadorit te SHBA dhe Hysniut, kur veten e mendoja se duhej te isha mes kolegeve të shtypit. Mbi të gjitha dua të theksoj se isha e vetmja grua në këtë takim dhe më shihnin me kureshtje dhe gjatë gjithë kohës kemi qëndruar pa folur me Hysniun. Pas Splitit në dhjetor të vitit 1945 Hysniu duhej të nisej për në Paris. Dihen kushtet e atëhershme të udhëtimit. Komunikimi dhe vetë udhëtimi qe i vështirë. Ky udhëtim zgjati 3-4 ditë. Pra nga Beogradi në Paris që sot shkon për një orë atëherë u bë me ata trena të pasluftës. Udhëtimi u bë me tren, pa ngrohje, përmes Alpeve dhe thuajse me fare pak ushqim. Dihet që edhe komunikimi me atdheun bëhej përmes njerëzve (korrierëve) dhe radiogrameve. Gjithë ata muaj për Hysniun dhe për mua ishin muaj pune të pambarimtë. Dua të them se në kohën që mbahej Konferenca e Paqes, (ishte muaji korrik), unë isha në maternitet pasi kisha lindur vajzën Verën. Pikërisht atë ditë Hysniu udhëtoi për në Tiranë dhe sa erdhi dhe më pa në maternitet, pikërisht po atë natë u nis sërish për në Paris me pjesën tjetër të delegacionit, të ardhur bashkë me të në Tiranë. Pasi ndenja ca ditë në Tiranë më lajmëruan që nga mesi i shtatorit duhej të nisesha me gjithë vajzën e sapolindur për në Paris. Qëndrova atje gati dy muaj. Vajta disa herë si dëgjuese në Pallatin e Luksemburgut, ku zhvillohej konferenca, pasi mu krijua mundësia që të takohesha me disa personalitete sidomos të lindjes. S’më harrohet momenti kur në Konferenca foli dhe Molotovi, ku fill pas diskutimit të tij Shqipërisë iu shtuan disa dëmshpërblime të tjera nga Italia. Pas këtij takimi pikërisht në fund të Hysniu, Behar Shtylla, Kahreman Ylli, Tuk Jakova, u nisën për në Këshillin e Sigurimit për vazhdimin e mbledhjes së tretë në Nju Jork, por dhe për punën që duhej të bëhej për ta njohur Shqipërinë nga OKB-ja. Këto evenimente ndodhën në qershor te vitit 1947. Di të them se Hysniu në atë periudhë tepër të vështirë politike dhe ekonomike për Shqipërinë ka qenë politikani më i spikatur në marrëdhëniet me jashtë ai ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësues të Fuqive të Mëdha.

 

Ju më vonë u bëtë me dy fëmijë por kishit dhe Pëllumbin pra 3, si ndiheshin fëmijët, ….

Ne krijuam një familje me shumë harmoni. Dashuri dhe respekt për njeri-tjetrin. Pëllumbi është djali me nusen e parë të Hysniut, por që ne e kemi dashur dhe respektuar njëlloj. Pëllumbi ishte ashtu siç kishte emrin dhe është rritur me ne dhe me shumë dashuri. Askush s’e dinte që ai ka pasur nënë tjetër. Edhe fëmijët e morën vesh shumë vonë. Besniku, djali im më thotë një ditë, çfarë date ka unaza jote? U habita me pyetjen. Ai kishte nuhatur diçka. Shpesh herë i thoja Hysniut t’ua tregonim fëmijëve se çfarë e kishin Pëllumbin, por Hysniu nuk donte. Pyetja e Besnikut më vuri në dilemë. Më vonë u detyruam tua themi. Fëmijët e mi s’e besonin. Ata ishin rritur sikur të ishin vëllezër. Pa asnjë dallim, pa asnjë teprim, pa asnjë mos vëmendje. Gëzonin të njëjtat të drejta, dashuri, afinitet, respekt, etj.. Edhe sot marrëdhëniet me Pëllumbin i kam si me fëmijët e tjerë, i kam shumë të mira. Ata janë fëmijët e mi dhe ata për njëri- tjetrin janë vëllezër apo motra. Krenohem me fëmijët e mi. Janë fëmijë të rrallë dhe shumë të respektueshëm. Mes tyre jam ndjerë e patë dhe shumë e respektuar. Nuk ka më bukur kur ke fëmijë të tillë.

 

-Si punonit atë kohë? A kishit orar? A shpërbleheshit për punën? Cilat ishin detyrat tuaja kryesore?

Ne punonim në dy tre punë dhe thuajse asnjë ditë pushim gjatë javës. Punonim me ndërgjegje dhe paguheshim vetëm me një rrogë. Sot asnjë s’mund të punoj kështu, asnjë. Sot për punën më të vogël kukohet shpërblim. Unë isha 34 vjet kam qenë presidente e Bashkimit të Grave. Prandaj shoku Enver më thoshte që ty të kemi për problemet sociale. Përveç kaq, unë isha edhe anëtare e kryesisë të bashkimeve profesionale. Ja si shkruan Hysniu në një rast në ditar: Vitua qe në Korçë erdhi nga Korça dhe iku në Fier. Nga Fieri Vitua u nis për në Shkodër-Gjirokastër. Pra kishte raste që nuk takoheshim për javë të tëra. Mbas disa vitesh më thotë se: “Si na ka ndodhur neve të dyve se beson kush, por s’ka gjë se për partinë dhe për popullin punojmë”. Unë kam qenë shumë e ngarkuar me punë, edhe me gruan dhe deputete, dhe anëtare e KQPPSH e tjera. Kjo bënte që unë e Hysniu rrinim shumë rrallë bashkë, madje them se Hysni kishte kërkuar që unë të jepja dorëheqje nga disa detyra, por ishte dëshira e Enverit që të qëndroja. Kjo kishte bërë që Hysniu të bënte dy vargje humori si vjershë:

 

-Sa vij unë ikën Vitoja, sa vjen Vitoja iki unë, vallë kur do takohemi ështu?

Pra disa herë linim fëmijët jashtë vëmendjes për hir të punëve. Por sakrificat ishin të mëdha, pasi vendi ishte i shkatërruar nga lufta. Një vend që nuk kishte asgjë. Çdo gjë e filluam nga e para dhe di të them që kemi punuar orar pa ora, deri në 16 orë në ditë, pa asnjë ditë pushim pasi kaq të mëdha ishin problemet. Di të them se vetëm në vitet 1970 filluam të bënim pushime, madje kur Hysniu u sëmur i dhanë dy muaj leje në vit, mua një. Më vonë i lashë disa detyra si me detyrim nga Hysniu, si nga Kryesia e Kuvendit Popullor (1970), pasi nuk donim të përgojoheshim. Në vitin 1988 kur ende isha ministre e Industrisë së lehtë duke parë zhvillimet dhashë dorëheqjen.

 

A bënit debate me Hysniun. A ja tregonit të gjithë të fshehtat njëri-tjetrit?

Ne bënim vetëm debate pune, por asnjëherë grindje të tjera. Hysniu si njeriu më i afërt i Enverit dinte shumë sekrete që mua nuk mi thoshte. Dy herë kemi bërë njëfarë debate për emërimet e reja dhe pranimet në Byronë Politike. Unë i thoja se duhej të afronim njerëz me shkollë madje të kenë studiuar jashtë. Hysniu më dëgjonte por nuk fliste, kurrë nuk më ktheu përgjigje për këtë pyetje. Athere Enveri kishte dhe një orientim që të ofrojmë njerëz nga klasa punëtore, por dijet e tyre stononin me zhvillimet e kohës. Hysniut nuk i pëlqente kjo pyetje ndaj dhe nuk më kthente përgjigje. Rrinte i heshtur.  Orientimet ishin orientime….Por shumë sekrete nuk mi tregonte. Hysniu ishte shumë punëtor dhe po aq i mbingarkuar. Unë shkoja për ta lehtësuar duke i kërkuar ta ndihmoja, pasi secili punonte në dhomë të ndryshme. Kur e shihja ashtu në punë i thoja: “Ke gjë për të më dhënë mua?”. Vetëm atëherë ai më jepte dosjet e tepërta që s’përbënin sekret që s’ishin materiale të Byrosë Politike. Materialet e Byrosë ai nuk mi jepte kurrë, kurrë. Ai ma tregonte vetëm ndonjë gjë që i kishte thënë Enveri. Unë pasi i merrja i përfundoja dhe ia ktheja përsëri. Unë kisha personalitetin tim. Ai ngarkohej shumë dhe shokët i thoshin se: “Hysniu është tamahqar në punë”.

 

-Si do ti cilësoje marrëdhëniet e Enverit me Hysni Kapon?

Ishin tepër miqësore. Enveri kishte besim absolute tek Hysniu, ata kurrë nuk janë grindur dhe kishin një mirëkuptim të madh. E mirëkuptonin njeri-tjetrin vetëm me një shikim. Ndoshta e dini se në shumë momentesh krizash ndërkombëtare Enveri rolin e ndërmjetësit ja besonte Hysniut, se ishte i guximshëm dhe shumë korrekt.

 

-Po për marrëdhëniet e Enverit me Mehmet Shehun çfarë ruani në memorien tuaj?

Di të them se kishin shumë respekt për njeri-tjetrin. Enveri kishte besim tek Mehemti dhe pse ja dinte të metat apo më mirë të themi se ata ja dinin huqet njeri-tjetrit. Enveri ishte më i ekuilibruar, mendonte shumë para se të merrte një vendim, ndërsa Mehmeti ishte shumë gjaknxehtë dhe disa herë shpërthente duke marrë vendime paksa të nxituara. Por Enveri ja njihte tipin dhe karakterin dhe disa herë i thoshte shikoje dhe njëherë këtë problem Mehmet. Pra ata plotësonin njeri tjetrin, Enveri madje nuk kërkonte shumë kujdes në ruajtjen e tij. Nuk donte shumë forca sigurie. Mehmeti kishte të kundërtën kërkonte më shumë siguri. Enveri kur shikonte gardistët thoshte shumë janë  ne jemi mes interesave të popullit. Ndodhi pastaj fejesa që prishi shumë ekuilibra. Enveri s’kishte faj në këtë rast, pasi vetë Mehmeti ka bërë reagim në një moment. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi por di ët them që Enveri e vuajti këtë moment dhe pas kësaj u bë më i heshtur më i mbyllur. Detaje të tjera nuk di. Po ju tregoj një rast. Ishte një mbrëmje e ftohtë nëntori i vitit 1977. Ishim mbledhur në Shtëpinë e Pritjes dhe po bisedonim për probleme të ndryshme. Ra fjala tek veshja. Enveri i thotë Mehmetit: “Pse nuk hedhim në treg lloje të ndryshme copash doku të kenë shumë lloj veshjesh edhe për burrat?” “Jo, – tha Mehmeti, – sepse rinia fillon dhe kopjon modën e huaj, aq do rinia dhe vishet sipas shijeve borgjeze”. “Jo ne rrisim shumë llojet e stofave dhe rrobave në treg, edhe ne për vete duhet të vishemi ndryshe me lloje të ndryshme apo jo Mehmet”, i thotë Enveri. Mehmeti tundi kokën, por nuk ktheu përgjigje. Edhe unë i kam pasur shumë të mira marrëdhëniet me Mehmetin dhe e kam vlerësuar shumë. Ai ishte njeri që kishte ekstreme. Ishte njëri i keqi vetes, pasi me atë korrektesë zihej… Por ai i donte njerëzit që përballeshin, që e kundërshtonin me të drejtë dhe me fakte. Kam pasur marrëdhënie shumë të mira. S’e di si shkuan punët më vonë, por… Eh, s’di ç’të them…

 

Ditari i Hysniut mbetet një kujtim i humbur. Si u zbulua ditari dhe cilat janë marrëdhëniet tuaja me Nexhmije Hoxhën?

Kurrë nuk e kisha ditur që Hysniu mbante ditar që në kohën e luftë! E them me bindje se unë këtë s’e kisha ditur kurrë dhe e them me siguri se ishin fëmijët që e kanë zbuluar më vonë. Di që pas shumë shumë vitesh një ditë Besniku më tha  a e di ti se babi ka ditar?! Jo thashë dhe  ngrita supet. Pra kjo tregoi se ai i mbante veç dhe me kujdes. Për të më bindur Besniku më çoi dhe më tregoi se ku ishin ditarët e Hysniut. Hysniu nuk m’i jepte, por edhe unë kam qenë njeri kryelartë, nuk bëhesha kurioze për atë çka s’më takonte. Njëherë m’i kërkoi Nexhmija, e cila tha që ja dha Haxhi Kroit. S’e di si vajti fati i tyre por kur ra biseda me Enverin ai më thotë që duhet t’i marrësh mbrapa. Unë Enverit i thashë se i kërkoi Haxhi Kroi dhe jo Nexhmija, në emrin tuaj. Ai u habit paksa. Enveri dha urdhër të më ktheheshin. Por unë i lashë pas dore dhe nuk e di se ku kanë shkuar. Unë nuk e dija fare që Hysniu mbante ditar. Nuk kishte kushedi çfarë por ishte mirë ti kisha. Kujtimet mbeten kujtime. Ndërsa marrëdhëniet e mia me Nexhmijen janë marrëdhënie korrekte. Por ndryshonte puna kur ishte gjallë Enver Hoxha i cili më krijonte marrëdhënie shumë normale, duke treguar respekt në sytë e Nexhmijes. Kur Hysniu qe në fillim në Amerikë dhe pastaj në Moskë duke mbrojtur luftën tonë, Enveri më thërriste: “Eja të dëgjojmë Hysniun se po flet në radio. Pra kishte radio speciale ushtarake që dëgjohej fjalimi që mbante Hysni Kapo. E dëgjoja gjithë emocion. S’më besohej se ai mund të fliste para gjithë atyre njerëzve të huaj me aq zjarr dhe burrëri. Ose kur ishte në Moskë më thërriste në shtëpi hajde që ta dëgjojmë Hysniun se sot po flet për këtë problem. Fillonte dhe na fliste frëngjisht dhe na thoshte se sa rreptë ka folur Hysniu atje. “Kështu e duan ata Vito”, më thoshte. Pra Enver Hoxha shok më të ngushtë ka pasur Hysni Kapon. Por nga fundi se si donin ta izolonin nga lidhja direkte me Enverin edhe Hysniun edhe mua. Nga ana tjetër Enveri kërkonte të dinte nga unë realitetin, pasi unë isha në kontakt me njerëzit dhe dija se ku ishin problemet. Ndoshta kish vënë re se po e gënjenin. Unë ja thosha gjithçka, siç e shihja, si e dija, pa e mbuluar, ndaj ai më besonte dhe më kërkonte të flisja vazhdimisht. Edhe pas vdekjes së Hysniut ai më thoshte: “Unë kam nevojë për ty dhe jo ti për mua”. Ai donte të dinte gjithçka që bëhej në Shqipëri, donte të dinte hallet e popullit.

 

-Si kryetare e gruas në sa vende të botës ke shkuar me delegacione dhe a respektohej vendi ynë?

Unë kam shkuar si delegacion duke përfaqësuar gruan shqiptare në më shumë se 30 vende të botës në katër kontinente. Vetëm në Australi nuk kam qenë. Kudo na kanë pritur në mënyrë korrekte.

 

-Ke pasur ndonjë debat me ndonjë delegacion tjetër?

Po, kam pasur me një delegacion bullgar. Ishte koha kur Enveri kritikoi ashpër Hrushovin në Moskë. Reagimet ishin të ndryshme. Ne po përkrahnim vijën komuniste të Kinës. Një mike e Dimitrovit, një komuniste bullgare na fyejti në një takim, por unë e anashkalova. Ishin vite të vështira. Historia po pësonte ndryshime të thella. Ishin kohët e krisjeve të mëdha në bllokun komunist. Pastaj ndodhën ato që ndodhën ku ne u larguam nga ky kamp që kryesonte ish-BS.

 

Çfarë kujton nga vdekja e Hysniut?

Këngët e vajit të bijave dhe bijve të Labërisë. Nuk e merr me mend se sa këngë janë kënduar ato ditë si vaje. Madje shumë të tilla i mblodha. Ishin këngë te rralla.

Ja më e bukura:

-O zemër e zemrave,

Djalë i gjithë nënave

 

Po kur vdiq Enveri këngë të tilla vaji a u kënduan?

Jo, pak shumë pak. Madje vetë Nexhmija më tha përse tek Hysniu u kënduan aq shumë këngë labe vaji tek Enveri jo? Unë I thashë se Enveri është udhëheqësi ynë, njerëzit kanë më ndroje, kanë më rezerva, kanë më stepje. Nga ana tjetër Hysniu ishte më popullor dhe ishte i këngës së zonës së tij. Më vjen keq që si kam ruajtur dot të gjitha ato këngë që janë  kënduar për Hysniun.

 

Këtu keni një foto me Hysniun në breg të detit, kur dhe ku keni dalë?

Kjo është një nga fotot e mia  më të bukura. Kemi dalë në Dhërmi në vitin 1970. Mbaj mend se aty në këtë zonë takuam dhe Lefter Çipën një poet popullor. Ai me grupin e tij këndoi dhe një këngë për këtë takim. Ja disa vargje që nuk i mbaj dot mend në ligjëratë të drejtë:

-Në këto male të larta,

Erdhi burri i Labërisë,

Hysni Kapo mendjeholli,

Shoku i Enver krenarisë…..

Kjo foto është një diçka që më relakson dhe ma sjell afër Hysniun.

 

Plot 27 vjet nga rënia e sistemit komunist, si ndiheni për punë që keni bërë? A keni bërë gabime?

Ne kemi qenë idealistë. Çdokush mund ta interpretojë si të dojë, por di të them se ne kemi punuar me përkushtim, devotshmëri, përgjegjësi dhe nuk kemi pasur kushedi se çfarë privilegjesh. Ne kemi ikur nga blloku me duar bosh, me duar në xhepa. S’morëm pasuri. Ndihem krenare për veten time, se kam bërë sa kam mundur, duke mos kursyer asgjë për interesin e përgjithshëm, duke filluar që nga koha e luftës, ku, morëm pjesë aktive si familje doktori e plotë dhe deri në çlirimin e Shqipërisë. Nuk flitet për oraret apo elemente të parëndësishme, por për përgjegjshmërinë që kemi punuar. Sot mund të thonë që është bërë ajo apo kjo keq, por harrojnë se ku ishte Shqipëria dhe ku erdhi. U harrua që u ndërtua një kompleksitet i jashtëzakonshëm i infrastrukturës së shtetit. U ngrit industria, bujqësia, arsimi etj., etj.. Por këto nuk janë bërë vetëm. Nuk i harroj dot netët e viteve të para, kur Hysniu rrinte gjithë natën në mbledhjet e Byrosë dhe kthehej vetëm ndaj të gdhirë me një stres që nuk mund ta përshkruash. Flinte vetëm pak orë, madje për të qenë e saktë po të them që flinte jo më shumë se dy-tri orë. Sa binte mëngjesi, nisej në atë apo në këtë rreth, ku rrinte me ditë të tëra. Këtu fjala është se në gjithë Shqipërinë dilnin probleme nga të gjthëfarësojshmet, që kërkonin durim, nerva dhe gjakftohtësi. Nuk të flas më tepër, se duket sikur qahem, por janë arsyet për të cilat ndihem krenare. Kam parasysh se Hysniu, sa herë që unë dilja në rrethe me shërbim, si e deleguar apo për detyra të tjera, më thoshte: “Vito, bëj kujdes, mos plagos njerëz, sepse ajo dëmton edhe njerëzit e thjeshtë, që mund të gabojnë padashur, por dëmton shumë dhe Partinë, pasi në zona dhe kolektiva të ndryshme të gjithë kanë lidhje me njëri-tjetrin”. Kemi bërë gabime. Edhe kemi bërë pasi kush punon edhe gabon, por më shumë kemi punuar se kemi gabuar. Hidhni sytë dhe shikoni ç’ kemi bërë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …