Viti: Reagim ndaj dëmtimit të ndriçimit publik nga huliganët dhe qytetarët e pandërgjegjshëm

Komuna e Vitisë ka reaguar me rastin e dëmtimit të ndriçimit publik nga huliganët dhe qytetarët e pandërgjegjshëm.

Në reagim ndër të tjera thuhet:Dëmtimi i qëllimshëm i ndriçimit publik në qytetin e Vitisë nuk është vetëm një akt vandalizmi, por një sjellje tejet e papërgjegjshme që rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve. Është e papranueshme që dritat publike, të cilat janë vendosur për të siguruar lëvizje të lirë dhe të sigurt për të gjithë, të bëhen cak i huliganëve apo i individëve të pandërgjegjshëm.

Dëmtimi i ndriçimit publik, sjell pasoja të shumëfishta. Përveç krijimit të një ambienti të errët e të pasigurt, veçanërisht për skaj lumit Morava dhe afër shkollave, rreziku i kontaktit me kabllot e rrymës është real dhe i madh, sidomos për fëmijët. Një kabllo e zhveshur apo e dëmtuar mund të sjellë pasoja fatale.

Udhëheqja komunale, ka reaguar ashpër lidhur me këto raste të përsëritura, duke theksuar se dëmtimi i ndriçimit nuk është vetëm cenim i pasurisë publike, por edhe një krim që rrezikon jetën. Këto veprime nuk janë vetëm të turpshme, por dëmtojnë edhe përpjekjet e komunës për ta bërë qytetin më të ndriçuar, më të sigurt dhe më të mirëqenë për të gjithë.

“I bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo rast të tillë. Dritat publike janë investim për të gjithë, janë dritat e rrugës tonë të përbashkët, dhe ato duhen ruajtur me përkushtim. Një shoqëri e shëndoshë nis nga respektimi i hapësirës publike.

Ndaj huliganëve dhe veprimeve të tyre nuk duhet të ketë mirëkuptim. Ka ardhur koha që përgjegjësia të marrë vendin që i takon, dhe që të ndërtojmë një kulturë të re qytetare, ku drita ndriçon rrugët, jo errësira e papërgjegjësisë”, thuhet në reagim.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit nënshkruan kontratën për realizimin e projektit “Asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave në fshatrat e Komunës së Deçanit

Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj nënshkroj të enjtën kontratën me përfaqësuesin e …