Viti i Ri në Zonat e UÇK-së. Zbrazje e pa nevojshme e municionit, E enjte 31 dhjetor, 1998

Viti i Ri në Zonat e UÇK-së. Zbrazje e pa nevojshme e municionit, E enjte 31 dhjetor, 1998

Sot është dita e fundit e këtij viti kalendarik.

Jemi këtu në shtëpinë e Rizah Asllan Berishës, ku po i bëjmë përgatitjet e fundit për të filluar transmetimin në valët e Radios Kosova e Lirë.

Disa eprorë të Shtabit kanë përcaktuar vend-emetimin i cili do të jetë në lagjen e Berishëve afër përmendores së Rifat Berishës, luftëtar i mirënjohur i rezistencës. Martin Çuni thotë se një eprori i xhenierëve ka marrë përsipër të rregullojë bunkerin, i cili do të na shërbejë në rast të sulmit të forcave armike.

Kam vizituar vendin ku ushtarët dhe disa të rinj të Berishës kanë filluar të gropojnë. Vendi është gurinor dhe është shumë vështirë të depërtohet në thellësi.

Berat Luzha ka mbetur edhe sot në Krojmir, meqë për vizitë i kanë ardhur bashkëshortja, djali i vogël Fitoni, pastaj bijat Shqipja dhe Labja.

Nusret Pllana ushtron pandërprerë. Ai tanimë e ka mësuar përmendësh tekstin e shkurtër paralajmërues, për fillimin e përhapjes në eter të zërit tonë autetnik, të jehonës së krismave të pushkëve të UÇK-së.

Pasdite kanë ardhur në Berishë edhe Sylë Qeriqi dhe Elez Durmishi, me të cilët duhet të kthehemi në mbrëmje në Krojmir. Ata janë drejtuar në Shtab për të biseduar lidhur me  problemet në rritje, por si zakonisht nuk kanë arritur të bisedojnë me asnjërin prej komandantëve.

Rreth orës 16.00 me Sylën dhe Elezin lëshohemi teposhtë pllajave të Berishës dhe pa vonuar arrijmë në Kizharekë, ku ishte duke na pritur me veturë, Ajvaz Karpuzi, një luftëtar  i përkushtuar .

Sapo kemi arritur në shtëpinë e Shtabit të Batalionit, “Ruzhdi Salihu” këtu në shtëpinë time në Krojmir   e kemi takuar edhe Qemal Aliun, një gazetar i “Bujkut”i cili ka ardhur me qëllim që të na bashkohet për të punuar në Agjenci.

Edhe pse në rrethana lufte dhe rrethimi total, Arbana Epiri, Labja,  Rrezarta, Zamiri, Rrezja, Shqiponja, bijat e Berat Luzhës   e të tjerë kanë bërë paksa përgatitje edhe për natën e Vitit të Ri.

Në kohën e ndërrimit të moteve kanë shpërthyer krisma armësh po thuajse në të gjitha anët, edhe pse eprorët dhe ushtarët janë sugjeruar që të mos e shpenzojmë municionin kot.

Krisma madje edhe përmes rafalëve të gulinovit janë dëgjuar në drejtim të Komaranit dhe të Carralevës.

Krejt kjo më ka bërë një përshtypje shumë të keqe, sepse nuk është as koha, as kemi municion të mjaftueshëm për ta derdhur kot. Si duket dikush shpejt ka harruar se ende nuk i kemi identifikuar, as edhe ushtarët e fundit të cilët kanë rënë në kufi, në përpjekje për të sjellë armatim dhe armë në zonat e luftës.

Derisa po i shkruaj këto radha, ende vende-vende dëgjohen krisma sporadike. Në mos më shumë, serbët do të kuptojnë se ne kemi mjaft armatim edhe pse kam prirje të besoj se shërbimi sekret serb ka shumë më tepër informata nga njerëzit e vet të rekrutuar në radhët tona, se sa nga ndonjë shërbim tjetër.

Kjo zbrazje e pakontrolluar e municionit tregon faqe botës dhe njerëzve tanë se mungon edhe disiplina dhe rregulli ushtarak. Ç’ të bësh, ndoshta krejt këto gjithmonë kanë ndodhur dhe ndodhin gjatë luftërave. Duhet të mësohemi edhe me këto veprime, edhe pse disa prej nesh nuk pajtohemi.

Kemi fat që këtu në Krojmir, janë të pranishëm prej kohësh një grup i përkushtuar çlirimtarësh si Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, Shaban Mustafa, Halil Olluri, Ramiz Qeriqi e të tjerë, të cilët kanë ushtruar dhe ushtrojnë ndikim dhe deri tani të gjithë së bashku kemi arritur ta mbajmë gjendjen nën kontroll.

 

Vazhdon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …